Fabrika Digjitale e Filmit e “DokuFestit” për nder të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës sjell programin me tre dokumentarë që transmetohen online. Njëherësh kjo do të jetë hera e parë që “DokuFest” teston opsionin e transmetimit live të filmave në ueb-faqe. Drejtuesit e kësaj nisme janë të entuziazmuar që në këtë formë do të paraqesin tre filma mahnitës që sjellin rrëfime nga periudha të ndryshme kohore, e që lidhen me historinë e shtetformimit të Kosovës.
“Këtë muaj livestreamin, të cilin kemi vendosur që secilin muaj ta kemi nga një livestream të shfaqjeve të filmave nga ueb-faqja e ‘DokuFestit’, pasi që në muajin shkurt dita më e rëndësishme për ne në Kosovë është Dita e Pavarësisë kemi vendosur ta kurojmë një program të filmave, të cilët kanë të bëjnë me identitetin, shtetësinë, shtetformimin e Kosovës dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar shteti i Kosovës dhe nëpër të cilat kalon edhe sot”, ka thënë kreu i “DokuLab” në “DokuFest”, Eroll Bilibani.
Sipas tij, tre filmat, “I kujt është flamuri” nga Baris Karamuco, “Sans Le Losovo” nga Dea Gjinovci dhe “The Agreement” nga Karen Stokkendal Poulsen, që gjithsej zgjasin rreth 2 orë, do të transmetohen më 17 shkurt, në dy orare, prej orës 16:00 dhe në orën 22:00. Në vijim ka dhënë edhe disa detaje për këta dokumentarë, që do të transmetohen në ueb-faqen e “DokuFestit”.
“Filmi i parë me të cilin do të fillojmë është një ndër filmat e parë të produksionit të ‘DokuFestit’, që është krijuar nga programi Fabrika e Filmit, ku kemi pasur një program trajnimi për filmbërësit e rinj. Filmbërësi nga Prizreni, Baris Karamuco, ka trajtuar tre vjet pas Pavarësisë së Kosovës, sentimentin e popullatës këtu ndaj flamurit të Kosovës, duke mos u përqendruar vetëm te shqiptarët, por duke intervistuar edhe turqit, boshnjakët, dhe e ka një qasje pak komike në fillim, pasi që skenat e para fillojnë në një çerdhe fëmijësh dhe nga ajo futet më thellë në temë”, ka deklaruar Bilibani.
Sipas tij, filmi i dytë është krijuar nga e bija e një emigranti kosovar, i cili është detyruar të largohet nga Kosova për shkak të rrethanave politike.
“Filmi i dytë është filmi i Dea Gjinovcit, e cila është një emigrante, babai i saj është një emigrant, i cili për shkak të pjesëmarrjes në protesta në vitin 1969 është dashur të largohet nga Kosova. Ai në atë rrugëtim përfundimisht vendoset në Zvicër, ku edhe Dea ka lindur. Tani Dea në kërkim të identitetit të vet së bashku me babanë e saj kthehen po nëpër atë rrugë në të cilën babai i saj e ka lëshuar Kosovën, është larguar dhe kthehen afër Podujevës në vendlindjen e babait të saj, ku ai tregon edhe për trazirat politike, edhe për kontekstin politik të protestave të vitit 1969, por edhe të asaj që ka pasuar në fund të viteve ‘80 dhe fillim të viteve ‘90”, ka theksuar Bilibani.
Ai ka shtuar se filmi i tretë trajton temën e dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Programi do të përmbyllet me shfaqjen e filmit “The Agreement” nga Karen Stokkendal Poulsen, që është një regjisore daneze dhe e cila ka marrë një qasje të pakufizuar prapa bisedave teknike që kanë ndodhur gjatë dialogut Kosovë-Serbi, dhe i sjell këto skena prapa kamerave, domethënë ato të cilat nuk i kemi parë. Filmi është shfaqur në vitin 2014 në ‘DokuFest’, por mendoj se ky është një rast që përsëri t’i rikthehemi këtij filmi, pasi që edhe tema e dialogut është riaktualizuar”, është shprehur Bilibani, teksa ka shtuar se në këtë mënyrë “DokuFest” synon që të krijojë një program të filmave dokumentarë, që pos shfaqjes në kinema mund të transmetohen edhe në platformën online.
“DokuFest” në fillim të muajit shkurt ka lansuar programin e rregullt të Fabrikës Digjitale të Filmit, në kuadër të të cilit audienca do të mund të ndjekë dhjetëra dokumentarë edukativë që trajtojnë tema të ndryshme. Ky projekt i mbështetur përmes pakos për ringjallje ekonomike nga Ministria e Kulturës realizohet me qëllim të pasurimit të jetës kulturore përmes programit të vazhdueshëm kinematografik si në kinema ashtu edhe online.