Paraprakisht ishte marrëveshja për nderim të ndërsjellë mes shkrimtarit Abdylaziz Al Muhamdit, romansierit në zë të botës arabe, dhe mysafirëve nga Kosova, të prirë nga akademik Muhamed Mufaku, Ejup Ramadani (përkthyes i romanit nga arabishtja në gjuhën shqipe), autori i këtij shkrimi dhe Ambasada e Kosovës në kryeqytetin e Katarit, në Doha, me ambasadorin mr. Amir Ahmeti dhe sekretarin e Ambasadës dr. Rexhep Ismaili, të cilët i prinë organizimit dhe realizimit të tërësisë së programit me profesionalizëm diplomatik e kulturor.
Pra, ishte marrëveshja në kuadër të së cilës u prezantua romani “Kusari” i këtij autori, me ç’rast aludohej te viti 1818, kur, pos rrëfimeve tjera, del të jetë me peshë esenciale njëri nga figurat më eminente luftarake të asaj kohe në atë botë arabe, siç ishte Ibrahim Pasha (i biri i themeluesit të Egjiptit të ri, Mehmet Ali Pashës).
Portreti i Ibrahim Pashës në krye të mijëra këmbësorëve dhe tre mijë kalorësve shprehet me mllefin e tij kundër vahibistëve të kohës, të cilët i ndjek dhe pastron ambientet nga ajo rrymë ekstreme myslimane, duke arritur deri te Gjiri Persik, përkatësisht deri në brigjet e atij Gjiri që dëshmohet me Katarin, Baharinin, me ambientet e Dubait apo të Abu Dabit të sotëm; duke përfshirë gjithë Arabinë Saudite, e të tjera.
Kthimi në kohë, në 35 mijë metra katrorë
Shkrimtari Abdulaziz Al-Mahmud i ka dhënë sharmë romanit të tij me këtë figurë në mesin e aq shumë figurave të tjera në veprën e tij, siç ishin kusarët, anglezët me qëllime kolonialiste, e të tjera.
Derisa përmes romanit fitohet përshtypja e asaj bote para më shumë se dy shekujve, në Dohan e sotme, në Katarin e arritjeve spektakulare në saje të pasurive (naftës) për t’u çmuar si shteti më i pasur në botë, krejt ajo e kaluar është strehuar në Muzeun Kombëtar në mënyrën më komplete të pasqyrimit të periudhave historike. Sipas asaj çfarë lexohet në roman dhe pamjet në muze, nxisin të mendohet se shkrimtari mund të jetë ai që ka ushqyer kujtesën e organizuesve të lëndës muzeore, duke ofruar imazhe të gjalla nga ajo kohë e hershme.

Kur kihet parasysh se të dhënat në roman përkojnë me realitetin historik, iu beson edhe fjalëve të realizuesve apo të sistemuesve të lëndës së muzeut, se shkrimtari e ka dhënë kontributin e tij duke qenë shumë realist në përshkrimin e ngjarjeve të dikurshme e që, në forma të ndryshme, gjejnë shprehje në Muzeun Kombëtar. Prandaj, që në hyrje t’i zë syri peizazhet e dikurshme, tokësore e ujore, në formë filmi në hapësirë shumë të gjerë: vendbanimet e njerëzve të atëhershëm, lëvizjet e tyre në traditën beduinë, format e jetës në natyrë, nëpër kasolle që mezi mbajnë strehën, të sulmuar nga rërat e shkretëtirës... Të gjitha këto pamje vizuale gjenden përballë artefakteve në atë hapësirë tejet origjinale dhe atraktive. Pastaj, mund të thuhet gjithashtu se origjinaliteti ka të bëjë me pamjen arkitektonike të muzeut, për të cilin u tha se shtrihet në 35 mijë metra katrorë, njësoj si edhe Muzeu Islamik, me hapësirë të njëjtë dhe shumë moderne ku, në pesë katet e tij – janë grumbulluar materiale ekskluzive dëshmuese që nga koha e Profetit Muhamed, e tutje, duke pasur si pasuri të vlefshme edhe faqen e Kur’anit të përshkruar në lëkurë dhie, disa vjet pas vdekjes së Muhamedit. Ky muze u hap më 2008. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)