“Është keq që nuk do të zgjasë më shumë”, ka thënë një grua e moshuar me flokë të thinjur, të kapura bishtalec. Ajo flet për ushqimin pa para në pavijonin shumëngjyrësh në “Kotzia Square” në Athinë.
Kjo grua mbase nuk e di se ky është një projekt artistik nga artisti pakistanez Rasheed Araeen, megjithëse kjo nuk duket se i intereson. Bashkë me njerëz të tjerë ajo është rregullisht në tendë. Varfëria është e përhapur në Athinë. Një mysafir gjerman thotë se duhet të jetë goxha i zhurmshëm si vizitor për t’u ulur aty dhe për ngrënë ushqim kur ka shumë të tjerë që kanë nevojë për të.
“Të mësojmë nga Athina” ishte motoja e “Documenta 14” që përmbylli programin në kryeqytetin grek më 16 korrik, shkruan sot “Koha Ditore”, duke transmetuar DW. Ekspozita e artit bashkëkohor vazhdon në Kassel të Gjermanisë deri më 17 shtator. Por, sapo pjesa e projektit përfundoi në Athinë, dukej se shumica nuk e dinin se çfarë kuptimi kishte “Të mësojmë nga Athina”. Disa e kanë marrë këtë moto shumë sipërfaqësisht dhe prisnin ndonjë mësim, ka bërë të ditur kuratorja Marina Fokidis. Për të, banorët e Athinës gjërat që kanë mësuar nga ekipi i “Documenta” në Greqi dhe Gjermani janë tejet të rëndësishme. Ishte proces që nisi në vitin 2014, kur drejtori artistik Adam Szymczyk hapi dialogun me artistët e institucionet dhe diskutoi idetë e tij në Athinë. Disa kritikë thanë se strategjia e sivjetme e “Documenta” mund ta bëjë ekzotike Athinën, por Fokidis thotë se kritikat janë të pabaza.
“Ne nuk kemi dashur ‘pornografi’; nuk kemi dashur që të vëmë në pah krizat ose marrëdhëniet mes Gjermanisë e Greqisë”, ka thënë ai. Megjithatë kjo përshtypje ishte e vështirë të largohej.

Në Athinë, më shumë sesa në Kassel, arti i ekspozuar nuk ishte referencë për situatën e tanishme në asnjërin prej qyteteve nikoqire e as mbi historinë e tyre. Aty është një fabrikë e vjetër në jugperëndim të Athinës, ku nazistët vranë 75 grekë anëtarë të rezistencës, e që është kthyer në një ambient për performanca artistike dhe projeksione filmike nga studentët. Në lidhje të drejtpërdrejta me qytetin, pyetja se çfarë do të mbetet nga “Documenta” është më relevante se çdo gjë tjetër.
Për koreografin Kostas Tsioukas, është e qartë se eksperienca e tij me “Documenta” do të vazhdojë. Gjatë tre muajve të kaluar ai vallëzoi tri herë në javë në Muzeun Arkeologjik të Piraeus, ka medituar, shëtitur dhe ka vizituar skulpturat në qytet. Projekti i tij i përbashkët me valltarë dhe performues shkoi aq mirë saqë muzeu dëshiron që të vazhdojë bashkëpunimin. Kjo është shumë e pazakontë në Athinë, ku antikiteti respektohet më shumë se arti bashkëkohor.
Sipas Eleni Kountouri, admirimi i Athinës për të kaluarën antike nuk do të ndryshojë aq shpejt. Ajo është drejtoreshë e “Neon”, fondacionin e tretë më të madh të artit bashkëkohor në Greqi, bashkë me “Onassis” dhe “Niarchos”.
“ ‘Documenta’ lë prapa vakuum të madh”, ka thënë ajo. Ngjarja i ka kontribuar një lloji të asaj që e quajmë “promovimit të Athinës”. Ajo vazhdimisht pranon kërkesa prej njerëzve që kërkojnë kontakte të artistëve grekë, pronarëve të galerive dhe projekteve vendore kulturore, por ajo dyshon se ky interesim do të zgjasë. Kountouri kritikon Ministrinë e Kulturës së Greqisë, teksa thotë se ajo nuk ka më shumë para dhe kur vjen puna te arti bashkëkohor, thjesht e injoron atë.
Megjithatë, “Documenta” është diskutuar gjatë nëpër rrjete sociale dhe në media.
“Kjo është shenjë e mirë”, ka thënë Katerina Koskina, drejtoreshë e Muzeut të Artit Bashkëkohor (EMST). Ajo mund të quhet fituese e vërtetë e “Documenta”. Për herë të parë ajo është në gjendje që të prezantojë një pjesë të koleksionit të saj – pjesa më e madhe art grek prej viteve ’50 deri më sot – para një audience ndërkombëtare në Kassel. Për shkak të mungesës së fondeve dhe problemeve strukturore, koleksioni ende nuk mund të ekspozohet në EMST. Por, pas përfundimit të kësaj ngjarjeje në Kassel, në shtator, përfundimisht do të ekspozohet në Athinë. Kjo është situatë në favor të Koskinas, muzeu i së cilës i ofroi tre kate të ndërtesës për ekspozita të “Documenta”. Më shumë se 300 mijë vizitorë kanë vizituar EMST-in gjatë kohës sa ka zënë vend kjo ngjarje. Posterët më mbishkrimin “D14” – të dallueshme vetëm për ata që ishin të përfshirë – nuk ishin publikuar deri pak kohë para hapjes së ekspozitave.
Një prej projekteve që mund të vazhdojë pas “Documenta” është ai që ka të bëjë me iniciativën në Sheshin e Fitores. Kjo zonë njihet për keqpërdorim me narkotikë dhe krime, dhe deri para një viti ishte ndalesa e parë për refugjatët që arrinin në Greqi.
Artisti amerikan Rick Lowe mori me qira një dyqan aty, i cili kishte kuzhinë, disa tavolina, karrige, tabelë në mure dhe lapsa – pajisje bazike për të krijuar një vend të përshtatshëm takimesh në lagje.
“Që nga ajo kohë shitësit e drogës që rrinin këtu, janë larguar, që është mirë”, ka thënë Marios Blido.
Me origjinë nga Shqipëria, ai ka jetuar në lagje për 27 vjet dhe ka ndihmuar në rregullimin e dyqanit. Në ndërkohë gazetat publikon portretet e pronarëve të dyqanit nga Sheshi i Fitores dhe klasave të ndryshme për fëmijët që ishin organizuar në shesh – dhe studentë të arkitekturës po bashkëpunojnë se si të përmirësojnë lagjen. Qiraja për dyqan është siguruar deri në prill të vitit 2018, pas së cilës mirëmbajtja e saj do të vazhdojë me mbështetje të shtetit. Një pronar i kioskës në qoshe të rrugës, profili i të cilit, po ashtu, ka dalë në gazetë, pajtohet se ky është një projekt i mrekullueshëm, por thotë se është i hutuar përse një i huaj duhej të inicionte një gjë të tillë – dhe çka e bën këtë të jetë art. E arti krijon rrjete edhe pa para. Ekspozita e dyfishtë e “Documenta” këtë vit nuk ka shkundur vetëm identitetin e institucioneve. Por, gjithashtu, ka hapur diskutim më të gjerë se çfarë është në gjendje të bëjë arti – përtej kërkesave të tregut.
“Në fillim menduam të krijojmë një ndërtesë që do të mbetej në Athinë”, ka thënë Fokidis. Ajo që do të mbetet, sipas saj, janë rrjetet që bazohen në monedha të tjera përveç euros. “Edhe nëse kjo tingëllon pak hipi, këto rrjete janë formuar me zemra, e jo me para”, ka shtuar ajo.