Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Dobreci me “Përmbledhje vlerash njerëzore“ porosit për qëndresë në Shestan

Në vitin 2017 kishte botuar e promovuar librin “Krijime popullore shestanase”. Këngë dashurie, lirike e të dasmave, të barinjve, kurbetit, elegji, këngë historike e të dhëna për autoktoninë e shqiptarëve në fshatrat e Shestanit janë përmbledhur në këtë vepër, që pos krijimtarisë dokumenton edhe autoktoninë e shqiptarëve në këtë zonë. Por Simë Gjon Dobreci u është kthyer prapë botimeve.

Të hënën në Institutin Albanologjik të Prishtinës ka promovuar librin “Përmbledhje vlerash njerëzore”. Në të ka bërë bashkë krejt artikujt që ka shkruar për autoktoninë, kulturën e zakonet shqiptare të trevës së Shestanit, pjesë e Krajës në Komunën e Tivarit në Mal të Zi, shkruan sot “Koha Ditore”. Ka shkruar edhe më tej. Ka përfshirë edhe tekstet tjera për atë anë. Të autorëve që pajtohen e kundërshtojnë atë.

Si kronikë të punës së vazhdueshme të Dobrecit e ka quajtur librin drejtori i IAP-së, Hysen Matoshi, kur ka hapur ceremoninë e promovimit. Ka thënë se libri përfshin shkrimet e autorit ndër vite në revistën “Buzuku” e edhe të të tjerëve që kanë shkruar për Dobrecin.

“Ofron dëshmi të qarta kulturore të këtyre viseve. Në mjekësi profesori ka shpëtuar njerëzit e me shkrime ka shpëtuar kulturën shestanase. Ky është një kontribut i madh për brezat e ardhshëm”, ka thënë Matoshi.

Libri ndahet në dy kapituj: “Dromca për gjuhën shqipe, traditën dhe historinë” dhe “Shkrime, polemika dhe vlerësime”.

Edhe Dobreci – mjeku intelektual që ruajti vlerat autoktone të Shestanit Arbëri Dobreci – mjeku intelektual që ruajti vlerat autoktone të Shestanit

Sipas studiuesit Hajrullah Koliqi, emërues i përbashkët i të gjitha dromcave nga koha pagane deri në kohën tonë, të mbledhura nga Dobreci, janë atdhedashuria e humanizmi pa kushte.

“I shqetësuar për gjendjen e mjerë të shqiptarëve në Shestan e përreth, ai me gjithë trupin e shpirtin apelon që njerëzit ta pranojnë që janë shqiptarë e ta flasin gjuhën shqipe, pasi nëpërmjet kësaj do të nderojnë rrënjët e veta e më pas edhe nga të tjerët do të jenë të nderuar”, ka thënë Koliqi, i cila ka folur në shkallën sipërore për autorin e për librin, që për redaktor ka Rrustem Berishën e recensent Jahja Drançollin.

Zana Dobreci ka lexuar kumtesën e Rrustem Berishës. Sipas Berishës, vepra e Dobrecit është një porosi mobilizuese për qëndresë. Berisha ka konstatuar se shkrimet dëftojnë tronditje shekujsh.

“Janë rrëfime prej sot deri para 2 mijë vjetësh. Insistohet për shkollim e gjuhë anëtare. Profesori nuk shpreh urrejtje për popujt e tjerë e as për shtetin ku jeton”, ka shkruar Berisha. Sipas tij, Dobreci me bindje kërkon zhvillim e ndihmë për shqiptarët. Vetë autori Dobreci – që me profesion është dermatolog e që për shumë vite ka qenë ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë në UP e në mars ka mbushur 85 vjet, ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje në promovim e veçanërisht Institutin Albanologjik të Prishtinës për ceremoninë.

Edhe Një libër që rrëfen histori shqiptarësh në Mal të Zi Kulturë Një libër që rrëfen histori shqiptarësh në Mal të Zi

“Për librin nuk kam çfarë të them pasi folën e shkruan studiuesit”, ka thënë Dobreci.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)