Kulturë

“Ditë e re” nxjerr nga margjinat njerëzit e etur për të rrëfyer

Romani “Ditë e re” e autorit grek Nikos Chrysos u jep zë rrëfimeve që zakonisht mbesin në margjina pasi vijnë nga shoqëri të margjinalizuara. Të mërkurën, në promovimin e botimit në shqip, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, vetë autori ka treguar se ideja për këtë vepër i kishte lindur disa vjet më parë kur kishte lexuar një artikull për vrasjen e një personi të pastrehë në Paris. Në roman ka lidhje edhe me shqiptarët

Është një shoqëri e madhe e të pastrehëve që orvaten në një vendbanim bregdetar. Krejt ngjarja zhvillohet në një port jugor të Evropës. Rrëfimet e personazheve janë prej më të ndryshmeve. Emërues të përbashkët e kanë geton ku jetojnë.

Romani “Ditë e re” e autorit grek Nikos Chrysos u jep zë rrëfimeve që zakonisht mbesin në margjina pasi vijnë nga shoqëri të margjinalizuara. Të mërkurën në promovimin e botimit në shqip, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, vetë autori ka treguar se ideja për këtë vepër i kishte lindur disa vjet më parë kur kishte lexuar një artikull për vrasjen e një personi të pastrehë në Paris. Derisa po studionte për regji, i kishte hyrë mendja që të realizonte një film të shkurtër për atë rast. Porse ka shpjeguar se nuk kishte durim e as mjete, kështu që skenari u bë një nga dorëshkrimet që mbetën në sirtar.

Në ceremoninë e promovimit të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Zyra Ndërlidhëse Greke në Prishtinë, Chrysos, i cili ka studiuar edhe për biologji në Universitetin Kombëtar të Athinës, ka shpjeguar se një dekadë më pas do të lexonte për historinë e një të pastrehu në Moskë. Sipas tij, bashkë me atë të Parisit ishin djegur të gjallë.

“Imazhi i trupit të vdekur në një fushë të braktisur në qytet ishte pëlhurë për romanin”, ka thënë autori i veprës që më 2019 u vlerësua me Çmimin Evropian për Letërsi. Chrysos, i cili është edhe pronar i një dyqani të librave të vjetër në Athinë, ka thënë se heroi qendror i veprës së tij është Sebastiani, një rrëfyes karizmatik i cili vritet.

“Vdekja e tij e dhunshme dhe e papritur i motivon katër shokët e tij për të kërkuar të vërtetën e jetës dhe vdekjes së tij”, ka thënë ai. Vepra ka shumë personazhe e shumë rrëfime. Bile, ka thënë se rrëfimet që jepen ngjajnë edhe me ato biblike.

“Ndërsa harta e gjendjes imagjinare e portit është formuar nga rrëfimet e heronjve dhe vetëm prej tyre, pa asnjë dëshmi objektive, dyshohet se në fund të fundit, mund të jetë një port ekzistues sado i panjohshëm pas perdes fiktive e cila është krijuar nga protagonistët”, ka thënë autori. Ka shtuar se ndoshta në fund të fundit thelbi i librit nuk është një histori e vetme, por etja njerëzore për tregime.

Për veprën ka folur edhe shkrimtari e kritiku Ag Apolloni. Ai ka thënë se ky roman i sjell në qendër ata që gjithmonë kanë qenë në margjina si lypësit, të pastrehët, shitësit e paligjshëm, hajdutët, prostitutat, narkomanët, përdhunuesit, vrasësit e të tjerë. Sipas tij, ngjarja vendoset në një qytet grek, ku mbi 20 mijë qytetarë janë të pastrehë dhe ku një në tre prej tyre shfaq çrregullime psikike, ndërsa shumë e madhe është përqindja e atyre që vuajnë nga probleme shëndetësore kronike.

“Një vend i tillë shndërrohet në arenë për ekzistencë”, ka thënë ai. Sipas Apollonit, autori e ka ndërtuar veprën si tekst me enigmë, ku pas krimit nis hetimi. Ka thënë se shumësia e zërave narrativë, diskursi brikolar dhe prania e intertekstit këtë vepër e bëjnë roman polifonik.

“Për shkak të modelit me enigmë që i përmbahet, ky roman shfaq një lojë interesante edhe në mënyrën e strukturimit të universit diegjetik, ku po s’u kuptua enigma e krimit dhe teknika e krijimit, rrezikon të mos identifikohet statusi i narratorit në roman, në tërësi, dhe në kapituj, në veçanti”, ka thënë ai. Sipas Apollonit, në krejt këtë mishmash, mes emrave grekë, italianë, spanjollë, shfaqen edhe emra shqiptarë si Luan, Artan, Rezarta, Mërgim, Korab, Jetmir, Ylli, Besiana, Liridona, Flutura e të tjerë. Por edhe emra vendesh si Kosova, Tetova e Pogradeci.

“Autori ka një qëndrim dashamirës ndaj shqiptarëve, të cilët i portretizon si njerëz që vdesin duke mbrojtur të dobëtin, si shqiptari Marko që vdes duke mbrojtur pakistanezin Malik”, ka thënë ai. Sipas Apollonit, romani “Ditë e re”, i mbushur me referenca intertekstuale dhe frekuenca narrative, është i ndërtuar me kod të dyfishtë, prandaj edhe e sfidon lexuesin në disa plane si përgatitje profesionale dhe si qenie humane. “’Ditë e re’ është sfidë e re”, ka thënë ai.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se është e lumtur për marrëdhëniet në mes të Greqisë dhe Kosovës, të cilat janë shtuar dukshëm kohëve të fundit edhe në rrafshin politik. Sipas saj, organizimi i së mërkurës është vetëm një dimension i bashkëpunimit të MAShTI-t me Zyrën Ndërlidhëse Greke.

“Populli i Kosovës ndien një afërsi të veçantë me Greqinë dhe popullin grek, pasi popujt tanë e ndajnë jo vetëm një hapësirë të njëjtë gjeografike, por edhe një histori të përbashkët, ngjashmëri kulturore dhe shumë studiues tanë të gjuhës gjejnë ngjashmëri, madje edhe në rrënjët e dy gjuhëve tona të lashta”, ka thënë ajo.

E shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, Chryssoula Aliferi, ka thënë se është shumë e lumtur që romani është promovuar edhe në Kosovë.

“Libri ka fituar dy çmime të rëndësishme dhe Nikos Chrysos gjendet në Prishtinë për të prezantuar atë duke shprehur dëshirën që libri në të njëjtën kohë të sjellë ditë të reja të raporteve kulturore mes Kosovës dhe Greqisë”, ka thënë Aliferi, e cila është në fund të mandatit të saj diplomatik në Kosovë.