‘Proces të vështirë’, e kanë quajtur dramatizimin e “Ditarit të Ana Frankut” i gjithë ekipi i kësaj shfaqjeje.
Pas dy muaj e gjysmë provash dhe pune intensive, ekipi shfaqi premierën të shtunën mbrëma në skenën e Teatrit të Gjakovës, “Hadi Shehu”, ku si gjithmonë publiku nuk mungon.
Shfaqja në fjalë është një dedikim për Yllka Domin, e cila si shumë të rinj e të reja, ishte bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ajo kishte kryer kurset për të ndihmuar të plagosurit e luftës dhe kishte ushtruar për përdorimin e armëve dhe pastrimin e tyre. Gjatë ofensivës së Betejës së Çabratit, e cila ishte zhvilluar në mes të forcave të UÇK-së dhe ushtrisë serbe, më 7 Maj 1999, Yllka ishte vrarë bashkë me disa bashkëluftëtarë. Ajo ishte qëlluar me snajper dhe trupi i saj bashkë me trupat e tjerë të vrarë, ishin dërguar në një varrezë masive në Batajnicë, në Serbi. Pas identifikimit të eshtrave të Yllka Domit nga ekspertët e mjekësisë ligjore, ajo është varrosur në Kodrën e Çabratit në Gjakovë dhe është shpallur dëshmore e kombit.
Regjisorja Drita Begolli, tha se ka shtatë vjet që ka dashur ta realizojë këtë shfaqje dhe nuk pushuar asnjëherë deri në finalizimin e saj. Ajo shtoi se ky projekt ishte një përgjegjësi e madhe, duke pasur parasysh dedikimin, por edhe traditën e teatrit në Gjakovë.
Yllka Domi u portretizua në këtë shfaqje nga aktorja me po të njëjtin emër.
Krahas Yllka Lotës, të tjerë aktorë që luajnë në këtë shfaqje janë: Jahja Shehu, Myrvete Kurtishi, Vlera Pylla, Ylber Mehmeti, Altina Kusari, Besfort Berberi, Edmond Hafizademi, Elida Shasivari dhe Valon Pallaska.
Edhe
24 vjet nga “Epopeja e Çabratit”
Drejtori i Teatrit të Gjakovës, Edi Kastrati, e cilësoi këtë projekt të suksesshëm dhe u shpreh i bindur se do të ketë jetë të gjatë, meqë tashmë veçse kanë nisur ftesat nga disa festivale.
Repriza e parë e shfaqjes “Ditari i Ana Frankut” do të jepet të mërkurën.