Prishtinë, 10 maj – Tepihu i kuq në hyrje të objektit të hirtë, posterët e mëdhenj të vendosur në muret e tij e reflektorë të shumtë, ishin vetëm një paralajmërim për një ngjarje të madhe. Fotografia e tenorit kosovar - i cili po arrin suksese nëpër skena botërore - me moton “Evropa në zemrën e tij/ Krenari për Kosovën” ishin treguesit se ai do të ngjitej në skenë.
Një numër i përzgjedhur i publikut, figura të politikës nga sfera vendore dhe ndërkombëtare i dhanë tjetër ngjyrim koncertit recital të Ramës, i cili u kthye me koncert në vendlindje pas një mungese shtatëvjeçare. Herën e fundit publiku kosovar pati rast ta dëgjojë në vitin 2012 në koncertin recital, që ai e mbajti në kuadër të “Chopin Piano Fest”. Salla e Bibliotekës Universitare kishte marrë pamje tjetër. Krejt kjo për yllin e muzikës lirike, Ramë Lahaj.
Videoja katërminutëshe e legjendës Plácido Domingo, e cila u transmetua për të pranishmit që mbushën përplot sallën, vetëm sa ia shtonte peshën këtij koncerti. Domingo aty flet për karrierën e Lahajt, rrugëtimin e tij premtues si tenor dhe thotë se “do të donte të koncertonte bashkë me Ramën për publikun kosovar”. Kjo fjali mjaftoi që të pranishmit të brohorasin e duartrokasin fuqishëm momentin që tenori shkeli skenën bashkë me pianistin italian Alessandro Amoretti. Të dy të veshur me smoking, zunë vendet e tyre në skenë, nën dritën e reflektorit, dhe me një paralajmërim se ka ndryshime në program, nisi rrugëtimi gati dy orësh.
Lahaj, me gjithë karizmin e tij në skenë qysh në notat e para e bëri publikun për vete.
Pas koncertit ai nuk ka pranuar të flasë për media, por orë më parë në një konferencë për media e kishte thënë se “...përveç përgjegjësisë, rikthimi dhe këndimi në Prishtinë të jep kënaqësi, por edhe një lloj stresi që nuk e gjen gjithkund” (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
{gallery}
-
“Cosimo and the Hot Coals” në zhvendosje me jazz dhe një episod arbëresh
-
“Amadeusi” ia rikonfirmon edhe publikut vendor potencialin e gjeneratës së re
-
Prishtina jehon me këngën e Nexhmije Pagarushës
-
Kanye West reagon pas koncertit në Tiranë: Faleminderit Edi Rama dhe Shqipërisë
-
“Minatori” me himne ndër breza për një dialog rocku në skenën e operës