Titulli asocion me gjithçka që është rreth e përqark. Me veprat, ambientin, dialogun e Kosovës me Serbinë, bisedimet e ditëve të fundit për t’i dhënë epilog luftës në Ukrainë e çka jo tjetër. Driton Hajredini me “Dialog në errësirë” fut në lojë histori të tij personale që janë në fakt universale. Rrëfimin te prifti e shndërron në deklaratë politike, Picasson e marton, ngre mure refugjatësh, vret artin dhe e ringjall atë. Është një vektor midis ekzistencës së artit dhe fatit të njeriut
Korniza e vizatuar në dysheme është e rrethuar me shiritin e një skene krimi. Nuk lejohet t’i afrohesh. Titulli “Kush e vrau pikturën” është edhe pyetja që shtron artisti. Provokon fort duke i sforcuar njerëzit të mendojnë nëse piktura është ende në “lojë”. Por përgjigjja gjendet atypari. Pas pak, kur shihen pikturat e Driton Hajredinit, arrihet te konstatimi se ky art nuk ka vdekur. E nëse analizohen pak, shpejt shkohet në një tjetër shkallë: piktura pos që nuk ka vdekur, vazhdon të jetë “armë” e fortë artistike.
“Dialog në errësirë” mban titullin ekspozita e Hajredinit që është hapur të martën mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Titulli asocion me gjithçka që është rreth e përqark. Me veprat, ambientin, dialogun e Kosovës me Serbinë, bisedimet e ditëve të fundit për t’i dhënë epilog luftës në Ukrainë e çka jo tjetër.
Të qenit refugjat
Driton Hajredini (52) është një lloj Hitchcocku i pikturës. Ose së paku në një cikël. Sorrat e tij kanë njëfarë ngjashmërie me ato të filmbërësit Alfred Hitchcock. Por, kanë një tjetër dimension. Janë pjesë e radhës së valixheve që nuk dinë të sosur. Historia personale e piktorit që jeton midis Kosovës dhe Gjermanisë, e të qenit refugjat si afro një milion shqiptarët e Kosovës në fund të shekullit të kaluar, janë pjesë e ekspozitës nëpërmjet valixheve dhe korbave. Me vaj në pëlhurë këtë dialog midis shpendëve e mjeteve të udhëtarëve e ka zhvilluar në errësirë.

“Më ka brejtur të qenit refugjat në Gjermani. U mbyll Universiteti këtu dhe ika me disa piktura në valixhe. Nuk ia dola të regjistrohesha në Akademinë e Dusseldorfit, studioja diçka tjetër dhe punoja si kamerier. Kur u ktheva në Kosovë fillova nga viti i dytë”, ka rrëfyer ai. Ka thënë se lashtësia e valixheve e ngjyrat janë tregim pak a shumë personal, por edhe i popullit të cilit i takon.
“Ne me dekada jemi dëbuar nga shtëpia. Jemi larguar me dhunë e nganjëherë edhe me qejf. Ky ka qenë preokupim i imi”, ka thënë ai. Njëra prej veprave të tij do të ishte pjesë e koleksionit shtetëror të artit pamor, sikur Ministria e Kulturës të mos bëhej pishman për blerje pak para se të vinte errësira në ditën e 9-të të dhjetorit të vitit të kaluar.
“Mëkati” i rrëfimit te prifti
Hajredinit, që më 2006 ka studiuar edhe në Akademinë e Arteve në Münster të Gjermanisë – sikurse shumë shqiptarë të tjerë – i ka rënë hise që të mos gëzojë të drejta sikurse artistët e popujve të tjerë.
Pikërisht në Katedralen e atij qyteti, në errësirë ka zënë fill vepra e tij “Mëkati”. Ka bërë një audioincizim duke u rrëfyer para priftit. Midis të tjerash e pyet atë: “A është mëkat që jam i lindur shqiptar në Kosovë?” Dhe kleriku nis të japë arsye se nuk bëhet fjalë për mëkat, pasi mëkat është kur bën diçka në kundërshtim me vullnetin e Zotit. Por Hajredini i shpjegon praktikisht se të qenit shqiptar nga Kosova ia suprimon shumë gjëra në raport me anëtarë të popujve e shteteve të tjera. Ky instalacion është njëfarë udhëkryqi brenda ekspozitës. E veprat e tilla janë të shumta.

Kuratori i ekspozitës, filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi – i cili ka munguar në hapje – në tekstin kuratorial ka shkruar se Hajredini i është kthyer temës së ekzistencës së pikturës me humorin e një tendence të rafinimit të pikturës duke dëshmuar se ajo në kuptimin klasik të fjalës ende mund të frymëzojë dhe të bartë mbi supet e saj të plakura idetë dhe konceptet si për bashkëkohësinë e edhe të amshueshmet.
“Në serinë e pikturave me koferë, që e ka filluar para fazës së tij konceptuale, por që e ka vazhduar ta eksplorojë për disa vjet me radhë, Hajredini e lë anash humorin me metanarracionin për pikturën, duke e kthyer në një metanarracion mbi konceptin, i cili tek ai flet me mjetet dhe gjuhën e pikturës klasike, madje realiste”, ka shkruar Maliqi. Sipas tij, në shikim të parë pikturat e Hajredinit duken si fotografi realiste, por kur shihen më mirë, imazhet marrin pamje paradoksale të kondensimit të dy koncepteve: mobilitetit dhe nomadizmit në botën bashkëkohore dhe sentimentin e këtij nomadizmi.
“Këto piktura konceptualisht janë më sublime seç mund të duket në vlerësimin e parë, kur i reduktoni në përvojën personale të Hajredinit që në vitet ’90, ikën nga luftërat në ish-federatën Jugosllave...”, ka shkruar Maliqi. Ai valixhet e piktorit i sheh si atë perden budiste që ndan botën e hijeve dhe mashtrimeve nga ajo e vërteta.
Provokimet e Hajredinit janë të shumta. Te “Martesa” ai u vë kurorë Pablo Picassos dhe një prej personazheve që spanjolli kishte paraqitur në veprat e tij. E te “Sindroma Abramoviq” prek artistët që ndërrojnë hapësirat. I kishte rastisur që të dëgjonte artisten serbe me botëror Marina Abramoviq duke folur në një takim dhe aty ajo kishte bërë një performancë. Hajredini e kishte xhiruar atë pjesë. Abramoviq kishte treguar se si artistët kur ndërrojnë ambientin kanë mungesë idesh. Këtë probleme e kishte pasur edhe Hajredini kur kishte ikur si refugjat. Këtë lloj “sëmundjeje” të artistëve e ka pagëzuar “Sindroma Abramoviq”. Kjo hyn në kuadër të asaj që e quan artin të etabluar.

Tejkalimi i vetes
“Me art e bëja një interaksion, për shembull martesën e Picassos. Në vitin 2000, pas luftës vinin kuratorë dhe nuk i donin pikturat, por më shumë instalacionet. Është ideja që piktura ka vdekur dhe s’ke çka thua më me pikturë. Pastaj vetë më 2002 mbërrita me e tejkalu veten dhe u binda se varësisht nga ideja ashtu është edhe shprehja. Ajo ideja me priftin nuk mund të pikturohet. Duhet të jesh vetëmohues dhe ta realizosh. Tash jam rehat edhe me pikturën, edhe me instilacionin, edhe me fotot”, ka thënë Hajredini.
Piktorja Zake Prelvukaj, njëherësh kryetare e Këshillit Drejtues të GKK-së, ka thënë se njëfarë dialogu në errësirë është edhe situata aktuale. Sipas saj, sa herë janë bërë dialogët në errësirë kanë pësuar shoqëria dhe shteti.
“Artisti këtë dialog e absorbon dhe e plason në artin e tij. Ai di t’ia zërë fijen konceptit. E bën njëfarë bashkëdyzimi me artistë të mëdhenj. Loja e artit nuk është e lehtë pasi të luash gabim edhe rrëzohesh”, ka thënë Prelvukaj. Ka thënë se GKK-ja ia ka qëlluar duke shpërfaqur kronologjikisht artin e Hajredinit.
Valixhet e artistit në ditët e sotme mund të lidhen lehtë edhe me eksodin që po ndodh shkaku i luftës në Ukrainë. Mbi 2 milionë veta, gra e fëmijë, kanë lënë vendin e tyre. Bile vepra “Muri po rritet”, ku paraqitet një mur me valixhe të ngjyrave të ndryshme, sikur alarmon pikërisht për refugjatët ukrainas.
“Lidhja me atë që po ndodh në Ukrainë është koincidencë. Gjithmonë po dalin njerëz që po na e prishin rehatinë”, ka thënë Hajredini. E para dy vjetësh, në fillim të pandemisë kishte punuar veprën “Zgjom para se të shkosh”, ku personazhi mbi një revole e me një shkop të gjatë rrah selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke provuar që t’i nxjerrë nga gjumi ata që vendosin për shumë gjëra në botë. Edhe kjo vepër ka një lidhje me gjendjen aktuale.
“Unë me një shtagë të gjatë po e zgjoj nga gjumi OKB-në pasi shkuam poshtë”, thotë Hajredini, i cili në një tjetër vepër betohet se është piktor.
