Me tentimin e parë, Ministria e Kulturë nuk ka gjetur kompani për t’ia besuar projektin madhor të konservimit dhe restaurimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Procedura e nisur në gusht të vitit 2025 ka kaluar në një proces ankesash e vendimesh ku në fund Ministria ka vendosur që janë disa kritere të cilat grupi i operatorëve ekonomikë nuk i ka plotësuar. Ka konstatuar se operatori ekonomik nuk e ka plotësuar kërkesën e kapacitetit teknik profesional. Restaurimi është paraparë të kushtojë deri në 22 milionë euro dhe është investimi më i madh në një objekt të trashëgimisë kulturore
Procesi i prokurimit i nisur në gusht të vitit të kaluar për të gjetur kompani ose grup kompanish që do ta bënin restaurimin e tërësishëm të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ka rezultuar i pasuksesshëm. Ministria e Kulturës nuk ia ka arritur të gjejë kompani ose grup kompanish që u janë përshtatur kritereve që ka vënë për të çuar përpara një projekt i cili është paraparë të kushtojë deri në 22 milionë euro. Për këtë arsye ka vendosur që ta anulojë aktivitetin e prokurimit.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit anulon aktivitetin e prokurimit me titull: ‘Punë për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor], të arkitekturës dhe inxhinierisë, për konservimin dhe restaurimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës’”, shkruhet në njoftimin që MKRS-ja e ka bërë në platformën online “E-Prokurimi”, të enjten. Për këtë edhe ka njoftuar grupin e kompanive “Limitproject SH.P.K”, “Rinesa SH.P.K”, “Delta - CCD SH.P.K” dhe “Alping SH.P.K” që kanë konkurruar së bashku për ta realizuar projektin për 21 milionë e 956 mijë e 811 euro.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoProcedura e nisur në gusht të vitit 2025 ka kaluar në një proces ankesash e vendimesh ku në fund MKRS-ja ka vendosur që janë disa kritere të cilat grupi i operatorëve ekonomikë nuk i ka plotësuar. Kjo bëhet e ditur edhe në arsyetimin e vendimit për anulimin e aktivitetit të prokurimit që ka vlerën më të madhe monetare si investim në një ndërtesë të mbrojtur si aset i trashëgimisë kulturore.
Sipas arsyetimit të vendimit të Ministrisë së Kulturës, pas vlerësimit të ofertës komisioni ka konstatuar se operatori ekonomik nuk e ka plotësuar kërkesën e kapacitetit teknik profesional. Sipas MKRS-së është dashur të ofrohet dëshmi e kompetencës për përvojën e mjaftueshme në sektorin përkatës, dhe për këtë qëllim, duhej dëshmuar se gjatë tre vjetëve të shkuar ka zbatuar kontrata të arkitekturës dhe inxhinierisë, për konservimin dhe restaurimin e aseteve të trashëgimisë kulturore në shumën prej së paku 5 milionë eurove. E po ashtu është kërkuar edhe dëshmi pune për zbatimin e projekteve të hollësishme të arkitekturës dhe inxhinierisë për ndërtimin ose renovimin e ndërtesave publike në shumën prej së paku 10 milionë eurove.
“Te secili anëtar i grupit të operatorëve ekonomikë është llogaritur vlera financiare e projekteve të ngjashme dhe pas vlerësimit nuk ka arritur të përmbushë vlerën financiare prej 5 milionë eurove... Grupi i operatorëve ekonomikë për këtë kriter ka ofruar dëshmi në lista të kontratave, kontrata të ngjashme që kapin vlerën totale prej 4 milionë e 925 mijë eurosh”, shkruhet në arsyetimin e vendimit. Po ashtu, sipas arsyetimit del se nuk është plotësuar as kriteri i 10 milionëshit pasi grupi i operatorëve ekonomikë ka sjellë dëshmi që kapin vlerën e 6 milionë e 651 mijë eurove.
“Ne e kemi marrë atë vendim por tash ta shohim se si do të ecë procedura pasi mund të ketë ankesa”, i kanë thënë KOHËS në Ministrinë e Kulturës.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, ka thënë se tenderi është anuluar ngaqë Konsorciumi i Operatorëve Ekonomikë, si i vetmi aplikues në tender nuk i ka plotësuar kriteret e përzgjedhjes, kritere të shpallura në Dosjen e tenderit publik nga Ministria.
“Ndërhyrja është e domosdoshme, megjithatë, duke pasur parasysh kompleksitetin e objektit dhe statusin e tij si trashëgimi kulturore nën mbrojtje të përhershme, procesi i konservimit dhe renovimit kërkon një qasje të kujdesshme, të përgjegjshme dhe të bazuar në standardet më të larta profesionale, me synim ruajtjen e autenticitetit dhe identitetit të ndërtesës”, ka thënë ajo.
Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, akademik Bardh Rugova ka thënë se nuk është e domosdoshme të bëhet asgjë shpejt.
“Disa probleme të sotme janë pasojë e asaj që në krye të herës është punuar shpejt e shpejt. Mirëpo, urojmë që punët të kryhen sa më me sukses”, ka thënë Rugova.
Ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës e projektuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviq është në funksion prej vitit 1982. Më 26 maj 1982, Biblioteka Kombëtare e Kosovës filloi punën në ndërtesën e re atëkohë, duke e simbolizuar me akademik Esad Mekulin si lexuesin e parë. Përurimi solemn i këtij objekti bëhet më 25 nëntor 1982, në Ditën e Bibliotekës. Biblioteka është ndërtuar në një strukturë katërkatëshe, me një sipërfaqe totale prej 16 mijë e 500 metrash katrorë nga të cilat 13 mijë e 500 metra katrorë janë sipërfaqe të shfrytëzueshme.
“Ndërtesa karakterizohet nga një kompozim kubesh të mbështjellë me një membranë skeletore çeliku, që në kombinim me ndriçimin zenitor përmes kupolave, siguron ndriçim të bollshëm dhe mbrojtje nga izolimi i tepruar. Kjo strukturë është krijuar për të ofruar kushte optimale për ruajtjen dhe aksesin në fondet e mëdha të bibliotekës”, shkruhet në ueb-faqen e institucionit.
Arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviq në nëntor të vitit 2024 qe i pranishëm në shënimin e 80-vjetorit të themelimit të BKK-së. Në një prezantim e bashkëbisedim me studentët e arkitekturës në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës, akademiku Mutnjakoviq kishte thënë se krejt projektet i ka punuar duke pasur në plan të parë njeriun. Për Bibliotekën kishte thënë se nuk ishte vizion aksidental.
“Evropa është e vogël dhe ka identitetin e vet arkitekturor. Pjesa jonë e Evropës ka për bazë arkitekturën bizantine. Ka një traditë të gjatë të formave bizantine. Drita natyrore është menduar të jetë e gjithanshme. Aspekt tjetër është në lidhje të gjithmonshme me natyrën”, kishte thënë Mutnjakoviq.
Sa i përket ndërhyrjeve në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, një prej intervenimeve të fundit ishte ai i vitit 2020 kur u bë izolimi i kulmit. Me afro 200 mijë euro qe sanuar një problem i kahershëm. Telashet me vërshime ndërtesa i ka pasur të kahershme. Për vite me radhë kur ka pasur reshje me intensitet të lartë, uji ka depërtuar edhe në bodrume duke prekur edhe njësitë bibliotekare si librat, revistat, gazetat e të tjera. KOHA ka raportuar se telashet kishin shkuar aq larg saqë në kohë kur institucioni drejtohej nga Sali Bashota shkaku i nivelit të lartë të ujit dhe numrit të madh të librave të prekur, Biblioteka s’kishte hapësirë për t’i tharë ato. Zgjidhje qe bërë duke i dërguar librat në një frigorifer masiv të patateve të skuqura në Lipjan e pastaj janë tërhequr nga një numër i caktuar për t’u tharë.