Teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren ka vënë në skenë tragjikomedinë “Deni dhe deti i thellë i kaltër” të autorit John Patrick Shanley, me regji të Ana Bateva. Dyshja e aktorëve, Liridona Shehu dhe Alban Krasniqi, që interpretojnë Robertën, përkatësisht Denin, me lojën e tyre kanë arritur që të transmetojnë ndjenjën se si kjo dramë trajton dhunën, çmendurinë, urrejtjen dhe dashurinë që ndodh mes këtyre personazheve. Regjisorja Ana Bateva ka theksuar se nëpërmjet kësaj shfaqjeje ka synuar që të vë theksin mbi dukurinë e tjetërsimit të vetvetes nga njerëzit, që po haset gjithnjë e më shumë në përditshmëri
Teatri i qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren për herë të parë ka realizuar një shfaqje kamertale, duke vënë në skenë tragjikomedinë “Deni dhe deti i thellë i kaltër” të autorit John Patrick Shanley, nën regji të Ana Bateva. Për shkak të numrit të kufizuar të ulëseve për audiencën, meqë publiku është në skenë bashkë me aktorët, premiera e kësaj shfaqjeje është dhënë të dielën dhe të hënën mbrëma në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha”.
Dyshja e aktorëve, Liridona Shehu dhe Alban Krasniqi, që interpretojnë Robertën, përkatësisht Denin, me lojën e tyre energjike dhe në kombinim me muzikën e qëlluar kanë arritur që të transmetojnë ndjenjën se si kjo dramë trajton dhunën, çmendurinë, urrejtjen dhe dashurinë që ndodhin midis njerëzve. Si dy njerëz të vetmuar, ata luftojnë një betejë të dëshpëruar për dashuri, për falje, për pak mirëkuptim dhe një dorë ndihme me shpresën se gjithçka do të jetë mirë. Sipas përshkrimit të dhënë nga drejtuesit e teatrit, “Deni dhe deti i thellë i kaltër” është një përmbledhje tragjikomike e një rënie shoqërore, në të cilën ndjeshmëria dhe dhembshuria bëhen gjithnjë e më të nevojshme dhe dëgjimi i tjetrit gjithnjë e më urgjent.
Regjisorja Ana Bateva ka theksuar se nëpërmjet kësaj shfaqjeje ka synuar që të vë theksin mbi dukurinë e tjetërsimit të vetvetes nga njerëzit, që po haset gjithnjë e më shumë në përditshmëri.
“Çështja më me rëndësi për mua ka qenë tjetërsimi i vetvetes te njerëzit, që sot shumë shpesh haset në rrugë e në shoqëri. Dhe se si dy personazhet duan të jenë afër njëri-tjetrit, duan të jenë të sjellshëm, por nuk ndihen në rregull me këtë sepse shoqëria e tyre është ndryshe dhe agresive ndaj tyre dhe për këtë arsye edhe ata sillen asisoj. Pra nuk janë të mësuar që të jenë të sjellshëm e të mirë, të dashurojnë ose diçka tjetër. Ky tjetërsim i vetvetes sot është gjëja që kam dashur ta vendos në shfaqje”, ka thënë ajo.
Drama nis në një bar të dorës së dytë në Bronx, ku Deni dhe Roberta, si personazhe të refuzuara nga shoqëria, nisin një bisedë spontane duke pirë birra. Deni është një i ri mendjemprehtë, i ashpër me vetveten, që e përdor më shumë dhunën, sesa arsyen. Kurse Roberta është një grua e re, e divorcuar dhe e mbushur me faj, për djalin e së cilës kujdesen prindërit e saj. Deni paraqitet si paaftë për emocione të buta. Në anën tjetër Roberta, që ende është e përhumbur nga kujtimi i një incidenti të shëmtuar seksual që përfshin babanë e saj, nuk ka besim te burrat në përgjithësi. Por, rezerva e tyre fillestare fillon të shkrihet dhe ata vendosin të kalojnë natën së bashku. Kësisoj fillon të shfaqet mundësia e një marrëdhënieje të vërtetë dhe kuptimplote, përkundër luhatjeve të Robertës në mëngjes. Me gjithë hezitimet e herëpashershme, dy personazhet arrijnë që të bindin veten për faljen, që arrihet me dhimbje dhe në të njëjtën kohë ofron shpresë për ardhmen.

Përgjatë gjithë dramës, Deni dhe Roberta kanë shtyrë publikun në mendime, të cilat në momente të caktuara janë ndërprerë nga të qeshurat me zë.
Interpretimi i rolit të Robertës ka qenë sfidues për aktoren Liridona Shehu, e cila ka thënë se beson që së bashkë me ekipin kanë arritur një rezultat të mirë me këtë premierë.
“Në fakt ka qenë shumë e vështirë dhe dua ta ceki se pas një kohe të gjatë po luaj në një shfaqje me dy persona dhe vërtet për mua është një sfidë e madhe, sidomos me karakterin e Robertës. Ka qenë e vështirë, por falë regjisores, ekipit dhe partnerit po mendoj që kemi mbërritur një rezultat shumë të mirë”, ka deklaruar Shehu.
Ajo ka shtuar se ka ndjenja të mira në takimet me publikun, qoftë kur skena është vogël apo e madhe. Por kësaj here, sipas saj, ka qenë një përvojë më ndryshe për audiencën.
“Mirëpo është diçka ndryshe po besoj. Publiku i Prizrenit u mësua edhe me diçka tjetër pse jo, edhe pse nëpër botë shfaqjet e llojit të tillë jepen vazhdimisht. Po është ndjenjë shumë e mirë, kur reagon publiku, kur e do publiku skenën, kur e do shfaqjen, është ndjenjë shumë e mirë”, është shprehur Shehu.
Ky ka qenë projekti i parë në Prizren për regjisoren Ana Bateva nga Maqedonia e Veriut, e cila procesin e punës në këtë teatër e ka vlerësuar si paqësor dhe argëtues, por edhe të dobishëm për të si profesioniste, për shkak të realizimit të dramës në një gjuhë tjetër.
“Jam shumë e kënaqur me punën e aktorëve sepse ata kanë qenë shumë të hapur për të provuar gjëra të ndryshme, për të dalë nga zona e tyre e komforit dhe për të eksperimentuar. Jam shumë mirënjohëse për besimin e tyre në regjinë time dhe kjo është arsyeja që e bëmë një shfaqje të tillë”, ka theksuar Bateva.
Shfaqja “Deni dhe deti i thellë i kaltër” është premiera e parë për këtë vit e teatrit të qytetit “Bekim Fehmiu”.