Një pano me urimin për Vitin e Ri, është vendosur pa pëlqimin e nevojshëm nga Qendra Rajonale për Trashëgiminë Kulturore, e cila rastin e ka denoncuar në Inspektoratin e Komunës së Prizrenit dhe në Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore, duke kërkuar ndërmarrjen e masave në përputhje me legjislacionin në fuqi
Dekorimi i qendrës së Prizrenit për festat e fundvitit, sipas autoriteteve të trashëgimisë kulturore, është realizuar me një ndërhyrje të paautorizuar në Urën e Arastës. Aty është vendosur panoja me urimin për Vitin e Ri, pa e marrë pëlqimin e nevojshëm nga Qendra Rajonale për Trashëgiminë Kulturore. Monitoruesit kanë kërkuar që praktikat e tilla të marrin fund në Qendrën Historike të Prizrenit, përderisa zyrtarët komunalë janë zotuar se do ta kthejnë gjendjen e mëparshme.
Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka konfirmuar për KOHËN se ky institucion ka dhënë pëlqim për dekorimin e qytetit, porse “nuk ka lëshuar pëlqim për vendosjen e panos në Urën e Arastës”.

Ai ka bërë të ditur se QRTK-ja më 16 dhjetor 2021 ka pranuar një kërkesë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike për pëlqimin lidhur me dekorimin e qytetit për festat e fundvitit, që është miratuar një ditë më pas.
“Por në projektin zbatues nuk parashihet ndërhyrja në Urën e Arastës”, ka deklaruar Hoxha.
Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prizrenit, në kërkesën për pëlqim drejtuar QRTK-së, ka sqaruar se do të zbatojë projektin për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit.
“Sipas këtij projekti, do të ketë vendosje të përkohshme të materialit dekorues në sheshin ‘Shatërvan’ dhe në ‘Qafë të Kishës’. Prandaj, kërkojmë pëlqim për vendosje të përkohshme të materialit dekorativ për festat e fundvitit”, thuhet në shkresë. Te përshkrimi i projektit zbatues thuhet se do të vendosen bredha festivë në “Shatërvan”, “Te Qafa e Kishës” dhe dy sosh në objektet komunale, përfshirë poçet ndriçuese dhe siluetat.
Bazuar në këtë projekt, QRTK-ja ka lëshuar pëlqimin për projektin në fjalë për lokacionet në “Shatërvan” e te “Qafa e Kishës”, duke obliguar DSHP-në që pas përfundimit të aktivitetit ta kthejë gjendjen e mëparshme.
Lidhur me çështjen në fjalë, në rrjetet sociale ka reaguar ish-drejtori i DUPH-së në qeverinë e shkuar komunale, Beni Kizolli.
“Uroj që dëmtimi i urës nuk është bërë me lejen e institucioneve relevante, të cilat pak muaj më parë nuk na dhanë pëlqimin për restaurimin e urave me qëllim të mbrojtjes së tyre”, ka shkruar ai.
Por, zyrtarët komunalë kanë theksuar se në këtë rast është zbatuar projekti për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit i iniciuar nga qeveria e shkuar lokale, duke shtuar se “panoja është e paraparë me projektin për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit, që posedon pëlqimin nga QRTK-ja, dhe se pas festave do të kthehet gjendja e mëparshme”.
Pavarësisht kësaj, QRTK-ja të premten ka denoncuar në Inspektoratin e Komunës së Prizrenit dhe në Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore punimet pa pëlqim në Urën e Arastës, duke kërkuar ndërmarrjen e masave në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Për këtë çështje, gjatë ditës, ka reaguar edhe OJQ “EC Ma Ndryshe” duke shprehur qëndrimin se praktika e ndërhyrjeve të paautorizuara në Qendrën Historike të Prizrenit po vazhdon.
“Së fundmi, një veprim i tillë ka ndodhur në Urën e Arastës. ‘EC Ma Ndryshe’ përkujton se sipas legjislacionit në fuqi për çdo ndërhyrje në infrastrukturën e Qendrës Historike të Prizrenit nevojitet pëlqimi i QRTK-së. Prandaj, sërish u bën thirrje të gjitha institucioneve relevante që në raport me Qendrën Historike të Prizrenit të ndërmarrin veprime për respektimin e ligjshmërisë, ashtu që shkeljet e tilla në këtë zonë të mos përsëriten më”, thuhet në reagim.
Ky nuk është intervenimi i vetëm i paautorizuar në urat e Lumbardhit. Javën e shkuar, KOHA pati raportuar se si Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore kishte ndaluar për herë të dytë punimet në projektin për regjenerimin urban të urave e brigjeve të Lumbardhit, të iniciuar nga Komuna e Prizrenit. Një veprim të kësaj natyre, Inspektorati i MKRS-së e pati ndërmarrë edhe muajin e kaluar, pas punimeve të autorizuara nga organet komunale, pa e siguruar pëlqimin e nevojshëm nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore.