Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Debutimi i Somalisë në Bienalen e Venecias në shënjestër të kritikave

somalia

“SADDEXLEEY” titullohet Pavijoni i Somalisë në edicionin e sivjetmë të Bienales Ndërkombëtare të Venecias, por para se ai të inaugurohet në maj, kanë shpërthyer kritikat se aty nuk përfaqësohen artistët vendorë

Secili edicion i Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecie, sjell pavijonet debutuese të vendeve që nuk kanë ekspozuar më parë në ekspozitën më të madhe të artit në botë dhe këto zakonisht janë arsye feste. Por në prag të hapjes së ekspozitës në maj, pavijoni inaugurues i Somalisë është bërë burim përplasjesh midis artistëve nga vendi që thonë se organizatorët “as nuk janë konsultuar në mënyrë kuptimplote dhe as nuk kanë përfshirë” përfaqësues të skenës artistike somaleze. Në një deklaratë të gjatë të publikuar të hënën, “Somali Arts Foundation” me bazë në Mogadishu kritikoi ekspozitën për dështim në përfshirjen e artistëve që jetojnë në Somali.

Siç ka theksuar fondacioni, të tre artistët përfaqësues – Ayan Farah, Asmaa Jama dhe Warsan Shire –  kanë lidhje me Somalinë, por të gjithë punojnë jashtë vendit. Farah jeton në Stokholm, Jama në Bristol dhe Shire në Londër. Farah dhe Jama kanë lindur në Somali, ndërsa Shire është me origjinë somaleze dhe ka lindur në Kenia.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pavijoni titullohet “SADDEXLEEY”, një referencë ndaj një forme të poezisë somaleze, dhe kurohet bashkërisht nga Mohamed Mire, kurator në muzeun “Fotografiska” në Stokholm dhe Fabio Scrivanti, menaxher projekti me bazë në Venecia. Abdirahman Yusuf është komisioneri i pavijonit.

Deklarata e Fondacionit të Artit Somalez e cilëson pavijonin si një “mundësi private” dhe vë në pikëpyetje mënyrën se si është financuar. “Ky pavijon nuk flet për ne”, shkruhet në deklaratë. 

Skena e artit në Somali është rindërtuar falë përkushtimit të artistëve, punonjësve kulturorë, institucioneve të pavarura, kolektivëve dhe organizatorëve që punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira, shpesh me pak ose aspak mbështetje institucionale dhe pothuajse pa financim nga qeveria.

“Prandaj është jashtëzakonisht zhgënjyese që, kur u shfaq një mundësi kaq e dukshme për përfaqësim kulturor, ata që kanë ndihmuar në mbajtjen gjallë të jetës artistike në Somali u lanë mënjanë”, shkruhet në reagim. 

Deklarata u nënshkrua nga nëntë artistë me bazë në Somali, përfshirë poeten dhe fotografen Bushra Mohamed, artisten Shamso Mohamed Jeylaani dhe shkrimtaren dhe regjisoren Ifraax Aden.

Organizatorët e pavijonit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së “ARTnews” për koment.

Poetja dhe regjisorja e lindur në Somali dhe me bazë në New York, Ladan Osman ka shkruar në Instagram se kishte zgjedhur të mos merrte pjesë për shkak të “refuzimit të organizatorëve për t’u angazhuar në mënyrë kuptimplote me kuratorë, artistë dhe producentë kulturorë somalezë, të cilët bënë dy kërkesa të arsyeshme: të vendoseshin në qendër artistët somalezë dhe të hiqej Fabio Scrivanti si bashkëkurator, në respektim ndaj dhunës koloniale”. Edhe pse Osman ka prezicuar këtë akuzë, ajo me gjasë i referohej kolonizimit të Somalisë nga Italia gjatë fundit të shekullit XIX dhe një pjese të madhe të gjysmës së parë të shekullit XX.

Osman gjithashtu ka thënë se e kishte refuzuar ftesën, sepse presidenti i Bienales, Pietrangelo Buttafuoco dhe administrata e ekspozitës “vazhdojnë ta përjashtojnë Palestinën, të normalizojnë gjenocidin dhe të shkelin vizionin kuratorial të Koyo Kouoh duke zhvendosur Pavijonin izraelit”. Ka përmendur po ashtu gjithashtu polemikat rreth Gabrielle Goliath, e cila ishte përzgjedhur të përfaqësonte Afrikën e Jugut me një vepër që trajton luftën e Izraelit në Gaza. Deklarata e Osman përmend edhe një letër nga “Art Not Genocide Alliance”, e cila bëri thirrje që Bienalja ta ndalojë Izraelin të marrë pjesë këtë vit. Dhjetëra artistë në ekspozitën kryesore të Kouoh, si dhe të tjerë që përfaqësojnë vendet e tyre, e nënshkruan këtë letër. Bienalja ka deklaruar se nuk mund të përjashtojë vende që njihen si shtete në Itali. Polemika mbi Pavijonin e Somalisë kujton të tjera raste që kanë përfshirë vende afrikane në Bienale. Në vitin 2022, për shembull, debutimi i Namibisë në Bienale u kritikua sepse u organizua nga një kurator italian dhe nuk arriti të përfshinte skenën artistike namibiane. “Ndiejmë se Namibia nuk po përfaqësohet në pavijon”, kishte thënë një artist për “Artnet News”. Vetëm një javë para hapjes, pavijoni u anulua papritur. Ndryshe nga Pavijoni i Namibisë, megjithatë, Pavijoni i Somalisë mbështetet nga qeveria e vendit. “Kjo pasqyron praninë në rritje të Somalisë në platformat ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë në mars ministri i Kulturës i Somalisë, Daud Aweis.

 

Marrë nga “ARTNews”. Përktheu: KOHA