U përurua me goxha bujë, pas akuzave e presioneve se po vonohej gjashtë vjet në konkretizimin e saj. Projekti i databazës së trashëgimisë kulturore “trashegimia.org”, që kushtoi 210 mijë euro, financuar nga Ambasada e Britanisë në Kosovës, e lansuar më 2014, është jashtë funksionit prej nëntorit të vitit 2020. Pas më shumë se një viti, Ministria e Kulturës është kujtuar për të. Ka nënshkruar kontratë për funksionalizimin e saj
Për ta realizuar projektin janë dashur gjashtë vjet. Kur u lansua më 2014, databaza online e trashëgimisë kulturore doli me shumë pak të dhëna për monumente e shumë gabime. Përditësimi i saj është histori më vete sa u përket vonesave. Por me krejt mangësitë, u bë edhe e paqasshme për publikun.
Nëpërmjet një kërkimi të thjesht në “Google” merret vesh se ueb-faqja “trashegimia.org” nuk është në dispozicion. Prej pjesës së fundit të vitit 2020 është jofunksionale. Pas një viti, Ministrisë së Kulturës i ka rënë në mend se i duhet kthyer publikut platforma digjitale, që kushtoi mbi 200 mijë euro. Për këtë ka hapur procedurën e prokurimit në muajin tetor të vitit të kaluar. Ka ndjekur procedurën e “kuotimit të çmimit”. MKRS-ja kishte përllogaritur që intervenimi për ta funksionalizuar të mos shkonte mbi 4 mijë euro. Ka pranuar dy oferta: njëra në vlerë prej 3 mijë e 100 eurosh dhe tjetra në vlerë prej 2 mijë e 832 euro. Institucioni më i lartë kulturor në vend është përcaktuar për të dytën.
Ka zgjedhur që kompania “Tretek Sh.P.K” ta bëjë ndërhyrjen. Me këtë kompani është nënshkruar kontrata e cila është në fuqi prej 23 dhjetorit të vitit të kaluar. Në kontratë shkruhet se marrëveshja përfundon pas tre muajsh.
Në emër të kompanisë që ka marrë përsipër punën është nënshkruar Lirim Sylejmani. Ai të mërkurën ka thënë se aktualisht nuk mund ta dijë se sa do të marrë kohë funksionalizimi i ueb-faqes.
“Kur e kemi kodin burimor i bëjmë ndërhyrjet”, ka thënë ai. Ka sqaruar se kodi burimor është lloji i kodit që ua lejon qasjen në ueb-faqen ku paraqiten të dhëna për disa prej monumenteve të vendit. Sipas Sylejmanit, Ministria e Kulturës është ajo që duhet t’ua sigurojë kodin që është një lloj çelësi për ta nisur punën në databazën online të trashëgimisë kulturore.

Zana Fetiu, këshilltare politike e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se ueb-faqja nuk është aktive për publikun që nga muaji nëntor i vitit 2020. Sipas saj, shkaqet e mosfunksionimit kanë qenë çështjet teknike të ndërlidhura me sigurinë e saj.
“Pas raportit të pranuar (raport i pranuar nga MAP-ASHI) në konsultim me menaxhmentin është proceduar kërkesa për inicim të procedurës. Tani është kontraktuar kompania dhe pritet që së shpejti uebi të jetë funksional”, ka thënë ajo.
Sipas Fetiut, në këtë databazë online kanë qenë të qasshme imazhet dhe përshkrimet për 322 asete te trashëgimisë arkitekturore, 55 të trashëgimisë arkeologjike dhe 27 të trashëgimisë së luajtshme. Janë gjithsej 404 monumente nga mbi 1600 që janë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme dhe atë të përhershme. Ministria e Kulturës planifikon që ta pasurojë platformën prej ku publiku mund të ketë qasje online në të dhënat e shtetit për asetet e trashëgimisë kulturore.
“Sigurisht se numri i aseteve që do të prezantohen në ueb do të shtohet dukshëm”, ka thënë Fetiu.
Historia e këtij projekti ka shkuar ters qysh prej fillimit.
Kishte qenë dhjetori i 2008-s kur ish-ministri i Kulturës, Valton Beqiri, bashkë me ambasadorin e atëhershëm të Britanisë së Madhe në Prishtinë, Andy Sparks, kishin regjistruar “Hyjneshën në fron” si eksponatin që do t’i paraprinte digjitalizimit të të dhënave për objektet dhe eksponatet e tjera të trashëgimisë kulturore. Prej atëherë asgjë nuk kishte lëvizur nga vendi deri në vitin 2014. Bile situata midis MKRS-së dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe kishte shkuar deri në pikën ku në mars të vitit 2013 ambasadori i atëhershëm, Ian Cliff, kishte thënë se për vonesën e implementimit të projektit do t’i kërkonte llogari vetë ministrit të Kulturës, që asokohe ishte Memli Krasniqi.
Rezultatet e projektit të financuar me 200 mijë euro nga Ambasada e Britanisë së Madhe nuk ishin parë deri me 15 korrik të vitit 2014.
Databaza në inaugurim numëronte vetëm 265 asete, “Hyjnesha...”, që u regjistrua e para, nuk ishte aty. Përfshiheshin 185 arkitektonike, 52 lokalitete arkeologjike dhe 30 të luajtshme. Gabimet ishin të shumta në të tria gjuhët, shqip, anglisht e serbisht.
Pjesa e parë e projektit ishte zbatuar nga fondacioni kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (ChwB Kosova). Për lansimin e saj, me 10 mijë euro kishte kontribuar edhe Ministria e Kulturës.
Katër vjet pas lansimit, Sali Shoshi, drejtor “ChwB Kosova”, kishte thënë se vonesat në përditësim janë të paarsyeshme.
“Ideja ka qenë që të gjitha asetet të përfshihen në databazë, që informatat të ndahen me publikun. Gjithçka që shkon jashtë saj atëherë i bie se e kemi huq qëllimin e saj. Nuk e kuptoj vonesën sepse është shumë e thjeshtë. Nëse i kanë informatat duhet të përfshihen aty. Në këtë rast kjo databazë e ka qëllim që të japë informata për publikun, të cilët kanë të drejtë të kenë qasje”, kishte thënë Shoshi.
Kishte sqaruar se 200 mijë eurot e ndara për këtë projekt, një pjesë e tyre fillimisht kishte shkuar për pjesën harduerike, e më pas për pjesën softuerike dhe për trajnim të stafit. Ai kishte sqaruar se punëtorët e të gjitha qendrave rajonale për trashëgimi kulturore janë trajnuar që të kenë qasje edhe për dhënien e informatave.
Të dhënat për objektet në këtë databazë janë ndarë në tri kategori: trashëgimia arkitekturale, trashëgimia arkeologjike dhe trashëgimia e luajtshme. Informatat janë kategorizuar sipas shtatë rajoneve: ai i Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjakovës, Gjilanit, Ferizajt dhe Mitrovicës.