Kulturë

“Darka e Lamës” në Gjonaj, përkujtim i historisë e ngjallje e traditave

“Darka e Lamës” në Gjonaj është më shumë se një ngjarje kulturore, ajo është një përkujtim i historisë, një shprehje e kujdesit ndaj traditave dhe një promovim i zakoneve që janë përbërëse për identitetin dhe kulturën e vendit. Kjo traditë e cila për hasjanët njihet ndryshe edhe si “Darka e bereqetit”, paraqet një ritual i cili bëhej si falënderim ndaj Zotit e natyrës për të mirat e ofruara gjatë vitit

Një festë e jashtëzakonshme si një rikthim në traditat dhe zakonet e pasura dhe një mënyrë për të festuar dhe ndarë “Darkën e Lamës” si trashëgimi me të tjerët zuri vend në Gjonaj këtë të shtunë, në qendrën kulturore “Reshat Çoçaj”.

Kjo traditë e cila për hasjanët njihet ndryshe edhe si “Darka e bereqetit” paraqet një ritual i cili bëhej si falënderim ndaj Zotit e natyrës për të mirat e ofruara gjatë vitit. Njëkohësisht, kjo ngjarje shërbente dhe si gostitje e miqve dhe familjarëve të cilët merrnin pjesë në procesin e ruajtjes së të vjelave nëpër hambare si përgatitje për muajt e vrazhdë të dimrit.

Kjo darkë mbahet zakonisht në fund të tetorit ose në fillim të nëntorit, e këtë vit kjo darkë nën organizimin e shoqërisë kulturore “Malësori” u mbajt më 4 nëntor.

Si ngjarje ka një rëndësi të veçantë, pasi shërben si një përkujtim i thellë i praktikave tradicionale dhe zakoneve që janë në rrezik të humbasin rëndësinë e tyre në rrjedhën e kohës. Duke e mbajtur të gjallë “Darkën e Lamës” shoqëria kulturore “Malësori” dhe komuniteti hasjan marrin përsipër një detyrim të çmuar siç është ruajtja e trashëgimisë kulturore.

Kjo ngjarje është një shembull i qartë se si komunitetet vendase mund të luajnë një rol kyç në ruajtjen dhe promovimin e zakoneve dhe traditave që i identifikojnë. Përmes përqafimit të “Darkës së Lamës”, mbrojnë zakonet e vjetra dhe i transmetojnë ato te brezat e rinj përmes perfomimit, duke siguruar që ky ritual të mos humbasë vlerën e saj.

Ngjarja u hap me një performancë muzikore folklorike që mori vëmendjen e të pranishmëve të shumtë në numër. Ansambli i talentuar i shoqërisë së kulturore “Malësori” ofruan një spektakël duke prezantuar vallet dhe këngët tradicionale të Hasit.

Pas performancës muzikore fjalën e mori Haziz Hodaj, drejtor i festivalit “Hasi jehon”, i cili nisi fjalimin e tij përshëndetës duke thënë se plani fillestar ishte që kjo ngjarje të mbahej në ambientet e jashtme të qendrës kulturore “Reshat Çocaj”, por reshjet e shiut e pamundësuan atë. “Gjithsesi ne besojmë se kjo nuk do të na ndalë neve, andaj jemi para jush me një skenar të ri e të përshtatur për ambientet e brendshme”, shtoi ai.

Për të folur pak nga aspekti shkencor i këtij riti në skenë u ftua profesori i Universitetit të Prishtinës, Departamentit të Antropologjisë, Arsim Canolli, i cili shpjegoi shkurtimisht “Darkën e Lamës” për nga aspekti antropologjik dhe përshëndeti iniciativën e performimit të saj në kuadër të një ngjarjeje kulturor. “Po krijohet një model i performances dhe rivitalizimit të traditave”, shtoi ai.

Më pas, me të përfunduar programi me disa pika muzikore folklorike të cilat përcilleshin me ovacione të forta nga publiku hasjan si nikoqirë dhe mysafirët e ftuar, ata u ftuan për të shijuar gatimet tradicionale hasjane, dhe specifikisht ato të cilat bëjnë pjesë në “Darkën e Lamës”, si elemente që s’bën të mungojnë. Krahas mishit, produkteve të bulmetit, mjaltës, verës, kungullit e reçeleve vendin kryesor zinte buka hasjane. Tradita e bukës për krahinën e Hasit është kulturë e bartur ndërbreznore, andaj nuk kishin se si të mungonin pjekurinat e ndryshme nga furrat e shumta të hasjanëve.

Të gjithë ishin të ftuar të provonin ushqimet tradicionale hasjane, por veçantia e këtij tubimi “fshihej” me një madhësi të pazakontë prej 2 metrash si një fli e gatuar enkas për këtë shënjim, e vendosur krahas hajeve e gatesave të tjera. E për këtë fli, të parën të këtyre përmasave ishte dashur mund dhe përkushtim duke filluar nga konstruktimi i një tepsie me dimensione 2 me 2 metra e deri te transportimi i saj me rimorkio. Flija e gatuar nga Rabije Hodaj, Shahe Hodaj, Ramadan Totaj e Petrit Maralushja në tepsinë e punuar nga Zekë Osmanollaj u prit me shumë kërshëri nga të pranishmit, të cilit gjendeshin para një pamje jo fort të zakontë.

Rabije Hodaj tregoi më shumë rreth detajeve të këtij procesi të mundimshëm duke filluar nga 50 kilogramë të miellit të shpenzuar pastaj te maza e fshatit nga e cila për këtë fli dymetërshe u deshën rreth 7 kilogramë, e për ta pjekur përveç konstruktimit të tepsisë e saçit të ri u deshën dhe rreth 4 metra dru për zjarrin. Por ajo u shpreh e lumtur që arritën ta realizonin këtë ide e cila në fillim u ishte dukur ambicioze e parealizueshme.

Në mbyllje të këtij tubimi, qe e rëndësishme të theksohet se lindja e kësaj ideje nuk ka qenë vetëm për të promovuar gatimet hasjane, por edhe për të rivitalizuar dhe promovuar traditat e lashta të gatimit, mikpritjes dhe falënderimit për të cilat flet Haziz Hodaj.

“Ne në kuadër të ‘Hasi jehon’ qe 15 vjet e kemi vendosur tryezën e hasjanëve, mirëpo ne ndërkohë ka lindur ideja që kjo të shkëputet si e veçantë, sepse binte nën hijen e organizimit ‘Hasi jehon’”, ka treguar ai. Ka shtuar se po mundohet që këtë festë të bartet te gjeneratat e reja përmes organizimeve të tilla kulturore duke ua rikujtuar peshën dhe rëndësinë që bartin ato.

Në një kohë kur zakonet tradicionale po bien në harrim në shumë vende, kjo ngjarje thellon bindjen se trashëgimia kulturore është një pasuri që duhet të ruhet dhe promovohet me kujdes. Duke sjellë në pah rëndësinë e traditave të lashta të gatimit, mikpritjes dhe falënderimit, komuniteti hasjan po ndërton një urë midis të kaluarës dhe të ardhmes, duke siguruar që kjo pasuri të mos humbasë. “Darka e Lamës” në Gjonaj është më shumë se një ngjarje kulturore, ajo është një përkujtim i historisë, një shprehje e kujdesit ndaj traditave dhe një promovim i zakoneve që janë përbërëse për identitetin dhe kulturën e vendit.