Derisa e gjithë bota është veshur me ngjyrë portokalli në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit, një mesazh i tillë është përcjellë edhe më fuqishëm nga Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë. Simbolika e këtyre ditëve të enjten mbrëma nuk është manifestuar vetëm përmes perdeve me nuancat e së portokalltës e mesazhit që është shfaqur në ekranin e madh në sallë, që bën thirrje për ndaljen e dhunës ndaj grave. Interpretimi muzikor ka qenë ai që i ka dhënë peshë këtij mesazhi, me të cilin është përmbyllur edicioni i 16-të i festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”. Me një program të përzgjedhur veprash, sopranoja Adelina Paloja e shoqëruar nga Lule Elezi në piano i kanë vënë vetes synim që publikut të “DAM”-it t’i dhurojë magjinë e interpretimit duke prekur veprat që luhen kudo në botë, ato që rrallë mungojnë në repertorin shqiptar e deri tek ato që gruan e mbajnë larg rolit të viktimës. Me këtë program, koncerti i organizuar nga “DAM” në bashkëpunim me “UN women”, erdhi si homazh për të gjitha gratë që humbën jetën si rezultat i dhunës me bazë gjinore në familje. Mesazhi është përcjellë edhe nga ana e publikut, pjesa më e madhe e të cilëve ka mbajtur shalle me ngjyrë portokalli e në hyrje janë dhuruar edhe maska me mesazhe të tilla. Sipas koordinatores për Zhvillim nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, mesazhi kundër dhunës në baza gjinore duhet të përçohet nga çdo fushë e shoqërisë. Është shprehur e lumtur që këtë mund ta bëjnë edhe nëpërmjet muzikës. Richardson ka theksuar se koncerti i së enjtes mbrëma është dedikim për të gjitha gratë që u besuan partnerëve të tyre, por u përballën me një fund tragjik.
“Dhuna kundër grave është një prej akteve më turpëruese kundër të drejtave të njeriut. Ne jemi këtu së bashku që të luftojmë këtë të lidhur dorë për dorë së bashku me gra, vajza e burra. Këtë duhet ta luftojmë e gjithë shoqëria së bashku me institucionet, organizatat ndërkombëtare dhe organizatat civile dhe me artistët. Jemi të gëzuar që këtu po jepet një performancë e mrekullueshme”, ka thënë Richardson para të pranishmëve.
Stile të ndryshme muzikore janë ndërthurur në ariet operistike që janë interpretuar. Veprat “O mio babino caro” dhe “Quandro m’en vo” të kompozitorit italian Giacomo Puccinit kane qenë pikënisje e koncertit. Jashtë programit nuk kanë mbetur as veprat e kompozitorëve shqiptarë. Për ta plotësuar koncertin janë përzgjedhur “N’mes dashurive” e Tonin Zadesë, “N’jat zaman t’asaj furie” e Palok Kurtit dhe “Agime Shqiptare” e Avni Mulës. Dyshja që nuk i ka të rralla koncertet bashkë me komunikim të plotë muzikor kanë arritur të marrin duartrokitjet e publikut. Sipas sopranos Adelina Paloja, ky koncert i ka dhënë kënaqësi të shumëfishtë për disa arsye.
“Për artistin nuk ka kënaqësi më të madhe sesa kur puna jote mirëpritet nga publiku, në fund të fundit ky është misioni ynë, të prekim zemrat e publikut. Sonte ishte kënaqësi e shumëfishtë, sepse koncertet recitale të konsumojnë një kohë dhe dëshirojnë një impenjim të jashtëzakonshëm, pastaj ishte edhe përgjegjësia e përmbylljes së festivalit ‘DAM’, pas të gjitha atyre netëve të bukura që kanë qenë dhe mesazhi sensibilizues që erdhi në kuadër të ‘UN Women’”, ka thënë Paloja.
Me arie operistike italiane e spanjolle, ajo ka theksuar se u janë përmbajtur kërkesave teknike të veprave, duke përcjellë edhe pjesën më delikate që kanë përbrenda. Lule Elezi, që lojën e saj pianistike po e dërgon kudo në Evropë, vepra të repertorit të saj atje i ka sjellë edhe në kuadër të festivalit “DAM”. Pas arieve operistike, dy vepra pianistike ishin një ndalesë e qëllimshme. Veprat u luajtën si një homazh muzikor. Interpretimi i veprave “Nocturne op.9, No.1” dhe “Ballade I op.23”të kompozitorit të njohur Frederic Chopin kanë përçuar një emocion të veçantë te publiku. Vlerësimet kudo në botë si interpretuese me zemër e krijimtarisë së Chopinit, Lule Elezi i ka dëshmuar edhe në Prishtinë. Në tastet e pianos, Elezi ka përcjellë lirinë ritmike dhe melankolinë e veprave që edhe vetë kompozitori polak i epokës së romantizmit i kishte më për zemër. Me një dedikim edhe më emocional janë përcjellë tingujt e kompozuar për lojë solistike në piano derisa në ekranin në sfond të sallës, publiku ka lexuar disa herë emrat e grave të vrara në Kosovë.
“Unë jam munduar t’i zgjedh këto dy vepra nga repertori im pianistik, pasi që besoj që kanë shkuar me këtë program të cilin e kemi prezantuar. Është kënaqësi të koncertojmë me Adelinën, pasi që është një zë i veçantë, zë brilant, me një interpretim të thellë dhe besoj se edhe në të ardhmen do të kemi koncerte në Kosovë dhe jashtë”, ka thënë Elezi.
Festivali “DAM” për të dytin vit po këmbëngul në një program të plotë muzikor, duke e sfiduar realitetin me pandeminë COVID-19. Pavarësisht sfidave edhe përtej pandemisë, organizatorët shprehen të lumtur që po vazhdojnë ta mbajnë lidhjen mes publikut dhe artistëve nga vende të ndryshme. “Misionin po e përmbushim edicion pas edicioni, kjo bëhet edhe më e fuqishme kur edicioni përmbyllet me një koncert të tillë, i cili u dedikohet viktimave të dhunës në familje dhe duke u munduar të japim mesazhe për fuqizimin e rolit të tyre në shoqëri”, ka thënë drejtoresha e “DAM”-it, Rreze Kryeziu- Breznica.
Sipas Kryeziu-Breznicës, një mesazh të tillë asgjë s’mund ta përçojë më mirë se muzika, andaj në program kanë futur edhe veprat “I feel pretty” të Leonoard Bernstein dhe “I could have danced all night” të Frederick Loewe. Këngët edhe në interpretimin e lëvizjet e sopranos Paloja ngulmojnë në ngritjen e vetëbesimit.
Për shkak të situatës, “DAM”-i në programin qendror të mbajtur gjatë muajit nëntor, mesazhin e vet e ka orientuar në rigjetjen, riformësimin dhe dëshirën për të ekzistuar. Nëpërmjet koncerteve është fokusuar veçmas në interpretimin dhe promovimin e literaturës së Ballkanit. Përderisa qëllimi në edicionin e 16-të vlerësohet i përmbushur, organizatorët i kanë sytë kah edicioni i 17-të për të dëshmuar fuqinë e muzikës përtej rrethanave e kufijve.