Kulturë

“DAM” akordohet për kapitullin e ri muzikor

“Ilir Bajri i ka bërë politikanët të këndojnë. Fjalimet e kryeministrit Hashim Thaçi, kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, dhe liderit të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ Albin Kurti, i kanë hyrë në punë për të improvizuar me muzikën.

‘Nonsense’ e ka titulluar ai kombinimin me video të shoqëruar me tingujt e pianos, me të cilën e ka nisur koncertin e gjashtë të ‘DAM Festivalit’. Teksa flasin për zgjedhjet, njohjet e shtetit të Kosovës, perspektivën evropiane të vendit e procese të tjera politike, që mezi merren vesh, Bajri ka kombinuar fjalimet e tyre që tingëllojnë si këngë”, është një postim të cilin festivali ndërkombëtar i muzikës, “DAM” e ka publikuar së fundi në faqen e vet në Facebook.

Postimi është pjesë e një teksti të publikuar para tetë vjetëve në gazetën “Koha Ditore”. Ky postim, njëlloj si disa postime të tjera për Festivalin, të publikuara në këtë gazetë ndër vite, janë një e dhënë se çfarë kanë në mendje këtë vit organizatorët e njërit prej ngjarjeve me të rëndësishme kulturore në kryeqytet, shkruan sot Koha Ditore.

Drejtori artistik i “DAM”-it, Dardan Selimaj, ka thënë se publiku dhe Prishtina do jenë dëshmitarë të një edicioni që në një pjesë të tij do të tentojë të sjellë rrugëtimin që festivali ka bërë. Edicioni i 15-të do të jetë një retrospektivë e momenteve nostalgjike, por edhe e sfidave të vazhdueshme. Natyrisht, me koncerte premierë e me alamet artistësh nga vende të ndryshme.

Ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi duhet që të nënvizojnë në agjendat e tyre datat prej 24 deri më 28 mars, më 6 e 7 prill, kur edhe zhvillohen aktivitetet e edicionit të sivjetmë. Nën emocionet e retrospektivës drejtori artistik, Selimaj, ka veçuar faktin se “DAM-i” ndër vite ka mbështetur e prezantuar muzikantë të rinj që sot gëzojnë reputacion ndërkombëtar. “Për këtë ndihemi mirë dhe shpresoj që kjo të vazhdojë edhe në vitet që na presin”, ka thënë ai.

Por, kjo është vetëm një shtyllë e këtij edicioni, pasi që 15-vjetori i “DAM-it” përkon me 250-vjetorin e lindjes së gjeniut të muzikës klasike, kompozitorit gjerman Ludwig van Beethoven. Për këtë arsye, edicioni i sivjetmë siç ka thënë Selimaj, do ta ketë vulën e krijimtarisë së tij.

“Jemi të lumtur që muzikën e tij do ta kemi prezente përmes disa solistëve dhe ansambleve të dalluara si: violinisti Tedi Papavrami e pianisti Fraçois Frederic-Guy, ansambli ‘Wiener Kammersymphonie’ e pianisti Mennan Bërveniku”, ka thënë ai.

Ansamblin vjenez “Wiener Kammersymphonie” dhe pianisti i mirënjohur kosovar Mennan Bërveniku, i cili rikthehet në “DAM” pas 10 vjetësh, do të bëjnë hapjen e edicionit të sivjetmë. Ansambli, përveç disa veprave të kompozitorëve bashkëkohorë do të interpretojë edhe “Simfoninë e tetë” të Beethovenit, e bashkë me pianistin Bërveniku, “Koncertin e tretë për piano” të Beethovenit që në epokën e muzikës klasike konsiderohet figurë kryesore e tranzacionit në mes të klasicizmit dhe romantizmit.

Por, edicioni i sivjetmë nuk përfundon me kaq.

Festivali brenda listës së objektivave të sivjetshme ka edhe prezantimin e muzikës bashkëkohore dhe muzikës që burim inspirimi e ka muzikën e vjetër nga Lindja e Mesme e deri tek Evropa Qendrore. Selimaj, i cili për gazetën ka zbuluar disa nga emrat e interpretuesve ka thënë se ky edicion do të rikthejë edhe kolektivin nga Holanda “Oerknal!”, i cili për herë të dytë do të jetë ansambli rezident i festivalit. “Oerknal!” është kolektiv unik i cili eksperimenton me modele të reja të interpretimit të muzikës dhe fokus ka muzikën bashkëkohore.

“Në disa mbrëmje do të sjellim prezantimin e muzikës minimaliste dhe në disa të tjera do të promovojmë instrumentet me të goditur (perkusione), të cilat nuk trajtohen njëlloj sikurse instrumentet e popullarizuara. Do të kemi mundësi të dëgjojmë edhe tingullin e ney-iy e të kanun-it që bartin tingull oriental, por të trajtuara në kontekstin bashkëkohor”, ka zbuluar ai. Meloditë orientale do të vijnë përmes koncertit të trios “Tanini” nga Turqia, e cila përbëhet nga Tahir Aydoğdu (kanun), Bilgin Canaz – ney (fyell i mbyllur) dhe Burçin Büke (piano). Aydoğdu është i njohur për gërshetimin e muzikës klasike turke me jazzin perëndimor e me nota të kanunit. Gjurmët e këtij instrumenti mund të gjenden që në Greqinë antike, por edhe më herët. Në anën tjetër, Canaz luan në ney, një prej instrumenteve më të vjetra që ende përdoren e përmes të cilit u jepet një përjetim i veçantë kompozimeve që sjell së bashku me trion.

Duke kujtuar këtë rrugëtimin 15-vjeçar të “DAM”-it si pasuri kulturore e Kosovës, Selimaj ka thënë se festivali ka shërbyer si platformë e shumë muzikantëve të rinj ta sprovojnë veten, para se të ballafaqohen me konkurrencën e ashpër jashtë vendit. Në të njëjtën kohë, ai ka thënë se u ka shërbyer edhe për të lidhur dhe krijuar mundësi depërtimi jashtë vendit.

“Së fundi, përveç instrumentistëve, DAM-i nga viti i shkuar ka nisur një mision tjetër afirmimi e veprave të kompozitorëve të vendit dhe Ballkanit me themelimin e Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë (BCCP). Viti i ardhshëm (2021) do shënojë edicionin e dytë dhe në vitet në vazhdim, kjo do të jetë ambicia kryesore”, ka thënë Selimaj. Sipas tij, vetëm një vit pas themelimit të BCCP-së, sidomos muzikantët e Ballkanit e shohin “DAM”-in si promotorin e muzikës bashkëkohore dhe Prishtina ka potencial të jetë pikë referente për muzikantët e kohës. Por, ai ka potencuar se institucionet duhet të ndryshojnë strategjinë për mbështetjen e ngjarjeve kulturore dhe skenës së pavarur.

“Në këta 15 vjet nuk është se ka ndryshuar gjë, kanë lëvizur disa gjëra të vogla, por kështu si është e ardhmja e skenës së pavarur është e turbullt. Infrastruktura është mangësia kryesore. Sallat, galeritë, kinematë – këtyre duhet kushtuar rëndësi të veçantë”, ka thënë ai. Për të, rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë. Ka thënë se skena e pavarur në mënyrë të vazhdueshme ka hasur në individë të cilët me vendimet e tyre edhe kanë dashur ta shkatërrojnë këtë skenë, edhe ashtu të vogël.

“Kjo nuk është arritur, megjithatë nuk e kisha menduar para 14 vjetësh që edicioni i 15-të do të zërë vend në Sallën e Kuqe, aty ku nisi i gjithë ky rrugëtim, e gjendja e asaj salle do të ishte më e mjerë sesa 15 vjet më parë, kur konsideronim se më keq se aq, nuk mund të bëhej”, ka thënë ai. Sipas tij, nevoja për t’i rinovuar hapësirat ekzistuese është po aq e rëndësishme sa krijimi i hapësirave të reja. E kur është fjala te përzgjedhja e lokacioneve, ndër vite “DAM” ka befasuar me përzgjedhjet e saj, të cilat mbrapa vetes shpeshherë kanë bartur edhe një mesazh. Është theksuar edhe nevoja e Prishtinës për të pasur një sallë koncertale e cila ende mungon. Në mungesë të saj, sivjet “DAM” do të shfrytëzojë hapësirat nëpër të cilat ka mbajtur koncerte gjatë këtyre 15 vjetëve si Salla e Kuqe, Atelieja e Pallatit të Rinisë, teatri “Oda”. Apo këtyre hapësira u rikthehet edhe si një thirrje që institucionet të mos presin që ato të degradohen edhe më.

Posteri i edicionit të sivjetmë – i veçantë sikurse edhe ato të edicioneve të kaluara, të cilët edhe kanë fituar çmime – përbëhet prej ca formave disi të çrregullta gjeometrike, ngjyrat të llojllojshme floroshente. Janë 15 forma, aq sa ka vjet DAM-i, që kapërthehen me njëra-tjetrën. Duken si një vepër shumëngjyrëshe arti, bash sikurse ngjyrat muzikore që ka sjellë “DAM”, e do ta bëjë këtë edhe në pranverën e sivjetme.