Në esencë është një rrëfim dashurie, që çon te konstatimi se lumturia përbëhet nga gjërat e vogla. Mimoza Veliu, me romanin e parë të saj “Dallga e dytë” – i përuruar të martën në kafe-librarinë KOHA – ecën nëpër shtegun e përditshmërisë, e lexuesin e çon në Maldive. Vepra e saj është çmuar për elegancën e stilin e veçantë
Disenjatorja e fotografja Mimoza Veliu do të merrte rrugë nga Berlini për t’ia mësyrë arkipelagut me nam botëror, Maldive. Qëllimin e kishte të qartë: të realizonte një film të shkurtër në ishujt e Oqeanit Indian. Skenari që kishte shkruar, kërkonte që të bëheshin edhe xhirime në thellësi të ujit. Por shkaku i një lëndimi, skenari do të ngelte vetëm në letër. Por Veliu nuk hoqi dorë. Veç ndërroi zhanrin. Ia behu të shkruante një roman.
“Dallga e dytë” është promovuar të martën në kafe-librarinë KOHA në Prishtinë si vepra më e re që del nga Botimet KOHA.
Redaktuar nga Ela Wamsler dhe Majlinda Bregasi, vepra sjell një frymë të re shkrimi në prozën shqipe, të paktën sipas bashkëredaktores. Në radhë të parë romani që shpalos rrëfim dashurie.
Në 115 faqe personazhi kryesor rrëfehet në vetën e parë me një gjuhë sa të thjeshtë as edhe të pasur për të shpalosur tregimin që vjen si një mozaik i përditshmërisë.
Te “Dallga e dytë” autorja, që tash e më shumë se dy dekada jeton në Berlin dhe merret me artin e fotografisë e të dizajnit, ka provuar për herë të parë prozën. Por sipas botueses Flaka Surroi dhe bashkëredaktores Majlinda Bregasi, ajo ka goditur në shenjë.

Botuesja Flaka Surroi, njëherësh drejtoreshë menaxhuese e Grupit KOHA, ka thënë se bëhet fjalë për një promovim të jashtëzakonshëm, pasi autorja ka ardhur nga Gjermania e njëra nga redaktoret nga Italia.
“Po e promovojmë një libër të veçantë, një libër dashurie, veprën e parë të autores. Mimoza është e njohur si disenjatore e si fotografe. Këtu është sprovuar me shkrim. Libri është shumë i lezetshëm. Është një përshkrim shumë interesant dhe një zhvillim i një rrëfimi dashurie që përfundon me ‘happy end’”, ka thënë Surroi.
Bashkëredaktorja Majlinda Bregasi ka thënë se do të flasë më shumë për elegancën me të cilën është shkruar libri. Ka treguar se për herë të parë autoren e ka takuar të hënën mbrëma dhe kur ka marrë vesh se ajo është nga Tetova është gëzuar, pasi sipas Bregasit, për fajin e saj, nuk njeh ndonjë prozatore tjetër nga Tetova.
“Pse libri është i veçantë? Kur e fut në kontekstin e asaj që shkruhet sot në letërsinë shqipe, ky libër vërtet dallon, sepse është larg atij patosit të atyre temave të mëdha heroike e patriotike. Jo përse këtu nuk ka një temë të madhe. Por ajo temë e madhe është e shkruar me një elegancë e butësi, që në fund të çon tek ideja që vërtet lumturia përbëhet nga gjërat e vogla e jo nga të mëdhatë”, ka thënë Bregasi.
Ajo ka thënë se vepra është një dramë e fortë që lexuesi do ta zbulojë nëpërmjet një gjuhe të butë.
“Me një gjuhë sa elegante e të stilizuar që e çon lexuesin deri te pranimi i të gjithë tregimit dhe në fund vjen tek ajo se jeta është e tillë dhe si e tillë duhet jetuar. Sensibilitetin e Mimozës si artiste do ta ndieni edhe në libër”, ka thënë Bregasi.

Vetë autorja Mimoza Veliu fillimisht ka shpalosur rrugëtimin e saj nga Tetova për në Gjermani. Ka thënë se më 1999, pas luftës në Kosovë, ishte shpërngulur nga vendlindja për në Prishtinë me synimin që të niste punën në të përditshëm “Koha Ditore”. Por pasi ishte pranuar në punë si gazetare, do të vazhdonte rrugëtimin për në Gjermani.
“Ne të gjithë e kemi një të përbashkët të çmuar: dashurinë për librin pasi duam të shkëputemi nga përditshmëritë tona”, ka thënë Veliu, e cila në studion dhe galerinë e saj “JAMMIN” kuron ngjarje të ndryshme muzikore, të letërsisë dhe të artit vizual. Sipas saj, në Ballkan ka shumë faktorë të jashtëm që e definojnë përditshmërinë dhe aspak kohë për t’u marrë me vetveten, ndërkohë që në vendet perëndimore mungojnë shumë faktorë të jashtëm dhe kjo bën që të drejtohet koka gjithnjë te vetvetja.
“Ne që jetojmë midis dy kulturave, gjendemi në mes”, ka thënë autorja që është edhe laureate e çmimit “Gjon Mili” për fotografi. Sipas saj, libri “Dallgë e dytë” është shkëputje nga përditshmëria dhe afrim te vetvetja. Sipas përshkrimit që i është bërë veprës, Julia si një grua e suksesshme në sipërmarrje, por shpirtërisht e shkatërruar rikthehet në Maldive për t’u përballur me të kaluarën e saj. Përhapja e koronavirusit do t’i ndërronte planet e saj dhe izolimi do të bënte që t’i hapet një dimension i ri.
“Kur të filloni të lexoni romanin, do të shikoni që figura kryesore ka një dhimbje të madhe në jetën e saj, por arrin të gjejë edhe fuqitë që ka në vetvete për të menaxhuar përditshmërinë. Në fund të librit do të hapet një dritare e re që do t’i sjellë asaj rreze dielli pa fund”, ka thënë autorja e veprës që ishte në konkurrencë për shpërblimin vjetor për letërsi “Rexha Surroi” për vitin e kaluar.