Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ç’gjuhë është kjo?!

Jetoj në Gjermani tash e tridhjetë vjet. Ne që jemi në diasporë gjithmonë jemi me sy nga vendlindja, të cilën e kemi mall. Gjithmonë të etur për vendlindjen, ekranet televizive i mbajmë të hapura, përmes të cilave përcjellim çdo lëvizje që ndodh atje, shkruan në një reagim drejtuar Koha.netit, Makfire Hajdari - Kurteshi.

Ne në diasporë, vazhdon reagimi, përpiqemi që edhe fëmijët tanë (shumë prej tyre kanë lindur larg atdheut të prindërve) t’ua mbajmë kureshtjen gjallë për Kosovën , duke i nxitur t’i përcjellin emisionet televizive në mënyrë që, sado pak , të “takohen” e të mësojnë veshin me gjuhën shqipe. Por, për habinë tonë në to shqiptohen e dëgjohen aq pa nevojë dhe pa përgjegjësi fjalë e shprehje të huaja sa është e vështirë të gjenden shpjegime, kuptohen motivet e aq më pak të arsyetohet kjo. Të thuhet se e urrejnë shqipen vështirë të besohet, duket se e bëjnë nga komplekset, pra që të duken më “anglezë” se anglezët, meqë ato i mbulojnë fjalët shqipe, sa që ndonjëherë duhet të përdorësh fjalorin që të marrësh vesh se për çfarë bëhet fjalë, shkruan Makfirja.

Me këtë rast nuk dua të merrem me gjuhën e folur në ekran, sepse nuk e ndiej veten kompetente. Për këtë mund të flasin e shkruajnë ata që kanë njohuri (akademike) gjuhësore, të cilët (për çudi) nuk ndihen të gjallë. Fjalën këtu e kam për tituj emisionesh e rubrikash televizive jo vetëm me seli në Prishtinë, por edhe gjithandej në Tiranë.

Tashmë (siç i shohim përmes rrjetit satelitor) kemi shumë qendra televizive, por që të gjitha, sikur të ishin marrë vesh njëra me tjetrën, përdorin tituj emisionesh kryesisht nga gjuhë të huaja. Ne, por jo vetëm ne në diasporë, por besoj se edhe atje në Kosovë e kudo ku flitet shqipja, e kemi vështirë t’u shpjegojmë fëmijëve pse ndodh kështu. Duke i përcjellë emisionet, kam shënuar disa nga titujt që më duken absurd, p.sh: Live, News, Live News, Bon-Bon, Target, Click, Codex, Double Trouble, Vazzu, Klan Kids, Flash News, Pressing, New Story, Voyjage, Sportalk, Cosmo, etj. etj. Po e lë me kaq shembuj, ndonëse ka edhe këso ka edhe të tjera. Pyes pse ndodh kështu? Pse injorohet gjuha shqipe, pasi që për çdo titull, që i shënova më sipër, mund të përdoret gjuha shqipe. Nuk bëhet fjalë për shprehjet teknike ku do të jetë më e vështirë të gjenden fjalë adekuate. Çudi pse heshtin specialistët e gjuhës, gardianët e saj, përfundon reagimin Makfirja.