Njeriu në këmbë në foton e parë është presidenti amerikan Woodrow Wilson, për të cilin historianët bien dakord se e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi në vitet 1919-20. Është, si të thuash, Skënderbeu amerikan i shqiptarëve.
Presidenti ka dalë në Uashington në vitin 1915 me dhëndëri, Francis B. Sayre Sr. dhe nipin e porsalindur.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë kohën kur u bë kjo foto, as presidenti Wilson dhe as dhëndëri i tij nuk e kishin menduar se do të kishin të bënin ndonjëherë me vendin e largët të quajtur Shqipëri, shkruan Ilir Ikonomi.
Kur Sayre studioi më vonë në Universitetin e Harvardit, qëlloi të kishte shok klase Kostë Çekrezin (1892-1959) nga Ziçishti i Korçës.
Çekrezi kishte qenë editor i gazetës ‘Dielli’ në Boston, para se të shkonte në Harvard. Më vonë u emërua profesor në Uashington, u kthye në Shqipëri për të punuar si gazetar dhe u bë kundërshtar i Mbretit Zog. Në vitin 1935 u arratis nga Shqipëria si pjesëmarrës i një rebelimi kundër mbretit dhe përfundoi në Francë.
Për t’u kthyer përsëri në Amerikë i duhej vizë, prandaj në janar 1936 i shkroi letër ish-mikut të Harvardit, Francis B. Sayre, i cili tani punonte si ndihmës-sekretar i Departamentit të Shtetit. Në atë kohë, presidentit Wilson nuk jetonte më.
Letrën e Çekrezit e hasa në arkivin amerikan dhe më tërhoqi vemendjen kjo pjesë ku ai i kujton ish shokut të klasës se si ishin njohur në Harvard në vitin 1918:
“Në atë kohë, ju patët mirësinë të shfaqnit interesim për çështjet shqiptare në një shkallë të tillë, saqë me vullnetin tuaj morët përsipër të flisnit me Presidentin e ndjerë Wilson dhe, më besoni, ndërhyrja juaj ishte mjaft e dobishme.”
Nuk dihet se sa mund të ketë ndikuar miqësia e Çekrezit me shokun e tij të Harvardit që Wilsoni të njihej me çështjen shqiptare në vitin 1918, kur Lufta e Parë Botërore ishte në mbarim e sipër.
Por, në atë kohë, shqiptarët e Amerikës bënin përpjekje që fjala e tyre të binte në vesh të presidentit amerikan, me shpresën se ai do ta ndihmonte Shqipërinë të ruante kufijtë e saj në negociatat e paqes, të cilat pritej të fillonin në Paris në vitin 1919.
