Kulturë

Çeku: Projektligji për kinematografinë e shpall filmin sektor me interes publik

Hajrulla Çeku

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, të premten, në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë, ka folur për Projektligjin për kinematografinë, të cilin e ka miratuar Qeveria. 

Sipas Çekut, ky projektligji është dokument i rëndësishëm për reformën e përgjithshme në sektorin e kulturës. 

“Vendimi i parë është miratimi i Projektligjit për kinematografinë, një dokument i rëndësishëm për reformën tonë të përgjithshme në kulturë, por i rëndësishëm edhe për komunitetit dhe i shumëpritur nga kineastët e Kosovës. Prej sot Projektligji për kinematografinë niset në Kuvend për procedurë parlamentare”, ka theksuar Çeku.

Ai ka thënë se ky projektligj e shpall filmin si sektor me interes të veçantë publik.

"Kjo ndër të tjera nënkupton më shumë financim, më shumë buxhet, për filmin në Kosovë. Gjithashtu Projektligji parasheh krijimin e kushteve për ekonominë kulturore në vendin tonë, konkretisht, tërheqjen e investimeve të huaja në film, përmes sistemit të rabatit ose me fjalë të tjera rimburësimit të investimeve të huaja në film. Formula që ofron ligji është që kushdo që nga producentët e huaj investon për të realizuar një film në Kosovës, 30 për qind e atij investimi do t’i rimburësohet produksionit, ka theksuar Çeku. 

Ai ka thënë se më këtë Projektligj parashihet edhe krimi i rrjetit të kinemave publike të Kosovës. 

Çeku ka folur edhe për vendimin e Qeverisë për miratimin e Koncept-dokumentit për rininë, i cili sipas tij hap rrugën për reformë të plotë në sektorin e rinisë. Sipas Çekut, kjo do të bëhet me hartimin e Ligjit të ri për rininë dhe Strategjisë për zhvillimin e rinisë, të cilat ka thënë se do të finalizohen në vitin 2024.