Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Carmen” në lëvizje për arratisje drejt lirisë

Duket si një vrap para grilave. Kjo pamje vazhdon derisa publiku zë vend. Kur fiken dritat në sallë dhe gjithçka është gati të fillojë shfaqja, balerinët futen në kafazet e hekurt. Tashmë krejt i ngjan burgut. Dalja prej aty vjen si arratisje. Kështu qysh në fillim merret vesh se bëhet fjalë për një “Carmen”, që në këtë version rrëfimin origjinal e bën periferik.

Ata që e presin si histori ku dy meshkuj mundohen të rrëmbejnë zemrën e një femre dhe epilogu është vdekja e saj – ashtu siç edhe është inskenuar shumë herë kjo shfaqje nëpër botë – nuk e gjejnë këtë. Skenat e lojës në çift e solo – ku në premierën e Baletit Kombëtar të Kosovës të enjten, Carmen është luajtur nga Teuta Krasniqi, Jose nga Sinan Kajtazi, Destiny nga Fatmir Smani e Toreador nga Sead Vuniqi – vijnë si luftë për liri individuale e për dashuri, shkruan sot Koha Ditore.

Por në tërësi lufta për liri dominon. Në skenat kolektive ku koreografja ruse që jeton në Lyon të Francës, Natalia Osipova, bën bashkë klasiken me modernen, sfida për të arritur lirinë nuk është e lehtë. Gjatë skenave, ku ndërrohen jo pak kostume, futja e dalja nga kafazet është aktivitet i vazhdueshëm. Krejt shfaqja që zgjat një orë e 20 minuta, vërtitet përballë burgut individual e kolektiv.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Artikuj të ngjashëm