Berlin, 10 prill - “Hitleri ka vdekur, por ne jemi gjallë”, deklaron David Bermann, për t’i motivuar partnerët e tij të rinj të biznesit, në fillim të filmit “Bye Bye Germany” nën regji të Sam Garbarskit. Para luftës, Bermann, një personazh fiktiv që portretizohet nga aktori Moritz Bleibtreu, kishte udhëhequr një kompani të suksesshme të çarçafëve me vëllezërit e vet në Frankfurt, shkruan DW, transmeton sot “Koha Ditore”.
Tani, që lufta ka përfunduar, ai dëshiron t’i kthehet përsëri biznesit, por ai është i vetmi i mbijetuar në familje. Meqenëse nuk mund të marrë licencën për biznes, ai niset të gjejë partner te hebrenjtë e mbijetuar te kampi i Frankfurtit për persona të zhvendosur. Ky është rrëfimi i “Bye Bye Germany”, një komedi për hebrenjtë e pasluftës në Gjermani. Përqeshja me Holokaustin, Hitlerin dhe nazistët, gjithmonë ka qenë një lëvizje delikate. Në këtë rast, regjisori Sam Garbarski ia ka dalë të kombinojë humorin dhe tragjedinë nëpërmjet filmit. Vepra është inspiruar nga dy romane gjysmautobiografike të shkruara nga Michel Bergmann, i cili gjithashtu ka ndihmuar regjisorin ta shkruajë bashkë me të skenarin e filmit. Bergmann ka dy arsye për ta rrëfyer këtë histori.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kam dashur të bëj një homazh për xhaxhanë tim, David, i cili ishte një rrëfimtar i mrekullueshëm i shakave. Arsyeja tjetër është që deri vonë nuk ka pasur romane apo filma që flisnin për të mbijetuarit hebraikë të Holokaustit që kishin qëndruar në Gjermani pas luftës”, ka thënë Bergmann.
“Është sikur një hapësirë e zezë në kujtesën kolektive të Gjermanisë”, ka shtuar ai. Sapo kishte lexuar romanin, Garbarski e kishte ditur që dëshironte ta bënte një film për personazhin e “The Traveling Salesman” të Bergmannit.
“Nuk mund të ndaloja së lexuari librin - e kam lexuar brenda një nate dhe një gjë e tillë më ka ndodhur shumë rrallë në jetën time. E kisha ndjenjën që po notoja në një nga tenxheret e supës që bënte në shtëpi nëna ime”, ka thënë regjisori për ta ilustruar sesi menjëherë ishte familjarizuar me personazhet dhe gjithë universin e librit. Rrëfimi i romanit në të cilin është bazuar filmi, “The Traveling Salesmen”, është kombinuar edhe me elemente të një tjetër libri që ka shkruar Bergmann e që titullohet “Machloikes”. Ky libër flet për një hebre që ia kishte dalë të mbijetonte kampin e përqendrimit falë aftësive të jashtëzakonshme të të rrëfyerit të shakave.
“Bye Bye Germany” portretizon periudhën menjëherë pas kolapsit të Gjermanisë, duke u fokusuar në rolin e humorit hebraik, që bëhet një simbol i mbijetesës.
“Humori i hebrenjve jodomosdo ishte aq qesharak: në vend të kësaj ishte filozofik. Është sikur një medicinë e mbijetesës”, ka thënë Garbarski. Disa mund ta kritikojnë filmin që fokusohet shumë në elementet e humorit, por sidoqoftë kjo komedi e re ofron një portretizim argëtues për një kapitull pak të njohur, mbi historinë e pas luftës të hebrenjve të Gjermanisë. “Bye Bye Germany” ka nisur të shfaqet në kinematë gjermane nga 6 prilli.