Qëllimi është që të bashkëjetohet me një të burgosur. Zyrtarisht loja e aktorëve në shfaqjen “Burgu politik – Në kujtim të Adem Demaçit dhe Ukshin Hotit”, që është dhënë premierë të hënën mbrëma, nis kur hapet dera e qelisë dhe aktori i zhveshur nga beli e lart e këmbëzbathur futet brenda. Aktorët e publiku bëhen një me rrëfimet e përjetimet e të burgosurve
Publiku duhet të presë në hapësirën e parë që është ngjitur me portën hyrëse të ish-Burgut të Prishtinës, tash muze. Në orën e caktuar numërohen krejt të pranishmit dhe jepen instruksione për të vazhduar. Realisht aty edhe fillon shfaqja “Burgu politik”. Ecja nëpër labirinte për të shkuar te qelitë del përtej ndjesisë së një shfaqjeje. E secili grup sistemohet nga gardiani. Realisht krijohet përshtypja se publiku burgoset. Dera e qelisë mbyllet me përplasje. Vetë qëndrimi aty për disa minuta është shfaqje më vete. Hapësira e ngushtë, errësira, kundërmimi në një ambient të tillë jep ndjesinë e burgut real.
Qëllimi është që të bashkëjetohet me një të burgosur. Zyrtarisht loja e aktorëve në shfaqjen që është dhënë premierë të hënën mbrëma nis kur hapet dera e qelisë dhe aktori i zhveshur nga beli e lart e këmbëzbathur futet brenda. Nga gardiani ai e në një rast ajo përplasen për dyshemeje.
Gjëmimi që nxjerrin është i atyre njerëzve që plakin ditën, natën, javët e vitet në burg.
Historia e Kosovës në ish-Jugosllavi, midis të tjerash, kap edhe mbi 9 mijë të burgosur politikë. Dy prej tyre – që njihen edhe ndërkombëtarisht – janë Adem Demaçi, fitues i çmimit të Parlamentit Evropian “Sakrahov” dhe profesori universitar Ukshin Hoti. Shfaqja i është kushtuar dyshes, por duke qenë si homazh edhe për krejt të tjerët. Demaçi pak pa bërë tri dekada burg doli i gjallë prej aty. E Hoti, që edhe në kohën e luftës 1998-1999 po mbahej nga regjimi serb në Burgun e Dubravës, sipas propagandës serbe, u lirua, por u zhduk. Një pjesë e madhe e të burgosurve të tjerë u vranë.

Nën regji të Kaltrim Balajt dhe Kushtrim Mehmetit, “Burgu politik” me nëntitull “Në kujtim të Adem Demaçit dhe Ukshin Hotit” futet te përjetimet e të burgosurve. Publiku bashkëjeton për më shumë se një orë e gjysmë me të burgosurit. Në qeli aktorët ndërrohen herë pas here e secili ka rrëfimin e vet.
“Urime, të ka vdekë nana!”, është një prej kumteve që u vjen të burgosurve. Aty edhe citohet një rrëfim i desidentit Adem Demaçi.
“Nana Nazife vdes, por nana Shqipni do të jetojë. Kapju nanës Shqipni”, thuhet disa herë. Është një prej kujtimeve që Demaçi, i cili vdiq në vitin 2018, e tregonte shpesh kur fliste për nënën e tij.
Torturat e rrëfimet e bëjnë publikun të përlotet shpesh. Ambienti është ideal. Tamam burg e qeli. Qëllimi i dyshes së regjisorëve, por edhe i dramaturgëve Pashtrik Brahaj dhe Florent Kurtalani, është që publiku të bashkëndiejë me të burgosurit. Dhe kjo arrihet krejt në fillim.
Mehmeti ka thënë se shfaqja ka marrë jetë nga vepra “Dashuria Kuantike e Filanit” e shkrimtarit Adem Demaçi e po ashtu edhe nga jeta e vepra e Ukshin Hotit. Ka përmendur edhe letërkëmbimet e Hotit me të motrën, Mirveten. Si ekip kanë mbledhur e trajtuar dorëshkrime, rrëfime, intervista e dokumente duke i shndërruar në “një teatër jokonvencional që vjen përmes asociacioneve e formave teatrore, por bazohet në të vërteta e histori”.
“Të burgosurit politikë flasin pak dhe shpeshherë nuk e kanë vendin e merituar në historinë tonë”, ka thënë ai. Ka shtuar se përpjekjet e guximi i tyre pa kërkuar asgjë në kthim janë dhe duhet të jenë në piedestalin e lirisë. Shfaqja çon publikun nëpër skajet e përjetimeve të të burgosurve. Por, ideali i tyre i fortë bën që ata ta marrin veten. Nuk e harrojnë asnjëherë arsyen përse janë brenda qelive. E ajo i kalit edhe më që ta vazhdojnë luftën.
“Burgu i idealit” mban titullin edhe ekspozita e përkohshme që është hapur më 12 korrik duke bërë që kjo qendër e dikurshme e paraburgimit të rihapë dyert për vizitorë pas dy vjetësh.
Bashkë me aktorët edhe publiku zhvendoset në shëtitore. Aty jepen skena ku të burgosur duhet pastruar e dikur edhe qerasen me nga një cigare. Është një inskenim i asaj që është përjetuar në Burgun e Dubravës pak para se policët serbë në maj të vitit 1999 të bënin masakër mbi shqiptarët. Me mashtrimin se po lirohen ishin bërë tok e pak më pas qenë pushkatuar.
Bashkëregjisori Kaltërim Balaj ka thënë se kanë bërë goxha hulumtime paraprakisht. Ka treguar se është dashur të thellohen në mënyrë që të krijojnë ndjeshmëri ndaj temës.
“Qëllimi i kësaj shfaqjeje është që ‘Burgut të idealit’ që është shndërruar në muze, t’i jepet shpirt e zë, të kthehet historia jo vetëm përmes hapësirës, por edhe përmes historive të personave në fjalë”, ka thënë ai.
Në shëtitore të shtënat vrasin të burgosur e flaka ia qet majën masakrës. Aktorët: Fitore Jashari, Mikel Markaj, Shaban Behramaj, Art Pasha, Blendon Ahmeti dhe Lorent Pacolli, shtrihen në tokë në skenën e fundit. Muzika e kompozuar nga Lulzim Lushtaku ia shton ndjesinë krejt ambientit. Për të rinjtë krejt kjo është njëfarë plotësimi i asaj që kanë dëgjuar.
“Unë e kam pasur axhën në burg dhe rrëfimet e tij nuk janë të shumta. Zakonisht hesht. Por, ato pak që ka treguar sonte i kam plotësuar me pjesët e tjera”, ka thënë Arbnor Gashi. “Burgu politik – Në kujtim të Adem Demaçit dhe Ukshin Hotit” – e mundësuar nga organizata ETEA me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – pritet të udhëtojë edhe në hapësira të tjera. Por, nëse del nga burgu do t’i mungojë pjesa më përmbajtjesore e mesazhi bashkë me ndjesinë do të zbehen.