Kulturë

Botuesit e libraritë fuqizojnë ofertat për lexuesit e izoluar

Edon Zeneli ka disa ditë që nuk ka dalë në librarinë “Buzuku”, e cila gjendet në sheshin “Edit Durham” në kryeqytet. Mirëpo kjo nuk e ka ndalur atë që të komunikojë me dashamirët e librit.

“Një vizitë viruale”, e ka quajtur ai bisedimin në rrjetet sociale me ata që janë të interesuar për të bërë porosi online. Por këtë formë komunikimi janë duke e përdorur edhe libraritë e botuesit e tjerë në kryeqytet.

Në situatën e krijuar – kur njerëzve u është kërkuar që të qëndrojnë në shtëpi e libraritë janë mbyllur si pasojë e masave të marra nga Qeveria për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19 – libri po del të jetë zgjedhje e mirë për të shtyrë disa orë. E Botimet KOHA mund të jenë një mundësi.

Edon Zeneli, njëherësh kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka thënë se gjatë viteve të fundit me një dinamikë gjithnjë e më të madhe njerëzit e shohin të arsyeshme t’i porosisin librat duke u shkruar në faqen e tyre. 24 orë u duhen atyre që librin ta dërgojnë në duart e lexuesve. Sipas tij, në situatën e krijuar, ky është një veprim i arsyeshëm.

“Tash, me karantinimin e njerëzve, e pamë të arsyeshme t’u qëndrojmë afër dhe t’u shërbejmë, sepse shumë njerëz dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë kohë për të lexuar. Jo vetëm shëndeti fizik ka rëndësi, duhet të përkujdesemi edhe për shëndetin mendor”, ka thënë ai.

Sipas tij, njerëzit duhet të mbajnë distancë fizike, por njëkohësisht edhe libraritë duhet që të përshtaten dhe t’u qëndrojmë afër lexuesve.

“Le ta përdorim këtë kohë si një mundësi të mirë për të lexuar gjithë ata libra që kemi pasur shumë dëshirë t’i lexojmë, por jemi ankuar se nuk na premtonte koha. Vërtet izolimi na ka ardhur si detyrim, por mënyrën se si e përdorim këtë, varet nga ne. E ku më mirë se leximi. Shëndeti mendor, e them prapë, është po aq i rëndësishëm sa shëndeti fizik”, ka thënë ai.

Ka përmendur disa tituj që mund të lexohen gjatë këtyre ditëve si “Forca e faktit” nga Hans Rosling, një libër që ka bërë bujë në botë për ndikimin pozitiv që e ka në botëkuptimet e njerëzve.

“Anash këtij, meqë kjo gjendje na determinon ndërrimin e shprehive, ‘Fuqia e shprehisë’ nga Charles Duhigg është po ashtu një nga veprat që sugjerojmë. Duhigg, fitues i çmimit “Pulitzer”, na mëson se si t’i ndërrojmë shprehitë e këqija për shprehi të mira me dhjetëra raste studimi. ‘Inteligjenca emocionale’ nga Daniel Goleman është një nga veprat që propozojmë, e cila flet pikërisht për bazën emocionale dhe rëndësinë e të kuptuarit të vetes dhe tjetrit emocionalisht, para së gjithash”, ka sugjeruar Zeneli.

Artikullin e plotë mund ta lexoni sot falas në Kohën Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.