Unike janë veprat e Skender Boshnjakut, ashtu siç janë edhe veprimtaria e profili i tij si neuropsikiatër, kritik, studiues i grafiteve dhe jo vetëm. Në ekspozitën e dytë personale, ai shpalos botën e tij. Dhe ajo është në rreth. Në fakt, titulli “Bota ime në rreth” është antagonizmi i asaj që frymon në artin e tij. Sepse Boshnjaku e çan rrethin e izolimit dhe e fton publikun ta bëjë këtë
Një artist e neuropsikiatër si Skender Boshnjaku gjithsesi se do ta fuste botën e tij në rreth. Në jetën e tij ka gjurmuar shumë më shumë përjetime duke shëruar plagë shpirtërore. Edhe të tijat. Rrethin e koncepton përtej kuptimit si figurë gjeometrike. Si izolim ku mbyllet hermetikisht pozitivja, përkundër fatkeqësive të botës. Me ekspozitën “Bota ime në rreth”, autori Boshnjaku me art “shëron” duke e thelluar publikun në rrathët e pikturave të tij.
Terapi ka qenë madje edhe ngjarja e hapjes së ekspozitës së dytë personale të autorit që gjatë jetës ka bartur peshën e rëndë të profesionit. Publiku i mbledhur të enjten pasdite për të parë punën e Boshnjakut në këtë rast rrethohet dyfish: në vështrim të veprave dhe në galerinë “Hani i Dy Robertëve”. Të shumtë kanë qenë të mbledhurit aty, që fillimisht janë takuar me pikturat e artistit. Ka qenë si festë, ku është kremtuar vepra e tij si shërim me art.
Janë punime me dimensione të vogla ku forma e rrethit vjen e para në shprehje. Brenda tyre duket se buron një botë përplot harmoni e gëzim. Është bota e një bote paralele. Përplot ngjyra. Aty janë përjetimet e fëmijërisë së tij, freskia e jetës.
Rrethi në disa vepra është shumë më i përforcuar e më i theksuar. Në disa, shtresohet lehtë, pak e ndajnë nga sfondi i zymtësisë. Në një pjesë tjetër rrethin figurativ të jetës e krijon qenia e njeriut si mburojë ndaj së keqes.

Në të tjera ngjyra e sfondit dhe atij brenda rrethit nuk dallon dhe krijon idenë e lulëzimit, përkundër tragjedive të jetës. Vetë artisti me art e distancon forcën e dhimbjen. Bota e tij është brenda rrethit, fatkeqësia jashtë tij. Kjo e para, sipas tij, është në kundërshtim me botën reale.
“Përpjekja ime e gjatë në imagjinatën time, ringjalljen time fëmijërore, ëndrrat e mia të dikurshme fëmijërore i fus në një rreth për të krijuar një botë që është në kundërshtim me botën përreth. Njëkohësisht kam tentuar që në botën time të përfshij edhe universet e tjera të të gjitha kontinenteve, orientimeve. Në botën time të lidh edhe mekanizmat tonë me familjen e universit në mënyrë që mikrokosmosi im të jetë i përfaqësuar nga të gjithë”, është shprehur artisti, neuropsikiatri e profesori universitar tash në pension, që ka shkelur në dekadën e tetë të jetës.
Skender Boshnjaku ka thënë se për veprat ishte frymëzuar edhe në situatën me COVID-19. Artin e shndërroi edhe në mburojë.

“Po besoj që nga këto punime të rrezatoj një buzëqeshje jetëdhënëse e shpëtimtare që të ngrit moralin e individit. Jam munduar që edhe të luftohet kotësia, bezdia, pakuptimësia, që krijojnë fatkeqësi të shumta. Edhe pse kam pasur fatkeqësi brenda meje, atë e kam shndërruar në triumf të jetës, të identitetit, qenies njerëzore dhe në pakompromis dhe pamposhtje”, ka thënë Boshnjaku, njëri prej studiuesve më unik veçmas i grafiteve.
Në njërën prej veprave te “Bota ime në rreth” ka punuar disa muaj. Artin e tij e ka vlerësuar edhe si mjet aktivizmi.
“Arti është edhe etikë, estetikë, gjithçka. Unë e kam përdorur edhe për aktivizëm, për arsye se disa rrjedha nuk janë duke shkuar aq mirë. Prishtina e ka prishur identitetin, kam parë që nuk ka ndonjë efekt. Në këto punime kam gjetur si duhen të jenë harmonia, norma, ligji, rregulli. Ashtu si e kam menduar jetën dhe shtëpinë, rrethin, ashtu i kam sajuar këto punime”, ka thënë Boshnjaku, i cili magjistraturën dhe doktoratën i përfundoi në Psikiatri në Universitetin e Beogradit. Pas diplomimit, ai u punësua në Klinikën Psikiatrike të Prishtinë si neuropsikiatër, dhe punoi aty deri në pensionim. Qe profesor në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës.
Përtej mesazheve kuptimplotë, teknika e punës është tejet e veçantë. Veprat e punuara në material ambalazhi e të ngjyrosura, dominohen prej atyre me ngjyra të ndezura që nuk u ndërrohet përmbajtja origjinale. Të mbivendosura në sfondin njëngjyrësh, marrin tjetër kontekst në kornizat e varura në mur. Trajtojnë origjinën, identitetin. Boshnjaku e bën shumëkuptimësh secilin simbol a formë.
Sa u përket materialeve që përdor, ekspozita merr edhe karakterin e riciklimit të materialeve.
Kritiku i artit e filozofi Shkëlzen Maliqi, është kurator i ekspozitës. Ka vlerësuar se veprat e Boshjakut motivohen me ambicien artistike, por edhe ndërlidhen me peshën e rëndë të profesionit që ka ushtruar gjithë jetën. Ka thënë se ka shumë më shumë brenda rrathëve të botës së artistit.
“Ky rrethi është shumë më shumë kur e shikon. Rrethi është një prej simboleve abstrakte gjeometrike më të fuqishme, më divine. Ai ka provuar të kthejë atë formën e izolimit të pandemisë në një lloj pozitivitetit. Ky është rezultati i kësaj pune të Skenderit. Është një prej njerëzve të rëndësishëm të kulturës kosovare dhe kemi dashur t’ia kurorëzojmë 50-vjetorin e veprës si kritik arti dhe që ka ndërmjetësuar e ka dhënë kontribut për kulturën kosovare”, ka thënë Maliqi, i cili edhe në ekspozitën e parë të Boshnjakut ishte kurator.
Në tekstin kuratorial, Maliqi ka shkruar se aty ishin përmbledhur 30 vepra nga një opus prej rreth tre mijë veprash.
“Gjatë katër dekadave të kaluara ka botuar rregullisht kritika dhe vështrime mbi artin, të përmbledhura si libra në tri vëllime. Boshnjaku njihet edhe si koleksionues dhe interpretues i grafitëve murale kosovare dhe më gjerë. Ndërkaq në vitin 2018 befas ai u paraqit edhe me një cikël prej 30 kolazhesh. Për çudi autori zbuloi se këto 30 vepra janë përzgjedhje nga një opus i rreth 3 mijë kolazhesh të realizuara gjatë gati pesë dekadave”, ka shkruar Maliqi në tekstin kuratorial.

Aty shkruhet gjithashtu se artisti për motiv kryesor e ka përsosmërinë e formës së rrethit me variacione të thurjeve emblematike që paraqiten si kompozicione abstrakte gjeometrike.
Artistja Zake Prelvukaj e ka vlerësuar punën e Boshnjakut si shërim me art.
“Mund të them se krijuesi Skender Boshnjaku ma ka hapur një rrugë për të punuar më shumë pasi tekstet që i bënte për mua në atë kohë, kanë qenë shumë mirë, pasi kur je i ri të impresionon dikush që di të shkruajë. Nuk është ndarë prej punës. Ka pasur rënie e ngritje shumë të mëdha. Ka punuar jashtë arteve pamore e aplikative, si neuropsikiatër. Mendoj se këto punime janë vetë mjekësia dhe simbolet e përditshme që ka përdorur, janë të karakterit universal”, ka thënë artistja Zake Prelvukaj.
Si njeri të përkushtuar e të dedikuar e ka vlerësuar Boshnjakun artistja Eliza Hoxha, ndërsa punën e tij si mjet për të rikujtuar principet e jetës.
“Kjo çfarë shohim sot mund të ketë kuptime të ndryshme, edhe prej ciklit të asaj sesi se çfarë kemi përjetuar në kohën e pandemisë kur një virus me kurorë ka arritur të marrë jetë dhe të na mbyllë në një kuti siç kanë qenë shtëpitë tona e që në fakt na ka bërë të mendojmë shumë për jetën, ta vlerësojmë atë dhe tjetrin, diçka që ne shumë shpesh për shkak të dinamikave e presioneve të punës dhe të jetës e harrojmë”, është shprehur Hoxha derisa ka thënë se autori sjell në vëmendje rrathët që përmbajnë fijet e shpresave të jetës.
Bota e artistit e neuropsikiatrit Skender Boshnjaku në “Bota ime në rreth” do të jetë e hapur deri më 22 shkurt.