Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Bota e djehit dhe bota e sotit

Një prej veprave më me peshë që është botuar në 10 vitet e fundit është vepra e Jared Diamond-it, “The World Until Yesterday: What Can We Learn From Traditional Societies?” (2012).

Diamond ka shkruar disa libra me peshë si “Guns, Germs and Steel”, për të cilin ka marrë edhe çmime, por kjo vepër, ndonëse duket si një mësymje e brumbullaksuar ndaj një teme shumë të madhe, del si një qasje e veçantë nga një mendimtar i përvojës, kureshtjes dhe pasionit të madh për ciklin e aventurës njerëzore. Diamond është i trajnuar në fushën e biologjisë dhe ka kryer studimet specifike në atë fushë. Por, studimet e tij kanë kapërcyer këtë prag, krejt në saje të mendjes së tij brilante si tregimtar fuqitar për aventurën e jetës, kulturës dhe sjelljes njerëzore. Tani në pleqërinë e tij, Diamond përmbledh argumente nga shkencat natyrore dhe shoqërore për të treguar dramën e njeriut në realitetin e tij jetësor, prehistorik dhe historik, gjithnjë brenda kontekstit të tij ekologjik e politik.

Vepra nis e na kujton për kulturën e migracionit dhe stabilitetit të homosapiens-it, që prej 60 mijë e sa vite më parë deri tani. Përvojë të qeverisjes së grupeve të mëdha kemi vetëm qe 5 mijë vite, edhe pse 10 mijë vite më parë homosapiensi kishte zbuluar bujqësinë dhe me këtë edhe kishte nisur të krijojë stabilitet grupor brenda një vendi të caktuar.

Megjithatë, nëse flasim për kulturën dhe sjelljen tonë, nuk mund të harrojmë 55 mijë vite pa sistem qeveritar të një lloji më të madh se sa hierarkia e çetës së homosapiensve të parë. Kjo pamje tregon se qeniet e sotme njerëzore, pasardhësit e homosapiensve bredharakë qe kanë brofulluar anekand botës prej para 60 - 70 mijë vite më parë e këndej, kohën më të madhe të tyre e kanë jetuar në botën e “djehit” apo “dikurit”. Prandaj, “djehja” e homosapiens-it ka një peshë të madhe në të sotmen dhe të ardhmen e tij. Por, cila është legacia e saj?

Diamond na tregon shumë për jetën e shoqërive të ndryshme fisnore, të cilat ai i quan “tradicionale”, gjë për të cilën ndoshta një linjë antropologësh do ta kritikonin. Ai shfrytëzon një literaturë të tërë të antropologëve që kanë studiuar në vise të ndryshme ku ekzistojnë këto shoqëri, por edhe shënimet e tij nga përvoja e studimeve dhe vrojtimeve në terren si biolog.

Edhe Opinion 1 muaj më parë Vizioni i Papës për inteligjencën artificiale dhe kufizimet e tij

Diamond nuk është romantik apo përhatërues që të relativizojë kulturën “tradicionale” si kulturë që do të duhej të shërbente si antidotë për jetën e sotme në shoqëri moderne perëndimore. Disa gjëra të këtyre shoqërive ai i sheh si jashtëzakonisht të dobishme për shoqëritë moderne. Për shembull: dieta e balancuar, syçeltësia, sensi i kujdesit për fëmijët, etj. Disa i paraqet dhe na lë për të gjykuar neve rreth tyre. Për shembull: vrasja e fëmijëve, lufta ndërfisnore, vrasja e pleqve, etj.

Ja një paragraf nga libri që ka të bëjë me fëmijët:

“Në shoqëritë moderne ekziston një edukim formal, që bëhet përmes shkollave dhe kurseve pas shkollës, ku trajnerë të specializuar u mësojnë fëmijëve sipas planprogrameve të krijuara nga shkolla, si një aktivitet i ndarë nga loja. Por, në shoqëritë e vogla [tradicionale] edukimi nuk është aktivitet i ndarë. Përkundrazi, fëmijët mësojnë duke i shoqëruar prindërit e tyre dhe të rriturit tjerë. Ata mësojnë duke dëgjuar tregime rreth zjarrit, si prej të rriturve ashtu edhe prej fëmijëve tjerë” [fq. 205]

Pavarësisht të mirave të “botës tradicionale”, ai po ashtu thekson:

“Pa dyshim se një pjesë e madhe e botës së djeshme është me ne edhe sot, madje edhe në shoqëritë moderne industriale ku kanë popullësinë më të dendu. Jeta në viset rurale të botës perëndimore ku ka më pak popullësi, ende ruan shumë aspekte të jetës tradicionale. Megjithatë, ka ndryshime të mëdha mes botës tradicionale dhe shoqërive tona moderne që po i quajmë WEIRD (shënim: për Diamond, WEIRD është akronim qëllimor dhe cytës për shoqëritë “perëndimore, të arsimuara, të industrializuara, të pasura dhe demokratike” [Western, educated, industrialised, rich and democratic” ]). Shoqëritë tradicionale, pa vetëdije të plotë, kanë bërë mijëra eksperimente se si të drejtojnë një shoqëri. Ne s’mund të përsërisim këto eksperimente, me qëllim dhe nën kushte të kontrolluara, për të parë se çfarë ndodh. Por, ne mund të mësojmë prej gjërave që në fakt kanë ndodhur. Një prej gjërave që bota e djehit na mëson është se si të jemi mirënjohës për botën e sotit, për faktin se kemi shoqëri moderne, dhe jo ta përqeshin atë kahdo që shkojmë.” [fq.461]

Si libër që rrin mes një lloj autoetnografie, monografie biologjike, dhe monografie etnografike, del mjaft i qartë, i lexueshëm dhe fort inspirues. Natyrisht se ndarjet e tilla, tradicionale dhe moderne, vihen në dyshim nga kritikët e sotëm të katedrave antropologjike, ku mbizotëron kryesisht relativizmi kulturor. Por, Diamond nuk është “korrekt” në kuptimin e përhatërimit ndaj teorive të vaktit: sipas përvojës së tij dhe argumentetit të nxjerrë nga një sërë antropologësh që kanë bërë studime specifike në vise ku jetojnë “shoqëritë tradicionale”, kjo ndarje ekziston. Madje ai jep disa mendime, në fund të librit, se çfarë mund të mësojmë nga shoqëritë tradicionale dhe mendoj se në libër të tillë të një autoenografie të gërshetueme, mendimet e tilla të tipit rekomandues, janë të mirëseardhura.

Edhe Kolumne 1 muaj më parë Revolucioni i Papa Leoni XIV, mendimtarit të shekullit XXI

Në fund të librit, Diamond ofron një sërë veprash si “lexime të mëtutjeshme”, të cilat janë qenësore për të njohur veçantitë e studimeve që ai citon dhe diskuton në kontekst të argumentit të tij. Proza e tij është e rrjedhshme dhe e pangarkuar me zhargon, andaj edhe lexohet lehtë.

(Shkruan: Arsim Canolli, antropolog e profesor universitar)