Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Bonusi i rijetësimit të monumenteve në Shqipëri jep rezultatet e para

Familjet që kanë përfituar nga Bonusi i Rijetësimit kanë filluar të marrin frytet e para të investimeve mbështetur nga Ministrisë e Kulturës e Shqipërisë. Ministrja e kulturës Elva Margariti ka sjellë shembullin e dy familjeve të Beratit, Mbrica e Koraqe, përfituese të Bonusit të Rijetësimit vitin e kaluar.

“Bonusit i Rijetësimit nuk ishte një nismë fushate, por një ndihmë konkrete për banorët e qendrave historike apo që zotërojnë një objekt-monument kulture”, ka shkruar në rrjete sociale ministrja e Kulturës e Shqipërisë. Ka ndarë historinë e Milton Mbricës, i cili në pronën e trashëguar ka ngritur një restorant-hotel në lagjen Kala, ndërsa motrat Koraqe i kanë dhënë jetë ëndrrës që shtëpinë e të parëve ta kthenin në një qendër arti në Mangalem, që sot quhet “Zonja Gjenë”.

“Këto dy aktivitete të reja biznesi janë kthyer jo vetëm në një të mirë ekonomike për pronarët e tyre, por edhe një pikë takimi për beratas e turistë”, kanë raportuar mediat shqiptare.

“Bonusi i rijetëzimit”, pjesë e Fondit Kombëtar të Kujdesit të Trashëgimisë Kulturore Materiale, është një nismë e përvitshme e Ministrisë së Kulturës, përkatësisht Qeverisë Shqiptare për restaurimin dhe rijetëzimin e objekteve në qendra historike në modele të qëndrueshme biznesi, që gjenerojnë të ardhura dhe punësim për komunitetin. U lansua për herë të parë vitin e kaluar dhe është një ndihmë në formë granti, për të gjithë ata individë që janë pronar të një objekti në qendrat historike të qyteteve dhe kanë iniciativën për ta zhvilluar më tej atë duke kontribuar në zhvillimin ekonomik lokal. Për vitin 2022, aplikuan 96 individë dhe u mbështetën nëpërmjet kësaj nisme 41 projekte fituese në Shkodër, Krujë, Berat, Gjirokastër, Korçë, Përmet, Pogradec e në vende të tjera. Sivjet konkurruan mbi 170 projekte.