Kulturë

“Biri” përballë betejës me fatin në kapërcim të dhimbjes

Është rikthyer e vetme në Prishtinë, pa birin e saj. Ose më saktë prania e tij është e kudondodhur: në të fundit vite të jetës së tij, Kosova po bëhej dashuri tërësore me gjithçka. Dëgjonte reperët prishtinas, kurse Ledri Vulën e këngët e tij i përjetonte në çdo dëgjim. Udhëtimi nga Rozhaja drejt Pejës, e më pas edhe në Prishtinë, ishte ngjarjeshumë, të cilat, disa vite pas, nëna i rizbulon përmes kujtimesh vivide.

E shtyrë nga një ndjenjë e fuqishme nëne që dëshiron të qëndrojë me dinjitet, “Biri” është libri që shkrimtarja dhe publicistja Flutura Açka ka sjellë si tribut për të birin e saj të vetëm, Jerin van den Brink, që vdiq në të tetëmbëdhjetat e tij.

“Nuk doja të shkruaja këtë libër. Isha shumë e mbyllur, sepse është barrë personale që nuk dua t’ia barrësoj askujt”, ka thënë Açka, si për të shpalosur një histori brenda e jashtë librit të saj.

Një publik jo i paktë dashamirësh e lexuesish shkrimtarësh mbrëmjen e së hënës kishin zënë vend në “KultPlus Caffe Gallery”. Kjo mbrëmje, në fakt, ka shënuar të parin aktivitet në “KultPlus” që prej muajit mars, kur filloi situata pandemike.

Në promovimin e librit të saj më të ri “Biri”, shkrimtarja, publicistja dhe botuesja e njohur ka bashkëndarë historinë që lindi librin, një dramë përballjeje me fatin njerëzor, si dhe një rizbulim përmes kujtimesh i një bote rinore që vazhdon të jetojë.

Takimin me lexuesit prishtinas, 58-vjeçarja e ka shndërruar në një manifestim të një nëne që me letërsi do të rizbulojë birin e saj, e jo të përçojë të përzishmen e një vdekjeje që këputi në mes një jetë që sapo kishte gjethuar.

“Ishte një betejë mes shkrimtares dhe nënës që do ta ndajë dhimbjen e vet”, ka treguar Açka.

Si parathënie për librin e botuar muajin e kaluar, ajo ka risjell momentet kur me birin e saj kishte qenë në Kosovë. Me gjysmën tjetër të Shqipërisë, me artistët e saj, edhe Jerin van den Brink po e pasuronte veten e vizionin për jetën. Nuk ishte çudi që nënë e bir edhe po ndanin të njëjtën “playlist” këngësh të repit nga Kosova.

Por a ishte e lehtë të përjetësohej në libër një dhembje aq krejtësore? Një sprove të tillë, Açka ia ka dalë mbanë tekqë rrëfimi për të birin nuk reduktohet në lament.

“Teksti më ka mbajtur në këmbë”, ka shpjeguar ajo për librin të cilin nuk dëshiron të jetë si barrë dhembjeje për lexuesit.

Duke folur gjithë butësi e përkorësi, ajo ka thënë se shpreson që të jetë krijuar distanca e nevojshme me lexuesin, aq sa ky i fundit të mos jetë si sup ku ajo qan për humbjen.