Ka kohë që nuk ka interpretuar para publikut vendas, për shkak të paraqitjeve të saj të shumta në skenat e tempujve të muzikës klasike.
Zëri impresiv i sopranos, Besa Llugiqi, ka jehuar të martën mbrëma në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë.
Llugiqi në këtë koncert recital të mbajtur në natën e gjashtë të “Chopin Piano Fest Prishtina”, interpretoi veprën e rrallë muzikore “Letrat” e kompozitorit nga Ferizaj, Vincent Gjini.
Veprat e kompozitorëve të mëdhenj botërorë, Schubert, Donizzeti, Verdi, Puccini e Torroba, kanë zënë vend në repertorin e këtij koncerti të sopranos Besa Llugiqi, e cila ishte e shoqëruar nga pianisti anglez Chriss McCracen.
“Si pianist për mua muzika spanjolle sonte ishte shumë e vështirë për t’u luajtur dhe shoqërimi me piano i këngëtarëve bëhet edhe më i vështirë. Sidoqoftë, salla në të cilën mbajtëm koncert ishte e përshtatshme për programin tonë. Është keq për ju që nuk keni një sallë të operës, si ajo e Bullgarisë, Shqipërisë dhe Rumanisë, të cilat kanë një traditë muzikore, mirëpo ju keni këngëtarë të aftë për të performuar në muzikë klasike”, ka thënë McCracen për Express të KTV-së.
Edicioni i tetë i “Chopin Piano Fest Prishtina”, do të përfundojë më 28 prill.