Është finalizuar procesi i shpronësimit të 121 veprave të artit që për dekada kanë qëndruar në hotelin “Grand”. Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shpronësim ato do t’i takojnë Galerisë Kombëtare të Kosovës. Bartja e tyre do të bëhet gjatë muajit janar.
Janë dashur 6 vjet që të zyrtarizohet procesi që kishte nisur midis Ministrisë së Kulturës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Të mërkurën nëpërmjet një ceremonie, 121 veprat e artit që për disa dekada kanë qëndruar në Hotelin Grand, i janë dorëzuar Galerisë Kombëtare të Kosovës. Procesit i ka paraprirë një vendim i Qeverisë për shpronësimin e tyre.
Ceremonia e mbajtur në hotelin që dikur ishte një prej emblemave të kryeqytetit është shoqëruar edhe me një mini-ekspozitë.
Veprat midis të cilave ato të Agim Çavdarbashës, Rexhep Ferrit e Gjelosh Gjokajt do të bartën në Galeri gjatë muajit janar.
Më 2014 një komision i përbërë nga përfaqësues të AKP-së dhe Ministrisë së Kulturës kishte identifikuar, inventarizuar dhe sistemuar të gjitha veprat që ndodheshin brenda objektit të hotelit në qendër të Prishtinës. Iniciativa për formimin e një komisioni të tillë kishte ardhur pas kërkesës së familjarëve të skulptorit të ndjerë Çavdarbasha, për ta rimarrë njërën prej skulpturave që ndodhej në hollin e “Grandit”.
Galeria Kombëtare e Kosovës në fondin e saj mban edhe rreth një mijë vepra të tjera. Ky institucion vazhdimisht është ankuar për mungesë hapësirash e kapacitetesh për fondin e veprave të artit.
Gjatë kësaj jave Sebahate Çavdarbasha, drejtoreshë e fondacionit “Agim Çavdarbasha”, njëherësh bashkëshorte e skulptorit të ndjerë, ka përsëritur kërkesën që skulptura “Pritja” t’i kthehet familjes. Sipas saj, kjo vepër i takon muzeut të skulptorit pasi ishte huazuar vetëm për ekspozim. Për këtë ajo i ishte drejtuar edhe AKP-së.