Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Baleti u kërkon institucioneve qendrore ta nxjerrin nga kolapsi

Gjendja në të cilën gjendet Baleti Kombëtar i Kosovës tash e tre muaj ka bërë që ky institucion t’u kërkojë ndihmë edhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeparlamentarit, Kadri Veseli, ashtu sikurse ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi.

BKK-ja, nëpërmjet një letre publike, ua ka qartësuar pozitën e tyre udhëheqësve institucionalë duke kërkuar zgjidhje për bllokimin financiar, që pengon veprimtarinë e institucionit, shkruan sot Koha Ditore.

“Baletit Kombëtar të Kosovës ka tre muaj që i është ndërprerë financimi dhe e ka zhytur totalisht në kolaps institucionin tonë, duke rrezikuar seriozisht realizimin e agjendës...”, shkruhet në këtë letër.

Aty është sqaruar se marrëveshjet me artistë dhe festivale jashtë vendit dhe turnetë nëpër Evropë, të cilat BKK-ja i ka planifikuar dhe futur në agjendë për vitin 2018, janë të rrezikuara si pasojë e bllokimit të buxhetit, dhe kjo situatë e krijuar ka vënë në pikëpyetje funksionimin dhe kredibilitetin e Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Ju rikujtojmë që BKK-ja ka reputacion të konfirmuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit si institucion serioz, i cili vetëm brenda këtij viti është prezantuar me shfaqje në qendra të ndryshme të Evropës, si në Berlin, Hamburg, Paris, Graz, Sveti Vlas në Bullgari e të tjera dhe mosrealizimi i marrëveshjeve paraprake me partnerë kombëtarë e ndërkombëtarë do të jetë fatal për rrugëtimin edhe ashtu me shumë probleme të Baletit Kombëtar të Kosovës”, shkruhet në këtë letër. Aty përmendet se koreografi kubano-amerikan, Israel Rodriguez, ka udhëtuar nga SHBA-ja për në Prishtinë më 25 gusht 2018, për të realizuar premierën e radhës së BKK-së, e cila do të jepet më 4 tetor. Sipas letrës, për shkak të bllokimit të buxhetit, BKK-ja nuk ka mundësi të kryejë obligimet ndaj koreografit.

Edhe Baleti Kombëtar në kolaps financiar, tash tre muaj pa para nga shteti Kulturë Baleti Kombëtar në kolaps financiar, tash tre muaj pa para nga shteti

“BKK-ja më 13 shtator do të udhëtojë për në qytetin Ruse të Bullgarisë, si të ftuar për të dhënë shfaqjen ‘Xhulieta pa Romeon’, dhe për momentin nuk kemi mjete për të realizuar këtë udhëtim”, shkruhet në letër. Përmendet se institucioni në muajin tetor do të udhëtojë për herë të parë drejt Finlandës, ku do të ketë turne në katër qytete finlandeze me shfaqjen “Një legjendë për dashurinë”. Kjo është planifikuar para më shumë së një viti, dhe situata e krijuar kohëve të fundit, sipas BKK-së, e rrezikon seriozisht. Duke u kthyer prapa në kohë, në letër shkruhet se Baleti Kombëtar i Kosovës që nga paslufta aktivitetin e vet e ka zhvilluar në kushte të rënda dhe falë vullnetit dhe dëshirës për të ruajtur këtë institucion me vlerë është bërë e pamundur, duke punuar përtej kushteve që janë ofruar e duke shpresuar që vështirësitë do të shkojnë duke u zvogëluar.

“Kolegët tanë nga institucione të tjera janë në grevë për mosrealizimin e kërkesave të tyre, të cilat si të tilla ne si institucion i mbështesim, por pa ndërprerë punën, sepse arti të cilin ne e zhvillojmë, është art fizik dhe çdo ditë e humbur është tejet e dëmshme për realizimin e shfaqjeve”, shkruhet në letër. Në letër u bëhet me dije kryeministrit Haradinaj dhe ministrit të Kulturës, kujtim Gashi se të shtyrë nga kjo situatë e rëndë, BKK-ja është e detyruar të shqyrtojë vazhdimin e aktivitetit.

“Shpresojmë shumë që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt, për të mirën tonë të përbashkët”, shkruhet në fund të letrës.

Për tre muaj, Ministria e Kulturës nuk ka mundur t’i financojë institucionet e saj vartëse. Kjo gjendje u krijua qysh nga qershori i këtij viti pas publikimit të Raportit të Zyrës Kombëtare të Auditorit. Sipas këtij raporti MKRS-ja derdhte mjete në llogaritë e institucioneve, të cilat janë në banka komerciale dhe këto veprime bëheshin pa autorizimin e Thesarit të Shtetit. Në fund të gushtit, MKRS-ja doli me “zgjidhjen e përkohshme” duke zhbllokuar xhirollogaritë, por kjo nuk zgjati as dhjetë ditë. Të enjten, ato u mbyllën përfundimisht, e pos kësaj institucionet u urdhëruan që krejt mjetet që i kanë pasur aty t’ia kthejnë buxhetit të Shtetit. Drejtorët e institucioneve janë njoftuar se sa i përket këtij viti, të gjitha pagesat do të bëhen nga MKRS-ja dhe Thesari i Shtetit. Për disa nga udhëheqësit institucionalë mënyra e re është një tjetër bllokim.

Edhe Baleti në kolaps ia mësyn udhëtimit të dytë për në Bullgari Kulturë Baleti në kolaps ia mësyn udhëtimit të dytë për në Bullgari

Sa i përket letrës publike të BKK-së, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka thënë se shpejt do të nisë financimi.

“Nga e hëna do të nisin pagesat”, ka thënë ai.