Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Aventura ishte në gjakun e saj

Ç’soj njeriu i thotë në çast “po” një ftese për të udhëtuar mespërmes shkretëtirës në flakë të luftës për të shkuar në Bagdad e të jetojë aty për dy javë, e rrethuar nga ndërtesa të bombarduara?

Njëra prej grave më trime që kam njohur ndonjëherë, ja kush: e shumëvajtuara jonë Violeta Rexhepagiqi. Më ishte kërkuar nga “Sky News” përmes një njoftimi të shkurtër të shkoja në Bagdad gjatë Luftës së Irakut më 1991, ngase kisha atë që mendoja se ishte vizë valide në pasaportën time. Mund të bëja xhirime dhe të raportoja, por në të vërtetë më nevojitej dikush që të më ndihmonte me zërim dhe me organizimin e pajisjeve.

Violeta kishte një pasaportë jugosllave dhe trashëgimia nga vitet e Titos ishte që Iraku dhe Jugosllavia ishin që të dyja anëtare të Lëvizjes së të Painkuadruarve. Kombe të vëllazëruara! Nuk nevojitej kurrfarë vize nëse Violeta donte të shkonte. E dija se ajo donte. Aventura ishte në gjakun e saj. E njoha fillimisht Violetën kur bashkë me tim shoqe, Sianin, po themelonim agjencinë tonë të lajmeve “News Network International” në Budapest, shkruan KOHA.

Nëpërmjet kontakteve në Slloveni, në maj të vitit 1989, unë udhëtova në secilin prej kryeqyteteve të republikave të Jugosllavisë federale, si dhe Prishtinë për t’u takuar me gazetarë që mund të më tregonin se çfarë po bëhej me shtetin që tashmë ishte një shtëpi me vrima në çati e me mure që po vithiseshin.

Me Violetën u ula jashtë në tavolinën e një kafeneje duke parë një polic që i ndalonte veturat teksa mbante në kokë një helmetë hekuri dhe vërtiste kallashnikovin. Jo normale! Violeta njihte çdokënd që kishte rëndësi dhe gjithsecili e njihte atë. Me muhabetet e saj të zgjuara dhe fort të bukura, shpesh duke e ndryshuar ngjyrën e flokëve, ajo mund të joshte liderët serbë të fshatrave që përndryshe nuk kishin kohë për gazetarët shqiptarë e britanikë. Dhe ajo më njoftoi me ata që një ditë do të luftonin për lirinë e Kosovës, përfshirë Ibrahim Rugovën.

Përgjatë raportimit tim mbi krizën e Kosovës, Violeta më ndihmoi më shumë sesa plot të tjerë të jashtëm. Violeta ishte me mua kur raportuam nga Fushë-Kosova derisa Milosheviqi po e përdorte si armë historinë mesjetare me pasojat tragjike që i dimë të gjithë dhe me të cilat ende po jetojmë. Më pas i bëra ftesë Violetës t’i bashkohej stafit tonë në Budapest për ta ndihmuar diplomacinë tonë me Ambasadën shqiptare atje. Ne donim të shkonim në atë që me siguri asokohe ishte një nga vendet më të mbyllura në botë. Shumë gazetarë perëndimorë kishin udhëtuar në shtetin e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë si turistë, me qasje të kufizuar në çfarëdo informacioni real.

Edhe Jamie Shea: S’dua të vdes pa e parë Kosovën në NATO Arbëri 4 muaj më parë Jamie Shea: S’dua të vdes pa e parë Kosovën në NATO

Unë shpresoja që me ndihmën e Violetës ne mund të viheshim në lidhje me ambasadorin shqiptar Jani Polena që mund të na sillte qasje reale. Stafi i Ambasadës u shastis nga stili dhe inteligjenca e saj. Edhe kështu, kjo mori goxha shumë kohë dhe palinka hungareze (pije alkoolike në Hungari - v.j.). Por më në fund, në qershor të vitit 1990, ne u nisëm me një limuzinë “Tatra”, që e morëm me qira në një fabrikë çekosllovake veturash. E rëndësishme të shkonim me stil...

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.