Ekipi prapa festivalit “BANFF Kosovo” beson se nëpërmjet filmit mund të ndikohet në promovimin e sporteve malore, aventurave në natyrë dhe në fuqizimin e gruas në sporte e në mbrojtje të ambientit. Ndikimin e tyre do ta synojë te publiku nëpërmjet 16 filmave që do t’i sjellin në “Cineplexx”
“BANFF Kosovo”, festivali i filmit për sportet malore dhe aventurën në natyrë, është i vetmi festival i këtij zhanri që vjen para publikut vendor. Prishtina për herë të dytë po bëhet nikoqire e këtij festivali që zanafillën e pati para më shumë se katër dekadave në Kanada. Kosova është në mesin e rreth 40 shteteve që plotësojnë hartën e kësaj ngjarjeje me nam.
Gjithçka kishte nisur nga dëshira e disa të rinjve për të promovuar këto sporte në Kosovë, vend që, sipas tyre, ka shumë potencial.
Drejtori i “BANFF Kosovo”, Besnik Shala, ka treguar se tash më shumë se 10 persona merren për organizmin e festivalit.
“Prej gati 20 vjetëve ka filluar që nga Kanada të udhëtojë nëpër vende të ndryshme të botës kryesisht në shtetet ku praktikohen shumë sportet malore. Qe katër vjet kemi filluar kontaktet e para me festivalin në Kanada për të sjellë festivalin në Kosovë”, ka thënë ai.
Festivali sivjet ka për qëllim të promovojë sportet malore, aventurën në natyrë, çiklizmin, çështjet mjedisore, fuqizimin e gruas në sportet malore, si dhe sfidat njerëzore në ekspedita të rralla natyrore.
“Filmat kryesisht prekin tema që kanë të bëjnë me sporte malore ose me ekspedita të larta, por këtë vit kemi edhe filma që kanë të bëjnë me bjeshkatari, vrapim malor, me skijim, snow-bord, çiklizëm, gjithmonë tentojmë të kemi sa më shumë llojllojshmëri të sporteve dhe të natyrave të filmave që i shfaqim, por këtë vit si agjendë e jona është të sjellim filma që kanë të bëjnë me fuqizim të gruas dhe me mbrojtjen e ambientit”, ka theksuar Shala. Kështu, sipas tij, secili film e ka nga një nuancë, e cila e edukon publikun në këto dy tema, por jo vetëm.
Gjatë dy ditëve, më 5 dhe 6 tetor, nëse masat për parandalimin e pandemisë e lejojnë këtë do të shfaqen 16 filma në “Cineplexx”. Filmat janë të ndarë në dy programe “Red” dhe “Blue”.
Festivali do të nisë më “Mother Earth” nën regji të Damien Vergez, që trajton çështjet mjedisore përmes rrëfimit të çiklistit William Robert për të vazhduar me filmin “Pretty Strong: Fernanda”, nën regji të Colette McInerney, Julie Ellison, Leslie Hittmeier, që në fokus ka filmin për alpinisten, nëpërmjet së cilës promovohet fuqizimi i gruas në këtë sport. Filmat e tjerë sjellin shpirtin e aventurës, skijimit, çiklizmit dhe paraglajdingut, prurje kinematografike që fokusohen në përpjekjet njerëzore për arritje në fusha të ndryshme të sporteve ekstreme, anekënd botës.
“Definitivisht është një gjë shumë e mirë që Kosova është pjesë e grupit ku shfaqen këta filma, sepse janë filma shumë inspirues dhe edukues veçanërisht për të rinj, kështu që po shpresojmë që së paku disa nga audienca do të inspirohen me u marrë edhe më shumë me sporte edhe me kulturën malore”, ka thënë Besnik Shala.
Sipas tij, festivali do të ofrojë qasje në sportet të cilat nuk aplikohen në Kosovë, por që mund të aplikohen edhe të tilla që tashme veçse janë etabluar në fushën e sportit.
“Secili film ka ushqim për mendje dhe çdonjëri prej nesh mundet të reflektojë dhe t’i shqyrtojë mundësitë se si mund t’i përmirësojmë komunitetet ose mundësitë për t’u marrë me sporte të ndryshme këtu në Kosovë”, ka vazhduar ai tutje.
Për të kjo përzgjedhje filmash për shfaqje në Prishtinë ka për qëllim inspirimin dhe motivimin për ta dashur dhe respektuar natyrën, si dhe njëri-tjetrin. “Me shpresë që sfida që po e kalojmë tani me COVID-19 të jetë e fundit, kurse rikthimi ynë në normalitet të paraqesë mundësi fantastike për aventura të përbashkëta”, ka thënë ai.
Si pjesë e këtij edicioni, Festivali do të sjellë udhëtime nga vende të largëta, sfida njerëzore në ekspedita, tregime për sportet ekstreme, adrenalinë dhe pafund energji, në një eksperiencë të jashtëzakonshme kinematografike.