Kulturë

“Autostrada Hangar”, me ambient multidisplinar të artit

Një vit pas hapjes së kësaj hapësire, e cila pati nisur rrugëtimin me ekspozita e performanca të ndryshme artistike, transformimi është më se i dukshëm. Nga një hapësirë e madhe dhe boshe e të pushtuar me vepra arti, tashmë çdo pjesë e “Autostrada Hangar” si hapësirë për edukim, prodhim dhe ekspozitë është shndërruar në një segment multifunksional artistik

Njëzet minuta ecje nga zhurma e gjallëria e “Shatërvanit” drejt hapësirave të periferisë së Prizrenit të dërgojnë te ish-baza ushtarake e KFOR-it gjerman. Një kalim disa kthesash dhe para syve të dalin ngrehinat e bardha. Mirëpo ajo që bie në sy pas një shëtitje të lehtë nëpër Parkun e tanishëm të Inovacionit dhe Teknologjisë është pikërisht një ndërtesë përkrahë së cilës janë dhjetëra luledielli.

Një fushë e tërë shtrihet në krahun e djathtë të “Autostrada Hangar”. “Fushat e Lulediellit” nga Agnes Dennes pas platesë së Pallatit të Rinisë përgjatë edicionit të tretë të “Autostrada Biennale” tashmë kanë zënë vend te një prej qendrave inovative të artit bashkëkohor.

Një vit pas hapjes së kësaj hapësire, e cila pati nisur rrugëtimin me ekspozita e performanca të ndryshme artistike, transformimi është më se i dukshëm. Nga një hapësirë e madhe dhe boshe e të pushtuar me vepra arti, tashmë çdo pjesë e “Autostrada Hangar” si hapësirë për edukim, prodhim dhe ekspozitë është shndërruar në një segment multifunksional artistik.

Është prej hapësirave të rralla në Kosovë, madje shembull edhe për rajonin. Veçantia është se çdo gjë që është e pozicionuar në hapësirën e brendshme, që është e krijuar pikërisht aty. Të njëjtën tentojnë organizatorët ta bëjnë edhe me veprat e artit, të cilat i ekspozojnë. Por edhe përtej linjave të shfaqjes së veprave në këtë hapësirë, ky hangar është shndërruar si adresë krijimi për shumë artistë të regjionit. Madje është bërë edhe përjetimi praktik për shumë studentë të arkitekturës, arteve, e drejtimeve të tjera universitare.

Biblioteka, dyqani, kuzhina, zyra, kati i rrobaqepësisë janë veç disa nga pjesët që e karakterizojnë. Druri është dominues në gati secilën prej tyre si material, ndërkaq specifika më e veçantë është fleksibiliteti i lëvizjes së çdo gjëje brenda minutash. Mirëpo ajo që e bën edhe më atraktive vizitimin e kësaj hapësire janë pikërisht ekspozitat. Një përjetim ndjesish “mix” fal hangari, i cili është nikoqir i pesë krijimeve artistike.

Pas “Fushat e Lulediellit” në fillim, vizitorët përballen me dokumentim të rrugëtimit deri më tani. Krijohet një lloj empatie e krejt asaj çfarë ka brenda asaj hapësire pikërisht përmes tre filmave dokumentarë. “Çka nëse një rrugëtim...” përmbledh nëpërmjet një video gjithë rrugëtimin e edicionit të 3-të të “Autostrada Biennale” me shtrirje në Prishtinë, Prizren e Pejë. Menjëherë pas saj është pikërisht “Tregimi i Hangarit” ai që e dokumenton të gjithë krijimin e hangarit nga pika zero e deri te gjendja e sotme. Ndërkaq si përmbyllje është edhe filmi dokumentar i programit të edukimit dhe zhvillimit të shkathtësive në “Autostrada Biennale Hangar”.

“Nga një hapësirë boshe, në një hangar parkingu është shndërruar në hapësirë për edukim, ekspozim dhe prodhim”, tregon bashkëthemeluesi i “Autostrada Biennale”, Leutrim Fishekqiu.

Pak metra më tutje në njërën prej qosheve të hangarit përpara syve të dalin yje të ndryshëm. Një yll i madh me një dritë të verdhë brenda, një tjetër i bërë nga copëza rrobash i varur lart dhe një yll tjetër ngjyrë portokalli, e përmbledhin ekspozitën “Kur dielli të ikë, ne do ta pikturojmë qiellin”, si vazhdimësi e veprës së Petrit Halilajt në kuadër të “Manifesta 14”. E punuar me shumë përkushtim dhe me kontributin e komunitetit, kjo pjesë shpërfaq një lloj pasqyrimi emocional përmes yjeve.

“Njerëz nga fusha të ndryshme kanë ndarë me ne storie, përjetime, ëndrra... Ka qenë punëtori unike, emocionale dhe shumë e bukur. Është ylli që ka rroba të ndryshme, ku secili ka nda periudha të ndryshme të jetës, periudha të luftës, rinisë”, ka thënë bashkëthemeluesja e “Autostrada Biennale”, Vatra Abrashi.

Tutje ajo veçoi punën e Ritës, njërës prej vajzave pjesëmarrje në punëtorinë “Instalacion, punëtori dhe aktivizim kolektiv”.

“Rita është vajzë në karrocë dhe ky material që ajo ka sjellë është një jastëk që ajo e ka përdorur me vite të tëra për t’u ulur në karrocën e saj”, përmendi ajo.

Një rikthim në kohë për edicionin e 3-të të “Autostrada Biennale” sjell ekspozitën fotografike “Çka nëse një rrugëtim”, e cila shpërfaq përmes momenteve të shkrepura rrugëtimin nga korriku deri te shtatori i vitit të kaluar, që u kurua nga Ovul Durmusoglu dhe Joanna Warsza.

Ndërkaq përveç pjesëve të ekspozitave të përhershme, është pikërisht mozaiku i krijuar nga materiali i ricikluar, “E vendosur për t’u ngritur” ajo e cila me të kuqen dhe sensualitetin femëror, përveç shpërfaqjes së traditave, shtjellon edhe pavarësimin e lirinë e gruas.

“Është interesante sepse e pasqyron traditën tonë, një nuse me veshje tradicionale, por që është shumë bashkëkohore, e që tash përveç për të drejtat e saj, lufton edhe për të drejtat e të tjerëve. Forma dhe mënyra se si është bërë është shumë e veçantë”, tregoi Abrashi.

Ndërkaq shtylla e të gjithë kësaj pune është hapësira për dizajnimin e “Hangarit”, e cila i ngjan një punëtorie që tashmë është bërë adresë krijimesh.

“Kjo hapësirë kulturore ka fokus në prodhim, krijimtari dhe po ashtu ‘Autostrada Bienale’ po kontribuon në krijimin e veprave të artit”, ka treguar Fishekqiu.

Sipas tij, fokusi kryesor është krijimi i ekipeve multidisplinare, duke i bërë bashkë në një vend profesionistë të fushave të ndryshme me qëllim të krijimit të kulturës së përbashkët dhe bashkëjetesës.

“Fatkeqësisht është prej të paktave ndër vendet e Ballkanit, kemi nisur të ndihmojmë jo veç artistë nga Kosova, por nga i gjithë regjioni”, përfundoi Leotrim Fishekqiu.