“Autostrada Biennale” është gati për edicionin e pestë. Me temën “Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës” kuruar nga Erzen Shkololli, ky edicion do të rrumbullakojë dekadën e kësaj ngjarjeje. Prej 5 korrikut deri në ditën e 5-të të tetorit ngjarja e artit bashkëkohor nëpërmjet ekspozitave rrëmon shtresat historike dhe arkitekturore të Prizrenit. Sipas njoftimit të organizatorëve, Bienalja shpaloset në disa hapësira kyç trashëgimore të Prizrenit, duke përfshirë Muzeun Arkeologjik dhe Sahatkullën, Shtëpinë e Shani Efendiut, Shtëpinë e Familjes Dorambari dhe Hamamin e Gazi Mehmed Pashës.
“Si tërësi kumbojnë përgjatë shtresave të historisë. Të ngulitura mirë në përbërjen urbane të qytetit dhe më tej duke u shtrirë në peizazhet përreth tyre, këto hapësira mundësojnë pikëtakime mes praktikave bashkëkohore artistike dhe së kaluarës së ndërlikuar të Prizrenit”, shkruhet në komunikatë. Sipas organizatorëve, titulli i ekspozitës “Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës” pasqyron shndërrimin e vijueshëm dhe shumështresor të narrativave historike, politike dhe artistike.
“Prizreni, i formësuar përgjatë mijëvjeçarëve nga shkrirja e akullnajave dhe i shtresëzuar me shenja të Kohës së Bronzit, të kishave bizantine, të arkitekturës osmane, të infrastrukturës jugosllave dhe të vragave të luftës së Kosovës, shërben edhe si prapavijë, edhe si pjesëmarrës aktiv në shpalosjen e këtyre rrymave”, shkruhet në komunikatë. Blerta Hashani, David Fesl, Brilant Milazimi, Anita Muçolli, Doruntina Kastrati, Stephanie Rizaj, Edin Zenun, Robert Gabris, Armend Nimani, Elena Narbutaitė, Silva Agostini e “Small But Dangers” janë disa prej artistëve apo kolektiveve që marrin pjesë. Në këtë edicion me veprat e tyre do të paraqiten edhe Hassan Khan, Laurent Mareschal, Tao G. Vrhovec Sambolec, Nika Špan, Rivane Neuenschëander, Nathan Coley, Vadim Fishkin, Tamara Grcic, Ayşe Erkmen, Alije Vokshi, Lois Weinberger e Simon Shiroka.
“Duke qenë nga Kosova, përpiqem të sjell një të kuptuar të thellë si të rrënjësimit ashtu edhe të brishtësisë të praktikës artistike në Kosovë”, citohet të ketë thënë kuratori Shkololli.
“Shumë projekte në këtë edicion—ndonëse të përkohshme—synojnë të lënë një mbresë afatgjatë edhe në përbërjen e qytetit, edhe në kujtesën tonë të përbashkët. Ky është një çast për të reflektuar mbi tensionet mes pranisë dhe zhdukjes, trashëgimisë dhe jetëshkurtësisë”, ka theksuar ai. Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, bashkëthemeluesit e ngjarjes kanë thënë se edicioni i 5-të i “Autostrada Biennale” mishëron atë në të cilën kanë besuar që në fillim: se arti ka forcën të ndërtojë ura të padukshme që lidhin njerëzit, vendet dhe idetë përtej kufijve.
“Pas një dekade rrugëtimi, mbetemi të përkushtuar të krijojmë hapësira ku dialogu, imagjinata dhe lidhjet njerëzore mund të mbijnë, të rriten dhe të lënë gjurmë”, kanë thënë Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, drejtorët bashkëthemelues të “Autostrada Biennale”.
Në një bisedë me “KOHËN”, kuraori Erzen Shkololli para katër muajsh kishte thënë se ekspozimi i veprave të artistëve pjesëmarrës e vendos Kosovën në hartën e bienaleve të rëndësishme.
“Ekspozimi i veprave të artistëve ndërkombëtarë dhe vendorë në Kosovë është i rëndësishëm, pasi ndihmon në krijimin e një shkëmbimi kulturor ndërkombëtar dhe vendos Kosovën në hartën e bienaleve të rëndësishme. Kjo kontribuon në zhvillimin e skenës artistike lokale dhe krijon një dialog të vazhdueshëm mes së kaluarës dhe së tashmes, duke u dhënë një kontekst të ri monumenteve historike”, kishte thënë Shkololli.
“Autostrada…” edhe në edicionin e kaluar e kishte veshur Qendrën Historike të Prizrenit me art. Por kësaj here thellohet më shumë. Monumentet e trashëgimisë kulturore do të strehojnë artin bashkëkohor që sjell ngjarja tanimë me nam. Tradicionalja me modernen do të jenë dialogu i këtij edicioni, sipas konceptit kuratorial e njëjtë është shprehur edhe vetë kuratori Shkololli.
“Lidhja midis trashëgimisë kulturore dhe artit bashkëkohor në këtë edicion të ‘Autostrada Biennale’ është e ngushtë dhe ndërvepruese. Bienalja synon të krijojë një dialog dinamik mes monumenteve historike dhe veprave të artit bashkëkohor, duke angazhuar artistët të ripërfytyrojnë narrativat historike përmes ndërhyrjeve artistike”, kishte thënë Shkololli derisa ka zbuluar shkurt edhe temat që do të eksplorohen.
“Pjesëmarrësit eksplorojnë temat e kujtesës, mitologjisë dhe trashëgimisë materiale, duke krijuar një lidhje organike mes së vjetrës dhe së resë. Monumentet historike, si Sahatkulla dhe Hamami i Gazi Mehmet Pashës, nuk janë vetëm hapësira ekspozimi, por janë gjithashtu pjesë aktive të ‘Bienales’, ku arti bashkëkohor krijon një ndërveprim të ri me historinë”, ishte shprehur ai.