Kulturë

Austria triumfon në “Eurovision” me thirrje dashurie, “Zjerm” mbetet hit

Austria triumfon në “Eurovision” me thirrje dashurie, “Zjerm” mbetet hit

Me “Wasted love” artisti Johannes Pietsch ia ka siguruar Austrisë organizimin e edicionit të ardhshëm të “Eurovisionit”. Kjo është hera e tretë e triumfit të këtij shteti që merr pjesë tash e 57 edicione (Foto: AP)

Finalja spektakolare e edicionit të 69-të të garës evropiane të këngës “Eurovision” të shtunën mbrëma në Bazel të Zvicrës, ka kulmuar me triumfin e Austrisë. Artisti 24-vjeçar JJ me këngën “Wasted love” ka marrë edhe votat e publikut e ato të jurisë në një fotofinish ku ka lënë prapa Izraelin e Estoninë. Keq me votat e jurisë është ndarë edhe Shqipëria me “Zjerm” të “Shkodrës elektronike” por megjithatë është shndërruar në hit dhe ka marrë edhe 173 pikë nga publiku që e ka renditur të tetën

Kënga “Wasted love” e Austrisë është himni i sivjetmë i “Eurovisionit”. Kënga e artistit JJ ka triumfuar në edicionin e 69-të të Garës Evropiane të Këngës. Bashkon elementet pop dhe lirikën që kulmon me gjallërinë e muzikës elektronike. Kënga fituese eksploron vuajtjen e dashurisë pa përgjigje ku protagonisti, siç ilustrohet edhe me skenografi, zhytet në një oqean dashurie.

Me këtë këngë, artisti Johannes Pietsch, i ka siguruar Austrisë organizimin e edicionit të ardhshëm të festivalit pas atij të vitit 2014 që erdhi si rrjedhojë e fitores së Conchita Wurst me këngën “Phoenix”. Është fitorja e tretë e Austrisë e cila sivjet shënoi pjesëmarrjen e 57-të. Trofeun e mori edhe në vitin 1966 me Udo Jürgens me këngën “Merci, Cherie”.

Derisa ka pranuar trofeun, 24-vjeçari JJ ka dhënë mesazhin e tij për “më shumë dashuri”.

“Dashuria është forca më e madhe në botë”

“Faleminderit të gjithëve që e keni bërë ëndrrën time realitet. Dashuria është forca më e madhe në botë, le të shpërndajmë sa më shumë dashuri midis njëri-tjetrit”, ka thënë ai pasi e ka pranuar çmimin. I emocionuar edhe e ka interpretuar këngën, siç është tashmë ritual i festivalit.

Austria ka marrë gjithsej 436 pikë nga juritë e shteteve dhe nga publiku. Në vendin e dytë është renditur Izraeli me 357 vota ndërsa në të tretin Estonia me 356 vota. Fitorja nuk ka qenë befasi, ani pse fundi qe një fotofinish. Edhe me votat e jurisë kryesoi tabelën me 258 pikë. Zvicra qe e dyta me 214 dhe Franca me 180. Kur mori 173 votat e publikut, për pak momente Shqipëria shijoi pozitën e dytë.

Juria e Shqipërisë ia ka dhënë 12 pikët e saj Francës dhe po nga ky shtet edhe e ka marrë 12 pikëshin e vetëm sivjet. Nga Italia ka marrë 2 pikë ndërsa 10 nga Mali i Zi. Në total Shqipëria është e teta me 218 pikë dhe kësisoj renditet në top 10. Por rekordi vazhdon të mbetet më 2012 me “Suus” të Rona Nishliut.

“Faleminderit të gjithëve që e keni bërë ëndrrën time realitet. Dashuria është forca më e madhe në botë, le të shpërndajmë sa më shumë dashuri midis njëri-tjetrit”, ka thënë JJ (24) i cili ka marrë trofeun e edicionit të sivjetmë të “Eurovisionit” (Foto: AP) 

Një natë spektakli për Evropën e bashkuar me muzikë

Ka qenë Kyle Alessandro me “Lighter”, përfaqësuesi i sivjetmë i Norvegjisë në festival, i pari që ka interpretuar në natën finale. Më pas ka qenë kënga e Luksemburgut e në radhë edhe e Estonisë. “Espresso Machiato” e Tommy Cash ka qenë një prej këngëve më të diskutueshme për talljen e tij me stereotipet italiane. Madje ka pasur edhe thirrje për ta ndaluar garën e tij.  

Edhe pse “Eurovisioni” u themelua si një lloj “shërimi” nga luftërat, më 1956, ngjarja që supozohet të organizohet për bashkim, dashuri e paqe, siç në çdo edicion përsëritet, Izraeli që ka pushtuar Gazën vazhdon të marrë pjesë. Ndërkohë, që nga edicioni i vitit 2022, i mohohet e drejta e pjesëmarrjes Federatës Ruse. Unioni i Transmetuesve Evropianë pati vendosur sanksione kundër shtetit rus për shkak të luftës që Rusia po bënte në Ukrainë.

Siç ngjan zakonisht me pjesën artistike që vjen si retrospektivë e historisë së ngjarjes, prezantueset kanë interpretuar këngët përfaqësuese të Italisë – “Canzone per te” të 1981-s dhe “Volare” të 1958-s. Kënga “Waterloo” e bendit legjendar suedez “ABBA”, i është lënë në dorë publikut i cili ka kënduar njëzëri.

Në një material me prapaskenat e përgatitjes së skenografisë për secilën paraqitje shpjegohet sesi ata kanë 35 sekonda kohë për të përgatitur gjithçka. Të tilla përgatitje kanë bërë për tre muaj. Skena madhështore në “St. Jakobshalle” prej dy mijë metra katrorë, ka qenë një skenë spektakli të vazhdueshëm. Në stadiumin përballë, ka qenë edhe një tjetër skenë ku “Eurovisionin” e kanë ndjekur nën qiell të hapur rreth 35 mijë veta. Statistika si këto ka edhe për këngët.

Kënga e Armenisë ka pasur dhjetë tekstshkrues, më shumë se çdo pjesëmarrës tjetër në këtë edicion. Ndërkohë Maltës, për të qëndruar në garë i është dashur të ndryshojë tekstin e këngës pasi konsiderohej vulgar.

“Zjerm” një këngë e përsosur për fundin e natës finale

Shqipëria ka performuar e fundit sipas radhës ndërsa e parafundit San Marino.

Drejtuesi artistik i festivalit, Christer Bjorkman, ka thënë se pjesën e performancave me këngët garuese donin ta mbyllnin me një këngë që prezanton klas.

“Padyshim San Marino ka një këngë argëtuese për audiencën, këndojnë të gjithë, një festë e shkëlqyer. Por gjithashtu donim të mbyllej me diçka që është me të vërtetë me klas dhe përfaqëson muzikën, pse kjo është ajo që Shqipëria përfaqëson. Janë kaq të talentuar, kaq e zgjuar dhe është vepër e bukur kështu që donim t’i kishim të dyja në fund. Mund të kishte qenë edhe e kundërta, por thjesht duket e duhur ta përfundojmë këtë shfaqje me një performancë të tillë”, ka thënë Bjorkman.

“Zjerm” nga “Shkodra elektronike” e ka çuar Shqipërinë në vendin e tetë me 218 pikë dhe kësisoj renditet në top 10. Megjithatë kënga është shndërruar në hit

Me këngën që flet për një botë ideale, dyshja e “Shkodrës elektronike” – Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca – kanë sjellë zjarr në skenën e “Eurovisionit”. Kënga që me tekst flet për një botë ideale ndërsa me muzikë prezanton edhe kulturën muzikore shqiptare ku përfshihen tingujt e çiftelisë, ka shkëlqyer edhe në finale. Ashtu siç është praktikë e “Shkodrës…”, edhe në këngën “Zjerm” me tekst të dyshes, tradicionalja bëhet një me muzikën elektronike. Skenografia ka qenë e thjeshtë dhe krejt çfarë e ka karakterizuar ka qenë projeksioni i qilimit tradicional. Edhe në parakalimin tradicional të festivalit, këngëtarja Gjergji qe kujdesur që me vete të bartë traditën në paraqitjen e saj. Krejt në fund të performancës së saj ka falënderuar në shqip, anglisht e italisht. Ky është viti i 21-të i përfaqësimit të shtetit shqiptar në garën evropiane të këngës.  

Krejt në fillim të spektaklit interpretoi kënga fituese e vitit të kaluar – “Nemo” me “The Code” e më pas u prezantuan ekipet e shtetet garuese e në fund të performancave ka interpretuar, midis tjerësh, edhe këngëtari shqiptar Gjon’s Tears këngën “Tout l’Universe” të vitit 2021 me të cilën pati përfaqësuar Zvicrën. Më pas Luca Hänni interpretoi “She got me” të vitit 2019. Një performancë elektrizuese ka sjellë edhe grupi kroat “Baby Lasagna” që vitin e kaluar kanë përfaqësuar shtetin me këngën “Rim tim tagi dim”. Po këtë këngë edhe e kanë interpretuar në natën finale të festivalit. Kanë interpretuar si një lloj përballje me “Käärijä” si miksim me këngën e tij “Cha cha cha” që përfaqësoi  Finlandën në vitin 2023.

Organizuar nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), paraprakisht u mbajtën dy gjysmëfinale më 13 dhe 15 maj. Si vitin e kaluar, edhe sivjet fituesi është përcaktuar duke mbledhur pikët e jurisë dhe ato të publikut.

Në natën e parë të festivalit më 13 maj, bashkë me Shqipërinë nga gjysmëfinalja e parë për në finale janë kualifikuar edhe: Norvegjia, Suedia, Islanda, Holanda, Polonia, San Marino, Estonia, Portugalia dhe Ukraina.

Në natën e 15 majit janë zbuluar edhe dhjetë finalistët e fundit të garës evropiane të këngës. Në gjysmëfinalen e dytë kalimin në finale e patën siguruar Lituania, Izraeli, Armenia, Danimarka, Austria, Luksemburgu, Finlanda, Letonia, Malta dhe Greqia.

Në edicionin e kaluar që qe mbajtur në Malmo të Suedisë, këngëtari Nemo me “The Code” që u këndonte identitetit gjinor, shëndetit mendor dhe gjetjes së vetes, ia pati siguruar Zvicrës organizimin e “Eurovisionit” të sivjetmë. Po në këtë organizim ai ka qenë pjesë me këngën “Unexplainable”. Qe i treti që çoi trofeun në Zvicër duke fituar fillimisht në edicionin e parë më 1956 me Lys Assia dhe me Celine Dion më 1988. Afër fitores qe edhe më 2021, kur u përfaqësua nga këngëtari shqiptar, Gjon’s Tears, i cili u mposht prej Italisë.

Ani pse gara evropiane e këngës “Eurovision” – e cila që prej themelimit më 1956 kishte për synim të investonte mbi ndjenjën e bashkëjetesës paqësore evropiane – ka disa vjet prej kur kjo garë nuk ia del ta fuqizojë këtë mision dhe po kalon nëpër kriza identitare. Por mbi të gjitha, shfaq spektakël i cili sivjet ka kulmuar me thirrjen për dashuri të “Wasted love” nga Austria.