Kulturë

“Augenblicke” si një histori personale mbi dhunën ndaj grave

Hija e një gruaje e cila ecën gjatë rrugës, dhe pastaj ajo e burrit që i qepet nga pas. Kaq kishte pasur të vizualizuar në mendjen e saj animatorja Kiana Naghshineh para katër vjetësh, kur për herë të parë kishte menduar për filmin e saj të shkurtër “Augenblicke” (“Një rrahje qerpikësh”, 2018). Ishte bazuar në një eksperiencë personale dhe fillimisht e kishte pasur të vështirë që të njëjtën ta vizualizonte. Kishte pasur dilema nëse duhet kthyer në një projekt filmik diçka që vetë kishte përjetuar para një dekade. Dy vjet pas realizimit të filmit, në një bisedë online pas shfaqjes së filmit – në ngjarjen e organizuar nga festivali ndërkombëtar i filmit të animuar “Anibar” – regjisorja nga Irani ka thënë se filmi ka për qëllim që të nxisë diskutim mbi dhunën dhe që t’u japë zë viktimave.

Pikërisht me animacionin “Augenblicke”, regjisorja dhe animatorja diplomoi në Paris, në “Gobelins l’ecole de I’mage”. Ajo ka thënë se për të sjellë këtë histori i kishin ndihmuar edhe profesorët, pasi që në fillim kishte pasur dyshime nëse kishte mjaftueshëm guxim për të realizuar një projekt të tillë. Regjisorja nuk e kishte pasur të vështirë që të gjente titullin për animacionin e saj. Fjala “Augenblicke”, sipas saj, është diçka që e përshkruan më së miri situatën të cilën ajo e kishte përjetuar.

“E gjitha ka ndodhur shumë shpejt, saqë kur përfundoi e kisha pyetur veten se a ka ndodhur me të vërtetë apo jo”, ka thënë ajo në një lidhje nga Danimarka, duke treguar se tani nuk e ka zor të flasë për eksperiencën e saj. Ka shtuar se gjatë realizimit të filmit ka biseduar edhe me viktimat e tjera të dhunës seksuale, në mënyrë që animacioni të ishte më gjithëpërfshirës.

Animacioni katërminutësh tregon tri perspektiva e një të vërtetë. “Augenblicke” ndërtohet rreth këndvështrimit të gruas, që lufton gjersa i shqyhen rrobat, këndvështrimit të burrit që kryen krim dhe këndvështrimit të disa dëshmitarëve okularë që jetojnë në shtëpitë përreth. Këta të fundit regjisorja ka thënë se domosdo kishte dashur t’i përfshinte, pasi që edhe vetë ishte përballur me fajësime.

“Të gjithë janë të përfshirë, nuk janë vetëm viktima dhe përdhunuesi, por edhe njerëzit përreth, pasi që edhe ata janë një lloj fajtori. Në rastin tim më kanë pyetur se në kam qenë e dehur apo çfarë kam pasur veshur, sikur këto të shërbenin si shfajësime. Madje edhe sikur të isha, a është kjo e ligjshme? Kjo më ka prekur aq shumë dhe prandaj kam dashur që të shfaq edhe perspektiva të tjera”, ka thënë ajo.