Londër, 22 gusht – Një artiste nga India i është kundërvënë seksizmit te personazhet e stripave. Heronjtë meshkuj ajo i paraqet në poza tipike femrash. Hulku-femër ka superfuqi e shpejtësi që e futin në mesin e personazheve më të fuqishme të botës së Marvelit. Përballë Hulkut jo vetëm që është fizikisht e fuqishme, por edhe krejtësisht e gjelbër. Në ballinën e serisë së stripave të vitit 1991, ajo paraqitet tepër joshëse, mban bikini e format e saj trupore janë goxha të theksuara.
Artistja indiane Shreya Arora ishte shokuar kur i kishte parë ato.
“Te Hulku, vëmendja vizuale është e drejtuar nga forca. Te Hulu-femër krejt ka të bëjë me atë që përthekohet në seksizëm”, citon BBC Aroren, e cila është rritur me stripa, transmeton “Koha Ditore”.
Por kjo disenjatore grafike 21-vjeçare ka vendosur ta ndryshojë këtë rrëfim. Veprat e saj artistike janë të inspiruara nga ballinat e stripave, por në fakt janë parodi superheronjsh në poza femrash. Rezultat i kësaj qasjeje janë ballina me personazhe të njohura si Spiderman e Batman në poza dukshëm të papërshtatshme njashtu sikurse edhe veshjet.
Spidermani është i veshur varfër, Hulku e mbulon veten me gazeta, përderisa Ironaman përkulet me vithet e theksuara.
“Mënyra se si vizatohen personazhet femra, asnjëherë nuk do të aplikohet tek ata meshkuj”, ka thënë Arora për BBC-në.
Por Arora, studente e vitit të tretë në Institutin Kombëtar të Dizajnit në Ahmedabad, ka thënë se këtë e ka vënë re tek kur po studionte në Francë.
“Mbase shfletimi i stripave në gjuhën që nuk e kam njohur më ka ndihmuar që të përqendrohem tek përmbajtja vizuale”, ka thënë ajo. Një pjesë e problemit sipas saj qëndron te fakti se “stripat në të shumtën e rasteve vizatohen nga meshkujt, për të argëtuar meshkujt e tjerë”.
“Paraqitja e sotme e superheroinave ekziston për shkak të këtij rrethi të mbyllur. Kompanitë vendosin për një treg që synojnë e kësisoj e përdorin këtë bazë për vazhdimësinë e përmbajtjes së caktuar”, thotë ajo. “Dua që botuesit të shohin se ekziston treg për stripa gjithëpërfshirës”.
Projekti i saj është kritikuar, sepse nuk bën me dije se në stripa nuk paraqiten vetëm personazhe me forma e poza joreale, por edhe aso meshkuj. Arora thotë se stripat janë mizo-gjinor veçmas në ballina. “Standardi i trupave të meshkujve – me alamet muskujsh, ekziston që ata të duken tepër të fuqishëm për të cilën gjë shquhen superheronjtë”, thotë ajo. “Standardi për femrat është që ato të duken seksi”. Sipas saj, njerëzit mendojnë se format trupore të grave të fuqishme janë tepër mashkullore.
“Nëse vizatuesit duan të paraqesin superheroina që duken të fuqishme, mund të gjejnë inspirim në jetën reale”, thotë ajo.
Arora merret edhe me projekte të tjera që kanë të bëjnë me paraqitjen seksiste të trupit femëror dhe mungesën e barazisë gjinore në media. Ajo qëndron prapa ballinës së revistës së rrejshme në të cilën paraqitet një grua gojëmbyllur me patentë, e paaftë që të flasë kundër dhunës në familje.
Titulli është: “Përse dhuna seksuale është faji i juaj” si udhëzim për nxitjen e debatit mbi fajësinë e viktimave. Edhe pse ka shumë të rinj e artistë të zot, të cilët aktualisht trajtojnë çështje sociale dhe nxisin debate të rëndësishme, “ata mund t’i dëgjojë vetëm një grup i privilegjuar – ata që kanë qasje në internet, që flasin rrjedhshëm anglisht dhe kanë një shkallë të caktuar të shkrim-leximit”.
“Por në Indi e në vende të tjera ka njerëz që nuk i plotësojnë këto kritere. Dua ta mbush këtë boshllëk“, thotë Arora.
{gallery}