Hedhja në det nuk është akt në veprën e saj, ka tis poetik por në kontekst, kësisoj vepron artistja Lana Çmajçanin nga Bosnjë-Hercegovina. “A Change is Gonna Come II” ngjan me një udhëtim idilik nëpër det, por rrëfimi është krejt në kontrast. Eksploron kufijtë në hapësira në dukje të pakufizuara, lidh rrëfimin me fatet e emigrantëve. “Praktika ime artistike është e bazuar në të kaluarën dhe negocim për të ardhmen. Kjo është e vështirë kur flasim në kontekstin e Jugosllavisë, Bosnjës e Kosovës dhe të gjithë Ballkanit, për të kaluarën koloniale”, thotë ajo
Çështjet e ndarjes së territorit detar janë kryefjalë në dy veprat e artistes boshnjake Lana Çmajçanin. “A Change is Gonna Come II”, që vjen si vazhdimësi e saj që u shpalos më 2015, zbulon peizazhin përtej të pafajshmit. Ballafaqon të tashmen me të kaluarën në atë që pikërisht mision e ka Qendrën e Dokumentimit në Kosovë. Veprat e saj i ndërlidh me konceptin e luftës. Të tillë e konsideron edhe demarkacionin, megjithëse atë e lidh me vdekjen e emigrantëve në ujërat dhe në kontrastet e fateve të njerëzve sesi i qasen këtij peizazhi.
Zërat vijnë si jehonë në Qendrën e Dokumentimit, në bodrumin e bibliotekës së qytetit “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë. Ato flasin për vdekjen në të njëjtën hapësirë ku është ekspozita me imazhet, veshjet e lodrat e mbi 1100 fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, e që titullohet “Na ishte njëherë një kurrë mos qoftë”. Ngjan në një tregim shqetësues, që rrëfen për një fatkeqësi. Pamjet tregojnë sipërfaqen e gjerë të detit derisa artistja filmon rrugëtimin e saj dhe në këtë rast ai bëhet sinonim i një hapësire të kontrolluar që shërben për të arritur në një breg tjetër. Apo edhe në destinacion pushimesh.
Kur nis rrëfimi për migrimin duket se ndryshon komplet pamja.
“Mund të takosh njerëz të tjerë me ngjyrë më të mbyllët në det”, nis rrëfimi i shkruar nga dramaturgia Olga Dimitrijeviq e lindur në Beograd. “Gjithkush kërkon lumturinë, por jo gjithkush e arrin, gjithkush mund të vdesë”, vazhdon më tej derisa vijon udhëtimi i shpejtë me anije ndërsa kamera e saj përplaset me petkun e hollë të ujit që e bën të duket se po krijohet një stuhi aty. Derisa pamja vazhdon të jetë konstante për 20 minuta, përshkruhet një moment i zakonshëm i udhëtimit me anije kur motori i saj papritmas ndalon, fillon të zhytet dhe nisin thirrjet trishtuese të udhëtarëve.
Hapësira e Mesdheut vjen si një det që simbolizon udhëtimin e fundit për shumë njerëz. Në prezantimin e punës së saj, artistja boshnjake ka thënë se përzgjedhja e titullit nxit mundësitë e ndryshimit.
“Praktika ime artistike është e bazuar në të kaluarën dhe është negocim për të ardhmen. Kjo është e vështirë kur flasim në kontekstin e Jugosllavisë, Bosnjës e Kosovës dhe të gjithë Ballkanit, për të kaluarën koloniale. Duhet ta përmend se edhe hapësira ku jemi duke zhvilluar aktivitetin është shumë interesante, shumë e trishtë, është edhe një lloj historie personale e imja”, ka thënë artistja Çmajçanin.
Sipërfaqja detare duket e pafund dhe e paeksploruar. Adresë e kujtimeve të bukura e të trishta. Këto të fundit kishin qenë arsyeja e nisjes së dy projekteve të saj: “A change will come” e vitit 2015 dhe “A change will come II” e 2018-s.
“Për mua, sidomos koha ndërmjet viteve 2014 dhe 2016, çdoherë që shijoja detin, ka qenë gati e pamundur të mos mendoj se si ndahen territoret detare, sa njerëz kanë vdekur, sa konflikte janë zhvilluar gjatë këtyre demarkimeve në det”, ka treguar autorja e veprave.
Vepra e saj e mëhershme përfshinte një seri të fotografive. Kishin të bënin me ripozicionimin e përhershëm të kufijve. Ato, siç ka thënë artistja, përfaqësonin një peizazh politik që më shumë ngrinte pikëpyetje e më pas dokumentonte të ardhmen e pasigurt të zonave që ishin në konflikt.
“Gjatë rrugëtimit tim artistik kam qenë shumë e lidhur me luftën, se çfarë do të thotë ajo e deri në pikën e përjetimit të saj. Do të thosha se është përmbajtje serioze që ngërthen revizionizmin, elementet e fashizmit, të kaluarën, por ndoshta kjo është një tjetër temë. Në anën tjetër, sonte kam përzgjedhur të prezantoj punën që ka të bëjë me vendin, territorin, kalimin ilegal. Me territorin e lëngshëm në përgjithësi”, ka thënë artistja e lindur në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës.
Pikënisje e asaj pune kishin qenë mosmarrëveshjet mbi kufijtë ujorë midis Bosnjë-Hercegovinës dhe fqinjëve të saj. E para kishte të bënte me çështjen e një ure, ndërtimi i së cilës ishte një projekt kroat. E dyta lidhej me “çështjen e Sutorinës”, hapësirë prej shtatë kilometrash që tani i takon Malit të Zi. Tjetër rast është edhe situata e ndërlikuar e mosmarrëveshjes midis Sllovenisë dhe Kroacisë rreth gjirit Piran.
Veprat përfshinin instalim, vizatime në tavolinë e printim në tekstil, hartografi, midis të tjerash.
“Puna ime bazohet në arkiva në forma të ndryshme. Këtu mund të flasim për arkivat hartografike dhe gjithashtu për edukimin. Isha shumë e interesuar të bëja një hulumtim të zonës gjeopolitike të Bosnjë-Hercegovinës, ngjarjet historike, çfarë thonë hartat, çfarë të dhënash mund të lexojmë prej aty”, ka thënë Çmajçanin e diplomuar në nivelin master në Akademinë e Arteve të Bukura në Universitetin e Sarajevës, në Departamentin e Skulpturës. Aktualisht është në studimet e doktoratës në Akademinë e Arteve të Bukura të Vjenës. Është bashkëthemeluese dhe anëtare e shoqatës për kulturë dhe art “Crvena”.
“Praktika e artit e Çmajçaninit eksploron ndikimin e strukturave të pushtetit politik dhe shoqëror, mekanizmat e kontrollit dhe çështjet e përgjegjësisë dhe manipulimit. Ajo thellohet në tema të tilla si dhuna gjeopolitike dhe strukturore, politika e kujtesës, praktikat politike nacionaliste dhe menaxhimi neoliberal i traumës”, shkruhet në biografinë e artistes.
Në veprën “A change is gonna come II” horizonti detar është edhe peizazh filozofik e poetik bazuar në tekstin që përcjell pamjet e peizazhit të pandryshuar gjatë krejt kohës. Duket se sjell pamjen e detit të pafund në momentet e fundit të jetës. Një rrugëtim i pafund dhe i pashpresë ku njeriu s’ka ku të mbahet pos të lëshohet në shtresat e panumërta të hapësirës ujore.
Ngjarja që është pjesë e programit të Qendrës së Dokumentimit në Kosovë ka si qëllim prezantimin e punëve artistike me fokus në ballafaqimin me të kaluarën.
Kuratorja, Blerta Hoçia, e cila e ka drejtuar prezantimin, e ka vlerësuar veprën si tejet poetike.
“Kur qëndron ideja aty brenda, nuk ke nevojë ta shohësh atë. E përmende se nuk ke pasur nevojë për përmbajtje grafike. Nuk është vetëm reprezentative, por edhe shumë poetike”, ka thënë kuratorja Hoçia.
E vetë artistja i është referuar punës së saj në veprën “A change is gonna come II” si trajtim piktoresk të vdekjes.
“Nganjëherë sheh se si stuhia po ikën dhe dielli fillon të rrezojë. Për mua është një formë e të parit të së bukurës dhe në anën tjetër është një varr masiv që bëhet i tillë nga mbytja e emigrantëve. Përjetimi i turistëve është e kundërta e udhëtimit të tyre. Këtë e kuptoj si diçka paradoksale dhe kontradiktore. Është kënaqësia në det, dhe në anën tjetër fryma e fundit”, është shprehur Çmajçanin derisa ka treguar se që në fillim është përcaktuar që në veprën e dytë kur flet për detin, të trajtojë vdekjen.
Sipas artistes, është problematike sesi trajtohet çështja e mbytjeve të anijeve me emigrantë dhe normalizimi i këtyre ngjarjeve.
“Flet për privilegjin e të shkuarit në det, për perspektivën turistike në kontrast me të hidhurën që ndodh aty. E kam bërë këtë vepër në bashkëpunim me Olgën, dhe kur e kam bërë një hulumtim për të ndërtuar këtë rrëfim e kam ditur që në fillim se duhet të kem një imazh të vdekjes në det, sepse e kam gjetur shumë problematike sesi trajtohet kjo dukuri. Sidomos në media dhe sesi kemi ardhur në një gjendje kur normalizohet vdekja”, ka thënë ajo më tej.
Me krejt dimensionet e saj, artistja Lana Çmajçanin mbi të gjitha trajton fatin e njeriut. Përjetimet dhe tretja e tij në ujërat e trazuara janë në qendër të “A Change is Gonna Come II” që pret për ndryshim.