“Një personalitet i komplikuar. Jam një lëmsh”, thotë fotografja Abi Shehu. Por në fund të fundit jo të paktë janë ata që nuk ndihen kësisoj. Është e pamundur t’i shpëtohet mbërthimit prej një soj pështjellimi sidomos kur shihet fotografia e një akullnaje në Tyrol të Austrisë, të cilën e ka realizuar Shehu. E ka lënë pa titull, pasi që e konsideron një autoportret. Thotë se e përshkruan me së miri lëmshin brenda saj.
“Format që krijohen prej kësaj akullnaje janë po aq konfuze sa edhe unë jam në përditshmërinë time”, thotë ajo në një intervistë për KOHËN. Aty e gjen veten dhe fotografia i jep një kënaqësi vizuale. 27-vjeçarja e lindur në Lezhë ndjek studimet për fotografi në Universitetin e Artit dhe Dizajnit (BTK) në Berlin. Ka ardhur në Prishtinë pasi që është bërë pjesë e rezidencës artistike “Infrared”, që organizohet nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”.
Loja me pasqyra
Fotografia e parë që kishte shkrepur, atëherë pesë ose gjashtëvjeçare, ishte portreti i hallës së saj. Pasi që ajo ishte në banjë dhe e pamartuar, ishte diskutuar nëse filmi duhej të zhvillohej. Tash, Shehu e ruan ende atë fotografi. Si 18-vjeçare i ishte qasur fotografisë si amatore, e tash e tre vjet e ka punë dhe studion për të.
Shehu për një kohë të gjatë ka qenë e fokusuar në portrete. Përgjithësisht ajo fotografon persona me të cilët ka njëlloj familjariteti, me fokus lojërat e brendshme psikike që formësojnë portretin.
“Puna ime përqendrohet kryesisht tek natyra e marrëdhënieve njerëzore dhe kërkoj të zbërthej karakterin e tyre përmes një kërkimi vizual në hapësira të ndryshme”, thotë Shehu. E nisi krijimtarinë e saj profesionale duke punuar me pasqyra me ciklin “Through Reflections” (2018-2019).
“E kam pasur gjithmonë frikë shikimin e dikujt ose portretin e dikujt drejtpërdrejt me kamerën. Nuk e kam dashur një pozë prej dikujt, por atë qëndrimin normal”, thotë ajo. E kur ia drejton dikujt fotoaparatin, sipas saj, ata marrin në mënyrë instiktive një pozë. E, Shehu kërkonte atë qëndrimin natyral e të pasforcuar. Pasqyrat ia mundësonin këtë.
Rastësisht një ditë gjatë punës i ishin thyer pasqyrat dhe kishte nisur që të realizonte fotografi më abstrakte. Diçka që, sipas saj, lidhet përsëri me atë konfuzitetin e saj apo përhumbjen.
Te ky cikël gjejmë dyfishime të fytyrave e ndërtim strukturash në mënyrë që pasqyrat të reflektojnë perspektiva të ndryshme të të njëjtit vend. Atë që njeriu nuk e ka në të njëjtën kohë pasi që i duhet të kthejë kokën. Prandaj përmes pasqyrave të vogla dhe me një kamerë sipër, Shehu sjell kënde të ndryshme në një fotografi të vetme.

Maskat dhe metafora
Kompozimi për të është më i rëndësishëm dhe prandaj nuk i përdor ngjyrat dhe realizon fotografi vetëm bardhezi. Edhe te cikli i saj “Affection” (2019), Sheu u qëndron besnike fotografisë dhe lojës me psikiken. Të gjitha fotografitë e këtij cikli tregojnë të njëjtin person, si një vrojtim i saj mbi vetveten, duke bërë të dukshme forma të ndryshme të fytyrës që një person mund të bëjë dhe kjo vjen si një metaforë e maskave.
“Maskave që një person është i obliguar t’i vërë përballë të tjerëve karshi situatave të caktuara, e shumë herë në mënyrë të pavetëdijshme”, thotë Shehu.
Fotografia e portretit ia lë vendin refleksit të figurës në një tentativë të vazhdueshme, e cila heton shumësinë e ekzistencës njerëzore. Shehu mëton të vërë në pah maskat ose personalitetet që takohen në përditshmëri, varësisht prej përballjeve me ta, rrethanave a situatave. Te puna e saj vërehet mëtimi për të prezantuar të paprezantueshmen, qoftë ajo nëpërmjet portreteve, fotografisë në përgjithësi dhe videos.
Përderisa për këtë pjesë ka shumë për të treguar, sipas saj, cikli “Threads of Yesterday” është fjalëpakë. “Është vetëm për kalimet e jetës”, thotë ajo për ciklin në të cilin më së shumti theksohet kontrasti në mes të bardhës dhe të zezës. Potencohet dëshira e pashmangshme e artistes për të luajtur me dritëhije.
E vërteta që mund të ndihet
Të vërtetat që nuk mund të thuhen. Abi Shehu e fton artdashësin t’i ndiejë nëpërmjet mediumeve që përdor, duke i sjellë ato në një dimension tjetër.
E vërteta, e pazbukuruar, ashtu siç është vjen edhe te cikli “How much Wood Would a Woodchuck Chuck” (2020), një seri peizazhesh ku shfaqet masakra që i është bërë Parkut Kombëtar, Lurës në Shqipëri.
“Sytë nuk fshihen dot nëpër lisat e prerë të Lurës, por mbas lentes së një aparati mund të guxosh të hedhësh një shikim mbi atë çka ka mbetë”, thotë artistja për fotografitë që dëshmojnë se bukuria e dikurshme e Lurës ka mbetur thumb i ngulur në kujtesën e njerëzve.
Te cikli tjetër i fotografive “Lulembramet” (2020), artistja vë në fokus lulet që kanë vendosur familjarët në vendin ku kanë humbur të dashurit e tyre për shkak të aksidenteve të ndryshme, kryesisht aksidenteve në komunikacion.
“Bëhet fjalë për njerëz që kanë humbur jetën në takime të pagjasshme, papritmas, nëpër qoshe të humbura, duke i shndërruar kësisoj këto qorrsokakë në vende të një transaksioni të mirëfilltë simbolik midis jetës dhe vdekjes”, thotë artistja. Sipas saj, “lulembramet, lulet e mramjes, lulet e ramjes”, i këndojnë fundit të jetës, por një fundi që mbetet i parrokshëm, i pamundur. Ato simbolizojnë një pamundësi të dyfishtë: pamundësinë e atij që vdes për të shqiptuar fjalën e fundit dhe pamundësinë e atij që e vajton për t’i dhënë lamtumirën në minutën e fundit.
“Janë shenja e fjalëve të pathëna dhe e vdekjeve pa dëshmitarë. Kur vdekja ndodh pa shenjat paralajmëruese të saj, kur një njeri vdes pa dëshmi, shoqëria duhet të marrë pjesë në momentin e tij të fundmë në formën e një gjesti përkujtimor”, thotë ajo. Tregon se beson thellësisht se vetëm imazhi mundet të përcjellë të vërtetën e së pathënës.
Mali i rrëzuar
Vepra e fundit e artistes është “Guri i Kuq”, një film të cilin artistja do ta shfaqë edhe në kuadër të rezidencës “Infrared” në Prishtinë. Filmi është i bazuar në rrëfimet që ia ka thënë gjyshi i saj. Edhe aty artistja kthehet te Lura, tek ai vendi i bukur, siç e mbante mend gjyshi i saj, i cili qe zhvendosur më pas në Lezhë.
“Gjyshi më ka treguar për këtë Gurin e Kuq, një shkëmb mijëravjeçar, përmes të cilit banorët caktonin se sa është ora bazuar në dritë-hije”, tregon Shehu. Këtë gur ajo e ka filmuar nga mëngjesi deri në darkë.
“Përmes një rrëfimi, filmi kërkon të prodhojë ca korniza të reja ku me e strehu një ndjesi të ngrohtë vetëdijeje për Lurën. E ka një mëtim me e prek Lurën, me ia ndje pulsin e jetës së re që i rreh nën petka fshatarësh të varfër e rrënimesh të vjetra”, thotë artistja.
Ajo ia ka bashkangjitur këtij projekti edhe poezinë “Mali i rrëxuem” të Martin Camajt. Saktësisht këto vargje: “Ra dielli e ndriti dhenë e ri, rrajë te shkyeme, lisa të përçamë. E sosjen në vetëdijen time. Banorët e malit përballë pyetën: Vend i brishtë, ku t’i fshehim sytë në ballin tand pa lisa?”
“I shkon fiks Lurës”, thotë ajo duke treguar se ai Park është dëmtuar shumë dhe pamja është e trishtë. Sipas saj, gjeneratat e vjetra në një formë sikur nuk e pranojnë realitetin dhe flasin vetëm për atë Lurën e bukur që ka qenë dikur, të cilën artistja nuk e kishte gjetur kur e kishte vizituar.
Artistja tregon të vërtetën e Lurës dhe i bën njerëzit që të hapin sytë dhe ta pranojnë fajin që kanë të gjithë karshi një situate si kjo.
