“Figurë bronzi e vrapueses” është përshkrimi që ia bën “The British Museum”. Muzeu sqaron se artefakti i njohur si “Vrapuesja e Prizrenit” u gjet në Kosovë, dhe ka mundësi që artefakti i cili daton në vitet 520-550 para erës sonë, fillimisht të jetë përdorur si element dekorativ në ndonjë enë të vogël. Bëhet fjalë për artefaktin më të famshëm të Kosovës që gjendet në një muze jashtë shtetit më të ri të Evropës.
Si pjesë të një ene atë e paraqet edhe artistja Agata Çetta. Me dimensione fiks 33 me 33 centimetra, “Vrapuesja...” vjen nëpërmjet teknikës së kombinuar në argjilë. Është pjesë e një forme pjate, shkruan sot “Koha Ditore”.
Çetta, pos mjeshtërisë e nivelit të lartë estetik në veprat e saj, i ka vënë vetes edhe një lloj misioni. Shenjat autoktone të kulturës vendore, që dëshmohen nëpërmjet artefakteve, është duke i kthyer në vepra arti. Nëpërmjet kësaj, ajo bën bashkë kulturën e dikurshme me shprehjet e reja artistike.

Shpërfaqja e trashëgimisë kulturore
“Figurina e bronztë paraqet formën e një vajze, atleteje në vrapim, me trupin e kthyer përpara ndërsa shikimin teposhtë në të djathtë të saj, duke e mbajtur fundin me dorën e majtë.
Në fakt, ajo ka të veshur një hiton të shkurtër që ngjason në një fund me një krahoshë, derisa gjiri i djathtë i saj është i zbuluar, kurse flokët i bien paralel e të valëzuara nga prapa”, është shpjegimi që i bën veprës Çetta, e cila kohëve të fundit është zhvendosur për të jetuar në Münich të Gjermanisë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)