Maestroja Pablo Picasso u dallua që në vegjëli për talentin e tij. Kur ishte në kulmin e namit insistoi se çdo fëmijë ka dhunti për të shkëlqyer në këtë fushë.
“Çdo fëmijë është artist. Problemi është si të mbesim të tillë kur të rritemi”, kishte thënë artisti që u bë një nga personalitetet më të njohura në artin e shekullit XX.
Kështu beson edhe artistja e re nga Shqipëria, Lori Lako. Sipas saj, fëmijët kanë talent dhe i shfaqin me fuqi të madhe ndjenjat e tyre. E rëndësishme, sipas saj, është të ruhet kreativiteti e që me kalimin e viteve të mos kalojë nëpër filtruesin e ndjenjave. Lako e ruan këtë kreativitet. Përmes artit të saj prek ndjenjat e veta, por në momentin e ekspozimit ato nuk i takojnë më vetëm asaj. Personalja kthehet në diçka kolektive. Arti i saj është një vështrim për të shkuarën, të tashmen, për historinë, mënyrën sesi ajo shkruhet, ruhet, interpretohet e bartet nga gjenerata në gjeneratë. Për pamundësitë, por edhe për mundësitë që ofrohen përmes teknologjisë. Është edhe për pikëpyetjet që e rrethojnë kujtesën kolektive, si transportues në të kaluarën.
Artistja është duke qëndruar në Prishtinë me rezidencën njëmujore “Infrared”, organizuar nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”.
Mësimet nga babai
“Nëpërmjet veprave të mia, që kryesisht lidhen me internetin dhe mediat digjitale, reflektoj mbi gjendjen post-moderne të njerëzimit, të klasifikuar nga imazhe dhe mesazhe që pengojnë dekodimin e botës, kujtesën historike dhe dëgjimin e vetvetes”, thotë ajo.
Por fillimet e artit të Lakos janë te disa piktura naive që i kishte realizuar si fëmijë. Kështu i ishte referuar, babai i saj, piktori Gjergji (Skender) Lako, një pikture që ajo e kishte realizuar si 12-vjeçare.
E sigurt që komenti që ia kishte dhënë babai – “Kjo është një pikturë naive” – nuk ishte një kompliment, Lori Lako ia kishte plasur vajit. Babai i saj, për ta qetësuar ia kishte treguar krijimtarinë e artistit të hershëm të modernizmit, Marc Chagall, ato të Pablo Picassos e që sipas tij kishin atë dimensionin “naiv” që ai e shihte edhe te arti i vajzës së tij. Ishin shembuj të fuqishëm, se puna e saj ishte e mirë. Lako – ani pse është larguar nga piktura dhe vizatimi për të vazhduar me media të reja si fotografi, video e imazhe nga interneti – gjithmonë kur realizonte vepra diskutonte edhe me të atin e saj. Realizimet e saj përfshinin edhe një diskutim me të atin i cili ndërroi jetë në vitin 2016. Gjergji (Skender) Lako për shumë vjet dha mësim edhe në Liceun Artistik të Tiranës.
Artistja 29-vjeçare nuk është ndikuar nga stili i të atit. Influencat e tij vërehen në forma të tjera. Vijnë si mësime mbi jetën, e që mund të vlejnë për çdo artist.
Arti i saj është një vështrim për të shkuarën, të tashmen, për historinë, mënyrën sesi ajo shkruhet, ruhet, interpretohet e bartet. “Reflektoj mbi gjendjen post-moderne të njerëzimit, të klasifikuar nga imazhe dhe mesazhe që pengojnë dekodimin e botës, kujtesën historike dhe dëgjimin e vetvetes”, thotë artistja shqiptare Lori Lako
“Çdo herë ajo që shikojmë ka një të kaluar dhe të ardhme”, i kishte thënë ai gjersa vajza e tij ishte duke pikturuar një natyrë të qetë teksa përgatitej për Lice. Kishte vendosur një enë para vetes. Gjergji (Skender) Lako i kishte thënë që t’i mendonte njerëzit që mund ta kenë përdorur enën dhe funksionin që kishte pasur ajo.
“Mendoj se im atë më ka falur disa imazhe të cilat në një formë, vazhdojnë të më ndjekin”, thotë artistja e cila jeton dhe punon në Itali.
Nga personalja të kolektivja
“Çdo rrugë ka një histori”, i kishte thënë babai i saj. Të tilla ishin edhe rrugët e Firences, ku Lako u zhvendos si 18-vjeçare për të studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura. Duke studiuar për pikturë ajo shkrepte fotografi dhe xhironte video për qëllime që ajo i konsideronte personale. Një mënyrë e lehtë për të shprehur kreativitetin e saj pasi që pikturat i sheh si diçka me medituese, diçka në kundërshtim me botën e shpejtë të së sotmes.
Më vonë ndoqi studimet për master në “Akademie der Bildenden Künste” në Münich. Aty nisi eksplorimi i saj me mediat e reja. Materiali që kishte mbledhur deri atëherë u pa si brumë i mirë nga ligjëruesit e saj. Sipas tyre eksperimentimi i saj personal kapte gjërat kolektive.
“Duke qenë se jemi kafshë sociale, gjithçka që ndodh tek ne, ndodh edhe diku tjetër. Edhe nga personalja mund të flasësh për një dimension me të gjerë e për diçka shoqërore”, thotë Lako. “Jam munduar që të përdor këto mediume për të bërë një lloj reflektimi introspektiv mbi jetën time, mbi fëmijërinë time, mbi disa kujtime të cilat nuk i kisha përpunuar më përpara por që kisha nevojshmëri të brendshme për t’i përpunuar, për t’i nxjerrë jashtë vetes sime, për të hapur një diskurs i cili nuk ishte më personal por mund të përfshinte edhe një sferë më publike”, thotë ajo.
Ky kalim nis me “Oktapodin” (video 4’:41’’ e realizuar në vitin 2012) kushtuar ndërtesës me të njëjtin emër në vendlindjen e saj e që ishte shkatërruar në trazirat e 1997-s. Pastaj vepra “1997/2015” (video 1’:20’’) e realizuar në vitin 2015, që sjell imazhe nga një vrimë plumbi përmes së cilës artistja portretizon pasditen e zakonshëm të fqinjëve të saj. Një vrimë e bërë nga një plumb në vitin 1997 e që sipas saj shpërfaq absurditetin e një luftë pa asnjë armik.
Me “Now and then” (video 3’:35’’) e realizuar në vitin 2016, që gërsheton eksodin e shqiptarëve për në Itali në vitin 1991, me zërin e riprodhuar të “Caminata Nocturna”, mjet për të rritur vetëdijen për rrezikun e imigrimit ilegal përmes Meksikës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një takim, një pamundësi

“Suspense”, Lori Lako, video, 2020
Gjatë bisedës, Lako rikthehet të një shprehje tjetër. “E shkuara është e qartë, e ardhmja është e panjohur”, citon ajo. Thotë se është një shprehje sovjetike që i pëlqen. Sipas saj, ani pse duket si provokacion, reflekton mbi dimensionin e manipulueshëm të së shkuarës. Rol në gjithë këtë mendon se ka edhe arti.
“Mendoj se arti është një mjet me të cilin ne mund të reflektojmë mbi të shkuarën, por jo të shkuarën në kuptimin e të harruarës, por të asaj të shkuare që vazhdon të na ndjekë, që përsëritet në të ardhmen, dhe që është në këtë kthimin e vazhdueshëm”, thotë ajo, për ta kapërthyer si në një definicion. “Një lloj e shkuare që bëhet një lloj çelësi për të interpretuar botën sot”.

“Possibly maybe”, Lori Lako, fotografi, 2017
Një serë veprash për të cilat ajo e përdori mediumin e digjitales kanë lidhje me një lloj pamundësie personale. Shpesh lidhen me pamundësinë për të lëvizur pa viza.
Vepra “Possibly maybe” që përbëhet nga katër fotografi digjitale e që është shfaqur në “Galeria e artit” në Shkodër dhe vepra “You can travel the world (with google maps)” të realizuara tre vjet më parë, shpërfaqin me së mirë këtë pamundësi.
Te e para artistja fotografon gjurmët që lënë në qiell aeroplanët dhe në pamundësi për të udhëtuar pyet se ku po shkojnë ata. Te e dyta përmes “Google Map” bën një udhëtim në Angli, vend të cilin nuk arriti që ta vizitonte pikërisht për shkak të procedurave me viza.
“Pamundësia për të udhëtuar i ngjan kohës që nuk kemi jetuar. Të dyja pasi që nuk i kemi përjetuar i mbushim me rrëfime të dikujt tjetër që mundohet të të tregojë sesi është diçka. Në momentin kur nuk ke eksperiencë personale, do të mjaftohesh me subjektivitetin e një narratori që mundohet të të tregojë ty”, thotë ajo.
Kur pamundësia nuk është shkaktar i fillimit të një vepre, sipas saj, shkaktar bëhet një takim. Njëlloj si të “Suspense” (video 1’:34’’) e realizuar këtë vit me të cilin u shpall fituese e çmimit “Ardhje”.
Në imazhe shfaqet një lloj teleferiku që bartte gurët nga malet në Letan te Fabrika e gëlqeres po në atë fshat, në Komunën Bradashesh, në Rrethin e Elbasanit. Për herë të parë ajo përdor dronin. Më herët kishte përdorur celularin duke mos u shqetësuar asnjëherë për kualitetin, pasi që e shihte imazhin si diçka piktoreske.
Lako kthehet te ajo që i kishte thënë babai i saj. Se objektet kanë diçka për të thënë.
“Besoj që edhe kur flasim për diçka politike apo sociale gjithmonë ka diçka poetike që mund të jetë e fshehur, por që ekziston gjithmonë. Nëse ne mundohemi që ta dëgjojmë objektin, ai gjithmonë ka një dimension poetik të fshehur”, thotë ajo.
Titullin e veprës e kishte huazuar nga Alfred Hitchcock. Për filmat e njohur si “Vertigo” (1958) e “Psycho” (1960) kishte thënë se ndryshimi në mes të suspansës dhe surprizës është se surpriza është një bombë që bie dhe publiku për pesë minuta është i habitur, ndërsa suspansa është diçka më e fortë nga ana emocionale, pasi që publiku e di që do të bie një bombë, por nuk e di se kur do të bjerë. Këtë e lidh edhe me Shqipërinë.
“Si nga ana arkitektonike, si nga ana ekonomike e sociale ne jemi në një lloj ‘suspanse’, gjendje ankthi e stresi, të pritjes së diçkaje që nuk dihet sesi do të ndodhë”, thotë ajo.
Ndalon edhe te vepra që po merr formë në Prishtinë në kuadër të Rezidencës. Koncepti i saj lidhet me marrëdhënien dhe ndërveprimin mes botës bimore dhe njeriut. Por Lako nuk zbulon më shumë. “Ta lëmë si ‘suspansë’, thotë ajo.

Detaj nga “Schwimmflügel - I haven’t dreamed of flying for a while”, instalacion, Lori Lako, 2019