Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Artisti kosovar në Javën e Dizajnit në Kinë

Artisti kosovar, Rrezeart Galica, do të prezantohet me veprat e tij në Javën Ndërkombëtare të Dizajnit në Pekin të Kinës. Ai është ftuar të jetë pjesë e ekspozitës së dytë ndërkombëtare të dizajnit bashkëkohor në shtetin aziatik, shkruan sot Koha Ditore.

Ky edicion i Javës Ndërkombëtare të Dizajnit në qytetin kinez shënon edhe 40-vjetorin e reformës dhe hapjes së Kinës ndaj vendeve të tjera. Sipas konceptit të këtij edicioni, ku do të marrin pjesë disenjatorë nga e mbarë bota, avancimi në ekonomi dhe teknologji siguron themelet e dizajnit dhe hapja ndaj ideve e pasuron vlerën e dizajnit.

Sipas shpjegimit të organizatorëve, ekspozita e sivjetme përcjell rolin e të menduarit të dizajnit kinez në lidhjen e prodhimit, kapitalit, zinxhirit të furnizimit dhe marketingut. Galica ende nuk ka vendosur se me cilat vepra do të prezantohet atje. Ai të martën ka marrë ftesë nga Pekini.

Galica ka thënë se në aspektin afirmativ pjesëmarrja është e rëndësishme edhe për shkak se vendi ku do të prezantohet nuk e njeh Kosovën shtet. “Pastaj pikëpamjet e mia të cilat i artikuloj përmes veprave ruajnë rëndësinë tjetër për të cilën opinioni kinez do të ketë rastin të japë vlerësimin në javën e dizajnit të Pekinit”, ka thënë ai. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).