Kulturë

Artisti i shtigjeve të reja në muzikën shqipe

Pleqëria nuk e mpaku asnjëherë damarin krijues të tij. Me një “Requiem” që lindi mes frymëzimeve të vazhdueshme, si e fundit vepër e tij, ai deshi artistikisht t’i jepte hakun të gjithë martirëve të popullit shqiptar ndër shekuj. Nga të paktët të rinj në fundvitet ’40 që zgjidhnin Shkollën e Mesme të Muzikës në Prizren, Lekaj e mori seriozisht hapërimin e tij në muzikë. Si një nga kuadrot e parë muzikorë të shkolluar në Beograd, prizrenasi i palodhur do të ftillëzonte muzikën argëtuese në Kosovë e viset shqiptare në ish-Jugosllavi. Mik i dashur dhe i urtë për kompozitorë e muzikantë të rinj, Kristë Lekaj është vlerësuar si një nga kompozitorët, dirigjentët e orkestruesit më të mirë në vend

Ishte marsi i vitit 2019 kur priste drithërueshëm të interpretohej vepra të cilën e kishte shestuar prej kohësh. Sikur ta kishte ndier se po i afrohej kufirit të një jete “Requiem” për kor dhe orkestër ishte homazhi i tij për martirët e popullit shqiptar ndër shekuj. Ishte sprova e shumë orëve mëngjesore kur vinte notat drejtpërdrejt mbi partiturë.

“Sa ia kam arritur nuk e di, por shpresoj që vepra të jetojë edhe pas meje”, kishte thënë Kristë Lekaj në mbarim të koncertit të Filarmonisë së Kosovës që u drejtua nga dirigjenti i njohur spanjoll, Fernando Lopez Briones.

E hëna e 4 janarit ishte frymëmarrja e fundit në jetën 85-vjeçare të kompozitorit, dirigjentit dhe orkestruesit që bëri emër në skenën e muzikës shqipe në Kosovë. Po të njëjtën ditë, në praninë e familjarëve dhe një rrethi të ngushtë miqsh, ai u varros në varrezat katolike në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Pjesë e plejadës së brezit të parë të muzikantëve të shkolluar në Beograd, Kristë Lekaj ishte frymëzuesi i çdohershëm për kompozitorët, këngëtarët e krijuesit e rinj. Me një kontribut të nduarnduartë që shtrihet në kohë qysh në fundvitet ’50, emri i tij është asociuar me doajenin e muzikës argëtuese në Kosovë e viset shqiptare në ish-Jugosllavi.

Vitet fill pas Luftës së Dytë Botërore nuk ishin edhe aq premtuese për të rinjtë e paktë që ëndërronin të zhyteshin në botën e muzikës. Atëherë kur kishin nisur përpjekjet e para për të shkulur analfabetizmin e gjerë, në regjistrat e Shkollës së Mesme të Muzikës në Prizren figuronte edhe emri i të riut Kristë Lekaj.

E hëna e 4 janarit ishte frymëmarrja e fundit në jetën 85-vjeçare të kompozitorit, dirigjentit dhe orkestruesit që bëri emër në skenën e muzikës shqipe në Kosovë

Me prejardhje nga rrethi i Prizrenit, ai në fakt kishte lindur në Shkup më 1935. Por familja e tij së shpejti do të kthehej në Prizren. Pas mbarimit të Shkollës së Muzikës në qytetin më të madh asokohe në Kosovë, Lekaj, si pak të tjerë, do të mësynte Beogradin. Në qytetin më të madh të Jugosllavisë ku qendërzohej e gjithë jeta universitare e intelektuale e kohës, sfidat për studentët e rinj shqiptarë ishin nga më të mëdhatë.

Në të shumtën e herëve pa njohje të gjuhës serbo-kroate e përballë paragjykimeve të rrënjosura për shqiptarët, vitet e studimeve për ta shenjonin edhe kthesën e madhe jetësore. Aty lindte vetëdija për të kontribuar në Kosovë ku gjithçka duhej të fillonte nga e para. I riu prizrenas do të diplomonte më 1958 në seksionin e teorisë në Akademinë e Muzikës në Beograd. Vite më vonë, ai do të merrte mësime në Tiranë nga kompozitori më i madh shqiptar i kohës, Çesk Zadeja.

“Madhështia në orkestrën e madhe”

Ishte viti 1976. Xhevdet Gashi, asokohe 21-vjeçar, do të kuturiste në më të madhin festival të kohës që mbahej në Kosovë. Ai kishte vendosur që për këngën e tij në “Akordet e Kosovës”, ta shkruante orkestrimin vetë.

Meqë ishte fiksuar si praktikë që orkestracionet për këtë event të shkruheshin nga orkestratorët më të mirë të ish-Jugosllavisë, Gashi mori vërejtje nga disa producentë. E megjithatë, ata e drejtuan për te Kristë Lekaj që ta kontrollonte aranzhmanin e këngës.

“Është ndër të parët që vuri themelet e muzikës së lehtë zbavitëse në Kosovë”

“Unë e njihja Kristën si njeri të mrrolët e me çehre të rëndë dhe si i ri që isha i druhesha takimit me të”, kujton Gashi në një bisedë për KOHËN.

Duke u kthyer pas në kohë, ai i ka të gjalla ende kujtimet kur Lekaj i hodhi një shikim partiturës e më një ton befasisht të butë i tha se i duhej një natë që ta kontrollonte këngën.

“Të nesërmen shkova prapë dhe ai me po të njëjtin ton më tha që kënga është e mirë”, thotë Gashi për këngën e cila, pas mori disa sugjerime prej Lekajt, do të shpërblehej nga juria me vendin e parë. “U ndjeva sikur të më këshillonte prindi. Më vonë kur u njohën më tepër, ai u tregua tejet korrekt dhe dashamirës i kuadrit profesional në produksionin muzikor të RTP-së”.

Për kompozitorin Gashi, fillet e muzikës argëtuese në Kosovë janë të pandashme nga emri i Kristë Lekajt, i cili kompozoi disa këngë në këtë zhanër. Por, sipas tij, madhështia e Lekajt ishte në orkestracione për orkestrën e madhe reviale (ajo që sot rëndom quhet “Big Band”).

“Ishte orkestrues i shkëlqyer për të gjitha llojet e veprave muzikore”

“Ai është i pari që është marrë me orkestrime të këtij zhanri, me orkestrimin e parë të bërë më 1959”, ka thënë Gashi.

Ai, po ashtu, veçon se Lekaj për një dekadë ishte i vetmi me profesionin e orkestruesit që “kërkon talent dhe njohuri muzikore të instrumenteve”.

“Themeluesi i muzikës së lehtë”

Fituese e pesë “Okarinave të Arta”, çmimeve më të larta në “Akordet e Kosovës”, kompozitorja Pranvera Badivuku kujton kohën kur Kristë Lekaj ia orkestroi disa këngë.

“Them që me këto orkestrime edhe kënga ime arriti ngritje të lartë artistike”, thotë Badivuku e cila është një nga kompozitoret e para në Kosovë.

Disa ditë pas shuarjes së Lekajt, ajo e vlerëson atë si ndër të parët që u shkollua në Akademinë e Muzikës në Beograd krahas profesorëve Engjëll Berisha, Mark Kaçinari, Vinçenc Gjini e të tjerë. Sipas saj, puna pedagogjike dhe angazhimi shumëvjeçar i Lekajt në Radiotelevizionin e Prishtinës flet për kontributin e çmuar të tij në zhvillimin e artit muzikor.

“Është ndër të parët që vuri themelet e muzikës së lehtë zbavitëse në Kosovë”, thotë Badivuku.

Duke ndërmendur faktin se ai kishte qenë për shumë vite redaktor i muzikës serioze dhe orkestrës simfonike, ajo vlerëson se Lekaj gjithnjë ishte në përkrahje të kompozitorëve të rinj, veprat e të cilëve i vinte në program. Falë tij, plot instrumentistë të rinj do të bëheshin pjesë e orkestrës simfonike të RTP-së.

“Ishte orkestrues i shkëlqyer për të gjitha llojet e veprave muzikore”, shton Badivuku.

Dhe krijimtaria e Lekajt nuk ishte vetëm kaq: sipas Badivukut, me mjeshëtrinë e tij profesionale ai orkestroi edhe këngë për fëmijë si dhe këngë me melos popullor.

“Prindi që të orientonte në rrugën profesionale”

Një pjesë e mirë e kujtimeve për Kristë Lekajn fillojnë pikërisht në “Radiotelevizionin e Prishtinës”. Ishte ende nxënëse e shkollës fillore, kur për çdo javë shkonte aty për të ushtruar këngë të reja për fëmijë.

“Krista më ushtronte të këndoja kompozimet e reja për fëmijë”, tregon aktorja, Drita Krasniqi.

“Ishte njëri ndër orkestruesit më të mirë të filleve të muzikës argëtuese, por edhe të formacioneve tjera simfonike nga i cili gjithmonë ke pasur mundësi të mësosh dhe të përparosh”

Për të, Lekaj ishte vetëm njëri nga brezi i artë i kompozitorëve të asaj kohe si Lorenc Antoni, Rexho Mulliqi e Severin Kajtazi që lanë “gjurmë të bukura” pas vetes.

“Ishin profesionistë të lartë pasionantë dhe me shumë dashuri ushtronin profesionin e tyre”, kujton Krasniqi.

Edhe kolegu tjetër në RTP, Hamdi Mehmeti ka vetëm fjalë të mira për redaktorin e muzikës që ishte bërë mik me të gjithë.

“Krista ka qenë mbi të gjitha njeri i mirë, por edhe bashkëpunëtor i mirë”, kujton Mehmeti i cili asokohe ishte gazetar folës në RTP. “Padyshim se largimi i tij nga kjo botë, lë boshllëk”.

Gazetarja dhe poetja, Valentina Saraçini thotë se Lekaj, pos kompozitorit, dirigjentit e orkesutruesit të jashtëzakonshëm, ishte mbi të gjitha njeri me virtyte të larta.

“Ishte artist që hapi shtigje të reja të krijimtarisë muzikore ndër trevat etnike shqiptare”, thotë ajo për KOHËN. KOKOHkohgazetënSaraçini vlerëson se Lekaj i la trashëgim muzikës dhe kulturës shqiptare edhe “vlerat e udhët e tingujve me taban kombëtar”.

Për shumicën “baca Kristë” impononte vetëm respekt për mirësjelljen dhe empatinë që tregonte muzikantëve të rinj.

Të tillë e kujton edhe kompozitori, Valton Beqiri, i cili e vlerëson Lekajn si një ndër orkestruesit më të mirë në vend.

“Ishte një personalitet i urtë dhe me te folurën e qetë, të linte përshtypjen e nje prindi që gjithmonë mundohej të të drejtonte në rrugën e duhur profesionale”, thotë Beqiri i cili është edhe profesor i rregullt në degën e Arteve Muzikore në Fakultetin e Arteve.

“Ishte njëri ndër orkestruesit më të mirë të filleve të muzikës argëtuese, por edhe të formacioneve tjera simfonike nga i cili gjithmonë ke pasur mundësi të mësosh dhe të përparosh”.

Beqiri kishte qenë kryetar i jurisë kur, më 2018, Lekaj me “Requiemin” e tij fitoi çmimin e Ministrisë së Kulturës për vepër vokalo-instrumentale dhe muzikore-skenike për veprën.

“Ai dha një kontribut të madh në kultivimin dhe ruajtjen e vlerave muzikore në Radio Prishtinë”

Punën e lartë profesionale e me përkushtim e ka vlerësuar edhe ish-redaktorja e muzikës në transmetuesin publik, Minire Fetahu, e cila e ka quajtur Lekajn si një nga emrat e shquar të artit muzikor shqiptar në Kosovë.

“Ai dha një kontribut të madh në kultivimin dhe ruajtjen e vlerave muzikore në Radio Prishtinë”, thotë ajo.

Po në këtë frymë e kujton edhe profesoresha e muzikës, Lirije Halili-Koshi e cila, sa ishte anëtare e korit “Collegium Cantorum” në vitet ’70, kishte pasur bashkëpunime në orkestrimin e disa këngëve.

“Kujtimet e freskëta sikur sot i kam nga bashkëpunimi për orkestrimin e këngëve të fëmijëve”, tregon ajo për “Okarinën e Artë” që e kishte fituar dy vjet radhazi (1981 dhe 1982).

Në karrierën e Lekajt, angazhimi në Filarmoninë e Kosovës përbën një nga kapitujt e veçantë të biografisë së tij. Aty u angazhua edhe si orkestrues për njohjen e tij të muzikës klasike dhe asaj të lehtë qytetare.

Ai shërbeu edhe si dirigjent permanent i Korit dhe Orkestrës së Filarmonisë. Krahas punës pedagogjike deri në pensionim, Lekaj punoi redaktor i muzikës e më pas edhe producent e udhëheqës i produksionit të RTP-së.

Ka aranzhuar shumë këngë të muzikës argëtuese. Opusi krijues i tij përbëhet nga një numër jo shumë i madh i veprave të muzikës serioze, ndër të cilat, vepra korale “Trualli betohet”, vokaloinstrumentale “Arbëreshës”, kushtuar Nënë Terezës, “Impresione simfonike” për orkestër, “Impresione folklorike I dhe II”, “Suitë korale” për kor miks, muzika e filmit “Proka”, “Requiem” për kor dhe orkestër e të tjera.