Ishte mëngjesi i hershëm i 14 marsit 2014. Baleti Kombëtar i Kosovës do të udhëtonte drejt Shqipërisë. Nisja fiks në orën 07:00. Kjo nënkuptonte se të gjithë balerinët, skenografia, rekuizitat e punëtorët e skenës duhet të ishin në autobus të paktën 15 minuta para orës kur ishte lënë nisja.
Të gjithë e dinin që Ahmet Brahimaj do të ishte ndër të parët që do të dilte në Teatër. Disa balerinë, që kishte krijuar përshtypjen që nuk janë edhe aq të kujdesshëm në raport me bartjen e dokumenteve personale, i pyeste nëse i kishin me vete. Shikonte se a janë bërë gati krejt materialet e nevojshme. Kolegu i tij i gjeneratës së parë, Rrustem Bajrami, ishte përgjegjës për muzikën e shfaqjeve. “A i ke CD-të me vete”, ishte pyetja që ia bënte shpesh. Kjo ishte shndërruar edhe në njëfarë humori brenda trupës së baletit. Brahimaj donte që gjithçka të ishte e përpiktë. Po u kthehej Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë pas plot 34 vjetësh. Tash po shkonte si drejtor i BKK-së, përderisa më 1980, atje, bashkë me kolegët kishin dhënë shfaqjen “Halili e Hajria”.
Disponimi e përcillte gjatë gjithë kohës. Qëllimi i parë ishte mbërritja para orës 12:00. Në mesditë bashkë me Ilir Kernin, asokohe drejtor i TOBit, e kishin lënë që të dilnin në një konferencë për media. Në raport me profesionin i bënin përshtypje gjëra krejt të imta.
Pak para kalimit të kufirit u kërkonte punëtorëve të skenës që të rrinin gati me dokumentet që kërkoheshin për skenografi. Udhëtimi për në Shqipëri e lumturonte. Disi donte të shkonte me vrull. Nëse këtë do ta bënte këmbë, do të shkonte në maje të gishtave. Nuk jetoi në maje të gishtave vetëm si balerin i gjeneratës së parë. Por edhe si njeri e edhe si themelues i atij që sot është Baleti Kombëtar i Kosovës. Ky institucion ka udhëtuar në disa qytet evropiane, ku është vlerësuar lart për nivelin që ka. Kjo llogaritet si një prej vlerave kryesore të ish-udhëheqësit.
“Ai nuk ka lënë trashëgimi një pikturë ose një film. Por një institucion. Madje institucion arti”, thotë kolegu i tij Jonuz Beqiraj. Udhëtimi qoftë deri në Shqipëri, a kudo tjetër, kishte gati ritualin e njëjtë. Saktësinë dhe përgjegjësinë e daljes në skenë. Entuziazmin që s’iu zbeh asnjëherë. Atë që e kërkonte edhe tek ata për të cilët u bë udhërrëfyes i artit të lëvizjeve.
Brahimaj, i cili vdiq të enjten në moshën 66-vjeçare, jetën profesionale e kishte nisur më 1968. Disa lëvizje të tij si nxënës i vitit të parë të shkollës normale i kishin bërë përshtypje një jurie që ishte caktuar të përzgjidhte disa të rinj që do të përbënin gjeneratën e parë të balerinëve kosovarë, në atë që ishte Krahina Socialiste e Kosovës. Atë periudhë e përshkruante si një kohë kur po shkonin në Shkup për të përfunduar një shkollë baleti, por realisht nuk ia kishin idenë se çfarë do të bënin.
“Na dërguan në internat, por ne as gjuhën nuk e dinim mirë”, do të rrëfente shumë herë mes miqsh. E kishte përmendur edhe në një intervistë për KTV-në. Kështu po niste rrugën e artit një djalë i ri i fshatit Novosellë të Pejës. Ishte rritur në vendbanim kodrinor e kufitar rrëzë bjeshkës. Aty u preh përgjithmonë.