Skulpturat e para në parkun e skulpturave të iniciuar nga treshja Bujar Berisha, Shuk Orani dhe Lili Vanilly pritet të realizohen në fillim të vitit 2022. Treshja ka bërë të ditur se parku ka shumë hapësirë dhe nuk ka kufizime në rritjen artistike. Qëllimi është të vihet në pah rëndësia e artit
Për të treguar dhe demonstruar se arti është i rëndësishëm për sistemin dhe se nuk mund të luhet thjesht me të, treshja e artistëve Bujar Berisha, Shuk Orani dhe Lili Vanilly po krijojnë një park skulpturash. E kanë titulluar “Too big to fail” dhe gjendet në Brünig pranë “Naturfreundehaus”, një shtëpi për njerëzit që e duan natyrën. I gjithë parku ka një hapësirë mbi dy hektarësh bashkë me malin.
“Institutet e artit dhe kulturës të sistemeve relevante mund të rrezikojnë kultura të tëra popullore në rast të një dështimi të çrregullt dhe për këtë arsye konsiderohen ‘Too big to fail’”, ka thënë Shuk Orani, artisti multimedial me vendbanim në Hamburg të Gjermanisë. Ai ka përfunduar Akademinë e dizajnit multimedial, si dhe Akademinë për publikime elektronike - art dhe dizajn, po ashtu në Hamburg.
Orani ka bërë të ditur se skulpturat e para në parkun në Zvicër priten të realizohen në fillim të vitit 2022.
“Goditja fillestare është bërë dhe përgatitjet tashmë kanë filluar. Dru, gurë, metale dhe materiale të tjera janë në dispozicion. Do të gdhendet druri, shpohet druri dhe hekuri, përdoret çekani etj. Asnjë disiplinë nuk duhet të pengohet”, ka thënë ai. Ka shtuar se ata do të jenë gjithmonë të hapur për artistë të rinj.
“Parku ka shumë hapësirë dhe nuk ka kufizime në rritjen artistike, në kontrast me burimet natyrore në tokën tonë”, ka thënë ai, duke treguar se Parku po ashtu thekson edhe rëndësinë që ka natyra.
E për konceptim e këtij parku më shumë të dhëna janë dhënë në komunikatën për media të publikuar në gjuhën gjermane e përkthyer në shqip nga Bardhec Berisha.
“Koperniku ishte një artist. Sikur të kishte hyrë ose të dilte nga sistemi, ai kurrë nuk do të kishte përmbysur një sistem (hedhur në bord). Ishte një nga sistemet ego - ose homocentrike, në mënyrë efektive të tejkaluar me teleskopin si provë. Ndërkohë, ky teleskop na kufizon përsëri dhe nuk na liron më, vështirë se dikush guxon të dalë prej tij”, është shkruar aty. Sipas së njëjtës artistët sigurojnë përparimin, përmirësimin ose kapërcimin e një sistemi.
“Jo vetëm që ata e dokumentojnë atë (Picasso, Guernica, Lufta Civile Spanjolle, përshkrimi i luftës civile në një mënyrë artistike), e grabisin atë (Banksy, Hacker, Marylin Manson), kritikojnë (Dali, Beuyes, Einstein, Chaplin) dhe vendosin tendenca (Marx, The Beatles). Përkundrazi, ata as nuk besojnë në sistem. Ata krijojnë një distancë midis tyre dhe sistemit dhe sistemeve të tij në mënyrë që të reflektojnë dhe kështu të jenë në gjendje të vënë në dyshim”, vazhdon tutje komunikata.
Me disa rreshta është treguar se kjo është arsyeja pse artistët jetojnë në mënyrë të rrezikshme.
“Sepse ndarja - veçanërisht falë Macchiavelit - dhe sistemit vlerësues ka përparësinë se mund të krijojë hapësirë dhe kohë për ata që zbatojnë sistemin, domethënë sundimtarët, dhe çdo kritikë ndaj tij është një rrezik për fuqinë e tyre: hapësirën dhe kohën”, është shkruar aty.
Kështu, treshja beson se arti dhe artistët nuk janë vetëm sistematikisht të rëndësishëm, por edhe një mekanizëm rregullator dhe, sipas tyre, asnjë sistem nuk mbijeton nëse është i mbyllur për botën e jashtme, pra nëse nuk ka mekanizëm rregullues.
“Arti është membrana e sistemeve, vazhdimisht në kontakt me botën e jashtme dhe kështu në këmbim për të kuptuar, për të jetuar dhe mbijetuar më mirë. Duke bashkëvepruar jashtë sistemeve, artistët mund të përcaktojnë se, për shembull, sistemi monetar nuk është më i rëndësishëm apo edhe i dëmshëm dhe të zhvillojnë një ide”, kanë thënë treshja e artistëve.
Sipas tyre e asaj që është përmbledhur në tekstin e shkurtër që përshkruan projektin që konsiderohet si i madh dhe interesant, arritja e kësaj është gjithashtu e mundur jashtë rrugëve të sistemeve, domethënë pa studiuar ose pa doktoraturë. Këtë e kanë thënë pasi besojnë që edukimi sistemik është nga ana tjetër një mekanizëm i të tjerëve për kohën dhe hapësirën, të cilit duhet shmangur për të qenë. Për ta, marrja në pyetje e sistemit harrohet lehtë në arsimin e zakonshëm.
“Megjithëse ky është qëllimi i vërtetë i edukimit: të edukosh veten në mënyrë që të jesh në gjendje të pyesësh - me një dashuri për dijen”, kanë potencuar Berisha, Orani dhe Vanilly.
Berisha, ashtu si Orani është një artist multimedial. Ai është vlerësuar si muzikant, shkrimtar, skenarist, producent muzikor, reporter, fotograf, artist grafik, stilist dhe krijues filmash. Është fitues i Çmimit kulturor të qytetit Emmen në vitin 2020.
“Ne mund të vendosim vetë, nëse duam të jemi mjete apo artistë. Me këtë në mendje dhe me këtë qëllim, po krijohet parku i skulpturave ‘Too big to fail’”, ka thënë Orani. Ka shtuar se me këtë vetëdije arti ishte dhe ende është sistematikisht i rëndësishëm dhe duhet të krijohen vepra për të demonstruar këtë. Ai ka theksuar se mënyra e paraqitjes dhe qasja i takon artistit. Mirëpo ka thënë se në çdo rast, të gjithë duhet t'ia bëjnë vetes një pyetje: Pse puna ime është dhe duhet të jetë dhe të mbetet sistematikisht e rëndësishme? Përgjigjja mbetet për t’u parë e vrojtuar nëpërmjet skulpturave që do të zënë vend në park.