Artistë të dëshmuar me famë botërore bashkë me të tjerë të gjeneratës së re kanë pushtuar ishullin e Sazanit me ekspozitën “The Isle of Thorns”. Mbi fragmente të historisë luftarake si themele për një realitet alternativ, në vendin që gjëllin si version miniaturë i Shqipërisë komuniste, arti shtron pyetje e sfidon të ardhmen. Në mesin e artistëve është edhe Driton Selmani nga Kosova
Artistë nga Shqipëria, Kosova e Mbretëria e Bashkuara janë bërë bashkë për ekspozitën “The Isle of Thorns” (Ishulli i gjembave). Nëpërmjet veprave të tyre kanë bërë një gjysmëtransformim simbolik të ishullit të Sazanit, gjersa kanë luajtur me mundësinë që të përdorin fiksionin si mjet dizajni e artin për ndryshime në shoqëri. Artistët shpalosin një rrëfim nga e ardhmja, duke ofruar njëkohësisht një pamje nga e tashmja dhe problemet ekologjike.
Ekspozita është hapur në “Galerinë e Bregdetit”, një hapësirë e pavarur arti buzë detit në Radhimë, që nisi të funksionojë më 1 qershor 2019.
Sipas tekstit kuratorial, ekspozita “The Isle of Thorns”, që nisi rrugëtimin prej mesit të javës, ndërtohet mbi fragmente të historisë luftarake si themele për një realitet alternativ, ku ishulli i Sazanit është një nga bastionet e pakta të mbetura të jetës në tokë.
“Ekspozita propozon që veprat e artit janë objekte që kanë mbijetuar nga ky univers paralel – relikte të mbledhura që ofrojnë një copëz të këtij dimensioni tjetër, ku armiqtë imagjinarë bënë që të ngrihej një regjim totalitar paranojak brenda kështjellave të ndërtuara nga rëra dhe legjendave të bëra nga ari”, është shkruar në tekstin kuratorial. Ai vazhdon duke treguar se utopitë dhe distopitë kanë aftësinë të kthehen në uzurpatorë e të përdoren si armë. “A mundemi ne pastaj t’i përdorim ato si ogur mbrojtës”, është pyetja që bëhet në tekstin kuratorial.

Veprat e Uriel Orlow, Louis Henderson, Charlotte Prodger (fitues i “Turner Prize” në vitin 2018) dhe Ben Rivers shoqërohen nga trilogjia “When Dreams Become Necessity” e Driant Zenelit, realizuar gjatë periudhës 2009-2014 e në të cilën artisti bën përpjekje për të krijuar një re, për të prekur hënën e për të kapërcyer diellin, duke ridefinuar idenë e dështimeve, utopisë dhe ëndrrave si një moment kryesor për të ndërtuar alternativa të mundshme.
Pastaj Anna Ehrenstein, siç tregon komunikata, përdor veprën “Tools for Conviviality” për të sfiduar utopinë e idesë së teknologjive digjitale si një mjet neutral, e Bedwyr Williams hulumton psikodeliken dhe autentiken në relacion me kozmosin, gjersa Driton Selmani nga Kosova shpalos një mozaik nga një e ardhme primitive.
Vepra e Selmanit titullohet “Milk Of Dreams” dhe është një mozaik qeramikash të ricikluara, punuar në bashkëpunim me mjeshtrin e mozaikëve, Fatos Kabashi, enkas për këtë ekspozitë.
“Inspiruar nga rrethanat e reja në normativen tonë të jetës, puna si punë tenton të kapë këtë moment të veçantë në historinë tonë të re si specie, ku mbijetesa jonë kërcënohet, duke i vënë në dyshim mitet dhe shkencën e bashkëkohësisë sonë”, ka thënë Selmani për KOHËN. Ka shtuar se “Milk Of Dream” është komentar.
“Komentar mbi natyrën e natyrës sonë, duke e zhveshur përgjegjësinë tonë ndaj planetit në një vallëzim të vetëm (boring dance). Vepra paraqet akrobacionin e fundit dëshpërues, pak para shpërthimit të madh…”, ka thënë ai.
Abi Shehu paraqitet me dy vepra fotografike: "Barren" një triptik i meduzave dhe "The Beauty of Demise", fotografi të realizuara në Sazan.
“Ajo tenton të kapë fantazmat nga e kaluara që ende diktojnë të tashmen tonë”, është shkruar në tekstin kuratorial për këto vepra. E artisti Niku Alex Muçaj komenton mbi natyrën shumështresore të trashëgimisë. Vepra e tij, “Kaba nga Ethem Qerimi” (2012) është një video 6-minutëshe e shfaqur për herë të parë në “Kunst Raum Riehen” në Basel.
“Qasja ime mbi veprën ishte të krijoja një himn viziv dhe akustik mbi transicionin shqiptar. Në ambientet e ‘Tirana Ekspres’ tek ish-stacioni i trentit unë ndërtova enkas një skenë verore (open air) që quhet ‘Konvereskenë’ me 3 bunkerë të kthyer përmbys dhe ftova instrumentalistin e njohur Ethem Qerimi të luante një nga kabatë e tij më emblematike”, ka treguar artisti gjersa ka shtuar se konverskena fatkeqësisht u prish.
“’Si ndërtim pa leje’ bashkë me ambientet e ‘Tirana Ekspres’, u bë dhe vetë vepra viktimë e transicionit urban”, ka thënë ai për KOHËN.
Ekspozita është kuruar nga artisti Elian Stefa. Ai ka thënë për KOHËN se “The Isle of Thorns” është një alegori e izolimit që pësoi Shqipëria gjatë gjysmëshekullit të diktaturës.
“Perceptuar si një objekt i paprekshëm, i cili është i çuditshëm dhe nuk përputhet me hapësirën përreth tij, dhe do t'ju thumbojë nëse përpiqeni ta prekni atë. Ishulli Sazan, të cilit i kushtohet ky projekt, është si një version miniaturë i Shqipërisë komuniste. Populluar vetëm me ushtarë që i pëshpëritnin në vesh njëri-tjetrit duke menduar se kanë parë një armik që vinte përtej horizontit”, ka thënë ai.
Sipas tij, të gjitha veprat spekulojnë për të ardhmen tonë të përbashkët dhe të ardhshme ekologjike me të cilën do të përballemi. Ka sqaruar se artistët paraqesin këndvështrimin e tyre unik gjersa eksplorojnë tema të nevojshme, të tilla si mjedisi, ekologjia, ndryshimet klimatike, kolonizimi dhe industritë që shfrytëzojnë të mirat e natyrës.
“Ekspozita paraqitet si një histori e treguar nga e ardhmja. Si mund të bëhet ishulli Sazan një prototip për përballimin e sfidave të ndryshme me të cilat po përballemi në të ardhmen e afërt? Ky mision udhëhiqet nga dija se hapësirat artistike luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në shoqëritë tona, duke e bërë kështu artin një mjet të rëndësishëm për ndryshimet shoqërore”, ka thënë ai. Sipas tij, kjo e ardhme në ekuilibër me mjedisin mund të ndodhë vetëm kur merren në konsideratë dinamikat komplekse të cilat formojnë mjedisin.
“Ekologjia ka arritur të përfshijnë aspektet digjitale të vetvetes sonë analoge, dhe ndërsa qytetet tona bëhen më të zgjuara, bakteret evoluojnë për të ngrënë plastikë dhe ne rritim mish në laboratorë. Ne duhet të jemi shumë më pragmatikë në lidhje me atë që do të thotë ekologji në shekullin XXI, dhe cilat janë marrëdhëniet tona me natyrën”, ka thënë ai.
“Isle of Thorns” është një sjellje e re artistike e “Future Ecologies”, një program në kuadër të “We are here: Artists’ Moving Image” nga “British Council” dhe “LUX”.
{gallery}