Në programin ndërministror midis Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Administrimit të Pushtetit Lokal përfshihen orë të veçanta të artit me ligjërata prej artistëve, vizita direkte në institucione kulturore dhe në monumente të trashëgimisë kulturore e pjesëmarrja e nxënësve në shfaqje të ndryshme artistike
Edukimi kulturor dhe artistik do të futet në katër shkolla fillore dhe të mesme të Komunës së Gjilanit nëpërmjet programit “Arti në shkolla”. Me të parashihet ndërveprimi me artin dhe trashëgiminë kulturore. Do të përfshihen 200 nxënës në fazën e parë. Në të dytën parashihet zgjerimi në komuna të tjera me pjesëmarrje të rreth një mijë nxënësve. Programi do të nisë të zbatohet gjatë muajve maj dhe qershor.
Në programin ndërministror midis Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Administrimit të Pushtetit Lokal përfshihen orë të veçanta të artit me ligjërata prej artistëve, vizita direkte në institucione kulturore dhe në monumente të trashëgimisë kulturore e pjesëmarrja e nxënësve në shfaqje të ndryshme artistike.
Përfshihet edhe themelimi i klubeve të artit në shkolla që do të shërbejnë si platforma për aktivizmin e nxënësve të talentuar dhe që shprehin interesim për ndonjërën nga gjinitë e caktuara artistike.
Programi është prezantuar të premten para kryetarëve të komunave, zyrtarëve publikë të nivelit qendror dhe lokal, si dhe përfaqësuesve të komunitetit artistik në vend.
Zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani, ka shkruar në rrjetin Facebook se programi ndikon në zhvillimin e talentit, rritjen e audiencës, të kuptuarit dhe të shprehur emocional e artistik, si dhe përmirësimin e kualitetit të jetës kulturore.
“Ky program do të shërbejë si platformë ndërlidhëse për të gjitha programet ekzistuese kulturore të institucioneve publike dhe organizatave kulturore në Kosovë, në mënyrë që aktiviteti kulturor të integrohet fuqishëm në sistemin arsimor të vendit tonë”, ka shkruar zëvendësministrja Osmani.
Me programin synohet edhe partneritet i gjerë i institucioneve qendrore dhe lokale të arsimit e kulturës me shkollat, komunat dhe shoqëritë civile.
Sipas ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, programi vendos në qendër nxënësin si krijues, audiencë e pjesëmarrës aktivë në aktivitete kulturore në pasurimin e përvojës arsimore dhe zhvillimin e arsimimit kulturor. “Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme do të ndërveprojnë në nivel praktik me artin dhe trashëgiminë kulturore duke kontribuuar në ngritjen e vetëdijes së përgjithshme shoqërore ndaj të bukurës dhe historisë, krijimin e audiencave të reja dhe mendimit kritik artistik, pasurimin e fondit të aktiviteteve kulturore dhe stimulimin e zhvillimit të industrisë kreative në vend”, shkruhet në postimin e Nagavcit.
Ajo ka bërë të ditur se fusha e arteve është përfshirë në Kornizën Kurrikulare të Arsimit Parauniveristar dhe se lënda e artit në shkolla ka për qëllim zhvillimin e imagjinatës krijuese të nxënësve.
“Si Ministri e Arsimit jemi në finalizim të listës së lëndëve mësimore me zgjedhje, ku do të propozohen lëndë që konsiderohen të rëndësishme, përfshirë edhe lëndën e artit në shkolla”, ka shkruar Nagavci.
Ministri për Administrim të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka shkruar se edukimi i mirëfilltë është baza më e mirë dhe më e shëndoshë për zhvillimin e shoqërisë. Sipas tij, vendi po përfaqësohet në mënyrën më të denjë nëpërmjet artit.
“Programe të tilla tregojnë përkushtimin e Qeverisë sonë për edukimin e të rinjve, investimin në brezat e rinj dhe ngritjen e vetëdijes së përgjithshme shoqërore për rolin e rëndësishëm të arsimit”, ka shkruar ministri Krasniqi.
Është bërë e ditur se aktivitetet do të nisin prej 15 majit dhe se do të përmbyllen në qershor, për të vazhduar më tutje me fazën e dytë të programit. Në të parashihet që çdo nxënës të ketë të paktën një aktivitet ekstrakurrikular gjatë javës.