“Është i padiskutueshëm fakti se sa të pasur i kemi folklorin dhe etnografinë, sa diverse dhe sa shumë ngjyra përmbajnë. Secila me veçantitë e veta dhe të bukurën e pamohueshme si asnjë komb tjetër”, ka thënë piktorja Dafina Vitija, teksa ka folur për veprat e reja me të cilat fuqizon elemente të etnografisë e të folklorit duke u dhënë frymë të re nëpërmjet pikturës
Është gati si një proces i përhershëm hulumtimi për të gjetur forma të reja kreative në shfrytëzim të njohurive mbi kulturën, shoqërinë, shkencën e të tjera. Në kërkim të vazhdueshëm është edhe piktorja Dafina Vitija. Artistja që më herët në veprat e saj kishte eksploruar traditat afrikane dhe aziatike, ka më shumë se katër vjet që u është kthyer rrënjëve të saj.
Fillimisht kishte realizuar ciklin “Hyjneshë është çdo grua shqiptare”, ku “Hyjneshën në fron” e kishte pikturuar me veshje tradicionale të trevave të ndryshme shqiptare. Por nuk është ndalur me kaq. Ka zgjeruar hulumtimin e saj. Në ciklin e saj të fundit, hyjneshave u ka dhënë më shumë gjallëri duke i vendosur në hapësira që veçohen për nga përdorimi i elementeve tradicionale. Në këtë formë i qëndron besnike detyrës së saj, por edhe të të tjerëve, në ruajtje të identitetit dhe kulturës. E bën këtë me artin e saj.
Artistja nga Kosova, e cila jeton në Turqi ku ndjek studimet në Fakultetin e Arteve të Bukura në Universitetin “Yeditepe”, ka thënë për KOHËN se cikli i fundit me elemente të etnografisë dhe kulturës shqiptare vjen si rezultat i kërkimit të identifikimit të stilit autokton. Është fokusuar te elemente që, sipas sa,j sjellin kujtime dhe janë pjesë e pandashme e historisë së vendit.
“Është i padiskutueshëm fakti se sa të pasur i kemi folklorin dhe etnografinë, sa diverse dhe sa shumë ngjyra përmbajnë. Secila me veçantitë e veta dhe të bukurën e pamohueshme si asnjë komb tjetër”, ka thënë Vitija, e cila në Universitetin e Prishtinës ka kryer studimet për anglisht e artin e nisi si autodidakte derisa shkoi në Stamboll.
Bazuar në shprehjen “Sqarimi mbyt artin”, ajo nuk i ka dhënë emërtim këtij cikli. Por punimet nuk i ka lënë pa i pagëzuar. Titujt e tyre vënë në pah ato që i kanë shërbyer si motiv. Mes emërtimeve gjenden, “Nusja e Kosovës”, “Prizreni”, “Tropoja & Dibra”, “Hasi & Tirana”, “Motive nga Hasi” e të ngjashme. Artistja ka dashur që kushdo që i sheh punimet e saj, t’i interpretojë ato ashtu siç dëshiron pa pasur presionin e titullit apo të ngjarjes.
{gallery}
Vitija ka thënë se për dallim nga pikturat e mëhershme të saj, ky cikël përmban edhe simbolika që janë metafora përmes subjekteve të përdorura: luledielli, yjet, “ëndërrimi syhapur” apo siç njihet anglisht “daydreaming”, paja në formë të arkës e të tjera.
“Ngjyrat janë nga paleta e përhershme e imja, kombinimi i ngjyrave të tokës me kontrast të ngjyrave të ndezura. Mbi të gjitha gruaja është paraqitur jo vetëm si një figurë konformiste e programuar për të kryer të gjitha funksionet që i duhen për të kënaqur rrethin dhe familjen, por edhe si një vajzë, një njeri me ndjenja dhe me ëndrra dhe qëllime, një krijesë që duhet të vendosë për veten e saj dhe fatin e vet, e fortë dhe e palëkundur karshi çdo situate që i kanoset”, ka thënë ajo.
Ka treguar se koncepti mbetet i njëjtë.
“Punimet e mëhershme kanë pasur më pak elemente për shkak të portretizimit që kam vendosur të përdor, thjeshtësisë dhe karakterit të punimit. Ndërsa ky cikël ka shumë detaje dhe të afron me shumë me pikturën dhe motivet që janë të pranishme”, ka thënë ajo. Në plan e ka që të hapë edhe ekspozitë porsa diçka e tillë të jetë e mundshme. Aty do të shpalosë edhe punimet e fundit, por edhe ciklin “Hyjneshë është çdo grua shqiptare”.
Në verën e 2017-s, Vitija ishte duke ndjekur kursin e pikturës në Akademinë Ndërkombëtare Verore në qendrën për art bashkëkohor “Stacion”.
Një pyetje e profesorit të arteve në Michigan, Adrian Deva, do ta kthente piktoren te rrënjët e paraardhësve të saj. Ishte ndier në faj, kur ai i kishte thënë se përse kishte shkuar aq larg te tradita afrikane dhe aziatike, pa hulumtuar gjurmët e lashta të traditës e kulturës së saj. Pas kësaj Vitija ia kishte vënë vetes një detyrë: të hulumtonte për gratë e vendit të saj dhe për traditën e tyre. “Hyjnesha në fron”, artefakti i njohur neolitik, ishte bërë motivi i ri. Aty pa një përfaqësuese të denjë për gratë shqiptare. Tani gëzohet kur vë re thesarin që posedojnë shqiptarët dhe ndihet krenare që përkundër situatave dhe sunduesve, shqiptarët i kanë ruajtur traditat dhe kulturën.
“Nuk e kemi humbur identitetin tonë, i cili pa dyshim më së miri shprehet në përditshmëritë tona dhe në gjërat më të thjeshta, si mënyra se si vishemi, si flasim, si sillemi me të tjerët, si këndojmë, si kërcejmë, si përballojmë situata të vështira, si sillemi të gëzuar dhe në ngjarje familjare e të tjera”, ka thënë ajo.
Ka shtuar se ndonjëherë i krijohet ndjesi se gjysmëshekullin e fundit në veçanti, me prurjet e reja pas luftës e sidomos “presioni” për të ecur me kohën dhe për të qenë në trend në përgjithësi, jo vetëm mbi arti e muzikën, kanë bërë me ose pa dashje që të krijohet një lloj distance nga trashëgimia e pasur.
“Andaj në këtë krizë identiteti dhe ekzistencializmi në njëfarë mënyre dua të rikujtoj se kush në fakt jemi”, ka thënë ajo. Vitija ka thënë se beson se arti mund të rrënjoset në histori dhe të jetë njëkohësisht katalizator për ndryshim në kulturë.
Sipas saj, lidhja me traditën shërben për të rritur origjinalitetin ose krijimtarinë e artistit dhe jo për ta mbytur atë.
“Duke e vendosur veten brenda një tradite të punës së të tjerëve, artisti bëhet i vetëdijshëm jo vetëm për atë që është bërë tashmë, por si mund të ndërtohet mbi punën e të tjerëve për të krijuar diçka të re ose origjinale. Kjo rrënjosje brenda një tradite nuk bëhet një kufizim, por më tepër një themel mbi të cilin mund të lulëzojë krijimtaria”, ka thënë ajo.
Sipas saj, origjinaliteti i vërtetë buron nga të kuptuarit e krijimtarisë së paraardhësve për të krijuar pastaj të ardhmen. Vitija mendon se ruajtja e traditës duhet të jetë mision i të gjithëve dhe se do të ishte mirë që në sistemin arsimor të vendosej një lëndë mbi traditën dhe elemente të etnografisë. Ka thënë se disa shtete veçse kanë bërë diçka të tillë. Sigurisht, ka shtuar se ruajtja e traditës dhe identitetit nuk do të thotë të shmanget e tashmja. Përkundrazi, mendon se ka vend për të dyja paralelisht.