Veprat e profesor Hajurush Fazliut janë meditim. Ngjyrat e tij janë kontrast edhe i realitetit. E për këtë ngjallin optimizëm. Me ekspozitë e ka festuar gjysmëshekullin e krijimtarisë si artist. Hyn nëpër misteret e trashëgimisë, viziton, mite legjenda, figura reale të historisë. Veprat e tij thuren me poetikë dhe lënë mesazhe të fuqishme
Misteret, ëndrrat, dëshirat e tij, artisti Hajrush Fazliu i transkripton në pëlhurë me penelin e tij. Ato i ka shtrirë në dhjetëra piktura të punuara ndër vite. Thellimi në veprat e tij hap shtigjet e lumturisë, dashurisë, së bukurës. “Art dhe trashëgimi” është edhe më shumë. Janë dy subjektet që pasurojnë veprat me elementet që ngërthejnë përbrenda.
Puna si profesor i artit, ngjan se e ngujon brenda kornizave të koncepteve tradicionale e realiste. Por me paletën e tij e bën të paqartë pamjen dhe hap horizontet e mendjes për të perceptuar veprat në shumë dimensione.
Artisti Fazliu me ekspozitë e ka festuar gjysmëshekullin e krijimtarisë si artist. Një pjesë të opusit e ka shpalosur për dashamirët e artit të tij. Të shumtë janë nëse do të merreshin për bazë vizitorët e “galerisë” së tij në Muzeun Kombëtar në kryeqytet.
Skulpturat antike të projektuara me ngjyrë në pëlhurë i bën tejet realiste. Një lloj shkrirje kronologjike vjen kur i shton elementet e tjera – figurën e portretit të njeriut ku hapet një lloj sipërfaqe oqeani që reflekton përtej.
Një prej veprave të ciklit “Përtej murit”, në atë që retrospektiva e formon si më të afërt, katrahura e ngjyrave është një lloj burimi i imazheve. Nganjëherë objektet lihen në hije, e shpesh rolet ndërmjet tyre ndërrojnë. Shikuesi duhet të thellohet për të kuptuar e gjetur figurat. Është një lloj enigme e loje me publikun. Pyetjet e dilemat ngrihet me vepra se çfarë mund të ketë përtej murit. Nganjëherë artisti i bën njerëz protagonistët që shikojnë, nganjëherë shpezë e bimë.
Përgjigjja duket se gjendet në anën tjetër të hapësirës së dhomës përdhese të Muzeut Kombëtar të Kosovës, aty ku të enjten pasdite u bë hapja solemne e ekspozitës. Ky është njëri prej momenteve ideale për të hedhur elementet e trashëgimisë. Disa vepra ngjajnë në posterë të mitit për princeshën ilire që hidhet nga kulla.
Secila vepër duket se rrjedh natyrshëm sa i përket procesit të punës. Pak prej tyre janë minimaliste me sfondin me ngjyra të ngrohta. Në njërën edhe i lë të rrjedhin ngjyrat.
Format ovale, veçmas ato që ngjajnë në vezë janë elementet që identifikojnë ciklin “Imazhi oval” të artistit, por janë prezentë edhe në atë “Peizazh”. Në veprat e ciklit “Kompozicion” shpërfaqet tradita e veshjes nëpërmjet elementeve minimaliste. Ato të “N’pritje” e nxjerrin përjashta imagjinatën nëpërmjet portretit. Vijat e fytyrës e ndërtojnë atë mes ngjyrash.
Gruaja është në qendër të ekspozitës. Artisti e shfaq të zhveshur dhe të mbuluar në të njëjtën kohë. Nuk i kursen fare ngjyrat, duke nxjerrë edhe nuanca të ndryshme me kombinimet e tyre. Dashurinë e sjell në dimensione të ndryshme, ndërsa protagonistët në “Profile dardane” duket se një mendje e ndrit tjetrën.
Në ekspozitën “Art dhe trashëgimi” janë edhe veprat e cikleve “Kthimi”, “Torzo”, “N’fokus”, “Shqetësimi” e “Profil”. Ato u përkasin dy dekadave të fundit të krijimtarisë së piktorit Hajrush Fazliu. Është ekspozita e 22-të personale e artistit, ndërsa ai numëron edhe shumë të tjera kolektive.
Autori i veprave ka thënë se nëpërmjet figurës së gruas e shpërfaq identitetin e trashëgiminë e vendit.
“Sonte jam prezantuar me një opus të krijimeve të përfaqësuara nga ciklet të cilat i trajtoj. Nisen nga imazhet ovale, portat, mbijetesa, elementi i profileve dardane. Këto më kompletojnë në tërësinë e krijimtarisë sime. Si motive dhe ide e përcjelljes së realizimit të pikturave të mia dominon figuracioni i femrës që është evidente. Përmes saj e bëj identitetin dhe trashëgiminë tonë kulturore”, ka thënë Fazliu duke përmendur se ngjyra është elementi që më së shumti e kultivon.

“Duke ndërtuar edhe me elemente e parime të tjera figurative siç është linja, forma, baraspesha e shumë e shumë të tjera. Duke kompletuar këto parime mundohem t’i jap elementit kompozicional një frymë të artit bashkëkohor. Mundësia e realizimit për mua, falë pjekurisë, moshës, përvojës së gjatë, rrugëtimeve nëpër botë, kanë bërë që pak a shumë ta bëj stilin tim të punës me të cilin po promovohem”, ka thënë profesori i artit e artisti Hajrush Fazliu.
Ai ka thënë se veprat kanë edhe simbolikën e ruajtjes së familjes, atdheut, ambientit.
“Ka vepra që janë realizuar njëzet vjet më parë, por dominojnë këto të viteve të fundit. Mundohem t’u jap poetikë, një lirikë veprave të mia duke ndërtuar një kompozicion që ajo mandej të ketë edhe porosinë dhe imazhin e vet. Përndryshe nuk do të kishte interes po nuk pati një porosi, një imazh. Kombinohen tonalitetet në këto vepra. Nëpërmjet kullave, portave e të tjera, mundohem ta ruaj trashëgiminë sepse tek e fundit ky është nënqielli ynë”, ka shpjeguar Fazliu më tej.

Kuratori i ekspozitës, Naser Shatrolli, ka thënë se autorin e ekspozitës e sheh si piktor të mbështjellë me ngjyrat poetike.
“Profesori Hajrush e paraqet krijimtarinë e tij në vendlindjen e tij, për Kosovën, për kolegët, për vetë artin dhe artistët për të cilët është mësues i tyre i parë në formate të përafërta. Sonte ka zgjedhur një mori veprash, përzgjedhje ciklesh retrospektive të së kaluarës, por edhe të tashmes pasi profesori vazhdon edhe më tej ta kultivojë pikturën, përkatësisht idetë, mesazhet, vizionin e tij në kuptimin e vërtetë artistik”, ka thënë Shatrolli.
Sipas tij, Fazliu performon idetë imagjinare me art që krijojnë një lloj “dioptrie imagjinare” që mund të shohin ato që i mungojnë kryeqytetit e vendit.
“Piktori është formulë e një krijuesi unik që shpreh ndjesitë e tij me brushën e meditimit. Madje, është projektues në relacion me shtrirjen e lojës së tij mbi shahun e ngjyrave, që e çojnë në adresë të synimit të përsosmërisë, me qëllim që të jetësojë në fytyrën e tij, preokupimet e popullit, me të cilin është rritur, para se gjithash”, ka thënë Shatrolli para të pranishmëve derisa ka lexuar në tekstin kuratorial.
Artisti Kamuran Goranci e ka vlerësuar kolegun e tij si të veçantë, ndërsa veprat si shprehje e optimizmit.
“Profesori Hajrush njihet për veprat e tij, është piktor i pandalshëm, i veçantë, i cili e ka gjuhën e vet të veçantë të të shprehurit të figurave artistike. Është shumë produktiv, artist që gjithmonë shpreh optimizëm për të ardhmen, për shoqërinë. Nuk është artist i zymtë në kuptimin e të shprehurit artistik. Ai do të jetë i njëjti, nuk ndalet”, ka thënë Goranci.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka thënë se ekspozita ka qenë forma më e mirë për ta përmbyllur vitin dhe që autori ta shënojë gjysmëshekullin e krijimtarisë së tij. Ka thënë se ka rreth tri dekada që njihen me artistin.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij momenti sepse mendoj se e ka gjetur edhe kohën, për ta mbyllur vitin sa më bukur. Më ka mahnitur qysh herët me ngjyrat e tij. Unë nuk jam specialist i pikturës, vij nga teatri dhe filmi. Jeta jonë është shumore e cikleve tona dhe Hajrushi ka kaluar nëpër to dhe ka lënë gjurmët e tij. Ka goditur me penelin e tij dhe në fund të fundit edhe me këto ngjyra që më bëjnë për vete’, ka thënë ambasadori Petrit Malaj.
Ekspozita “Art dhe trashëgimi” do te jetë e hapur deri më 4 janar.